Inflacioni po bie më shpejt se pritej, Sejko: Shqipëria e ka rikuperuar plotësisht goditjen e rritjes së çmimeve

16 Tetor, 15:53| Përditesimi: 16 Tetor, 15:54

  • Share

Inflacioni në Shqipëri është ulur me ritëm më të shpejtë se pritshmëritë e institucioneve vendase. Gjatë një takimi që guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko zhvilloi me Shefin e Sektorit Ekonomik Rajonal për Ballkanin Perëndimor në Ambasadën e Republikës Franceze, Pierre Grandjouan fokusi i diskutimeve ishte pikërisht inflacioni dhe stabiliteti financiar.

Sejko është shprehur se si rezultat i rënies së shpejtë të inflacionit, vendi e ka rikuperuar plotësisht goditjen që pësuam nga rritjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme me qëndrimin e politikës monetare, duke analizuar të dhënat mbi inflacionin dhe ka reaguar me qëndrimin e saj në mënyrë që rritja ekonomike të ruhej e pacenuar. Kjo qasje ka rezultuar mjaft efektive”, është shprehur Sejko, i cili ka theksuar se rritja ekonomike është në trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike pritet të forcohen në vitet e ardhshme.

Lidhur me sistemin financiar, Guvernatori Sejko u shpreh se ai karakterizohet nga nivele të kënaqshme kapitalizimi dhe likuiditeti. Guvernatori u ndal gjithashtu në panoramën e sektorit bankar, ku veçoi dy elemente kyçe, rritjen e kreditimit dhe përmirësimin e treguesit të kredive me probleme.

Ndërsa Grandjouan, ka vlerësuar kontributin e vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe ka uruar Guvernatorin Sejko për hapjen zyrtare të negociatave për Grup-Kapitujt me Bashkimin Evropian, e cila shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë në procesin e integrimit me BE-në.

Grandjouan ka vlerësuar gjatë takimin stabilitetin makroekonomik e financiar të vendit, si dhe regjimin i lirë i kursit të këmbimit mbetet mjaft i përshtatshëm kur kërkesa dhe oferta përcaktohet nga vetë tregu.

Në përfundim të diskutimeve ata kanë shprehur synimin për të thelluar bashkëpunimin ekonomik mes vendeve. Gjithashtu ata dakordësuan se Banka e Shqipërisë dhe Banka e Francës do të vijojnë bashkëpunimin në fusha, si: konvergjenca e legjislacionit me standardet evropiane, qeverisja e bankës qendrore, etj., dhe Banka e Francës do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Bankën e Shqipërisë, për përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe adoptimin e standardeve ndërkombëtare të bankingut qendror, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?