Inflacioni në tetor zbriti në nivelin më të ulët të 20 muajve, por nuk ndalet shtrenjtimi i produkteve të shportës! U rritën me 3.8%

8 Nëntor 2023, 13:06| Përditesimi: 8 Nëntor 2023, 16:35

  • Share

Inflacioni në muajin tetor ka regjistruar nivelin më të ulët që prej tremujorit të parë të vitit 2022. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në muajin e kaluar çmimet u rritën me 3.8%, nga 4.1% që ishte në shtator. Kjo është vlera më e ulët që prej shkurtit të vitit të shkuar kur inflacioni ishte 3.9%.

Edhe pse vërehet një ngadalësim i inflacionit, përsëri produktet e shportës vijojnë të shtrenjtohen. Sipas raportit rritja më e madhe e çmimeve në muajin tetor në krahasim me vitin e kaluar u regjistrua tek grupi i argëtimit dhe kulturës me 7,6 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,4 %. Por shtrenjtim është regjistruar pothuajse për të gjitha grupet e tjera, me përjashtim te transportit, pasi çmimi i naftës në tregjet e huaja është ulur.

Sa i takon shportës së ushqimeve, në tetor janë shtrenjtuar me 23.4% zarzavatet, me 8.4% produktet e bulmetit dhe vezët, për të vijuar me një rritje çmimi me 8,4 % të mishit, me 7,9 % të frutave, dhe më pas janë produktet e peshkut, ëmbëlsirat dhe bukë e drithëra, çmimet e të cilave vijojnë të rriten pa ndalesë.

Pak ditë më parë guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se tendencat rënëse të inflacionit janë ngadalësuar, për këtë arsye u rrit përsëri norma bazë e interesit me 0.25 %, duke e çuar në 3.25%.

Efekti i rritjes së normës bazë të interesit jep impakt të menjëhershëm tek shtrenjtimi i parasë, masë kjo që përdoret për të frenuar konsumin, në mënyrë që të balancohet kërkesa për produkte me ofertën që ka tregu.

Ky vendim i Bankës së Shqipërisë do të përkthehet edhe në norma më të larta interesi për kreditë që japin bankat për qytetarët e bizneset. Një rritje tjetër e normave të interesit mund shkaktonte edhe ngadalësim të investimeve në ekonomi pasi kostot e marrjes së kredisë do të rriten më tej.

Por këtë qasje të bankës qendrore e mbështet FMN, e cila tha se kthimi i inflacionit në 3% në vitin që vjen kërkon ndoshta një rritje më të fortë të normës bazë të interesit.

“Një rritje graduale e normës bazë drejt një pozicioni neutral, vlerësuar në rreth 4.5 për qind, do të ndihmonte kthimin e inflacionit në objektivin e synuar në fillim të 2025,” rekomandonte FMN pas mbylljes së misionit në vendin tonë në fund të muajit tetor.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjyshi: 08/11/2023 20:15

    Ulje e inflacionit dhe rritja e cmimeve sikur nuk shkojne bashke! Marifetciu Sejko po godet perdite dhe me shume xhepat e shqipetareve duke ju grabitur edhe ato pak para te kursyera apo nga reminitancat. Se mos ka ndonje qe nuk e di qe Banka e shqiperise e ka detyre kushtetuese nderhyrjen ne tregune cmimeve ne mbrojtje te konsumatoreve. Sa per karburantet vetem ulje dhe pasqyrim real te cmimeve te burses nuk ka. Denar Biba i auturitetit te kobkurences nuk po di ku te fshehe parate e korupsionit duke u lene dore te lire masakruesve te xhepave te shqipetareve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?