Ulja e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare ka sjellë rënie të inflacionit në vendin tonë. Në konferencë për mediat Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se ekonomia e vendit është përmirësuar në muajit e parë të këtij viti ndërkohë që inflacioni është në rënie.
“Kjo rënie pasqyroi reduktimin e shpejtë të inflacionit të artikujve ushqimorë, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë u shfaq më i qëndrueshëm. Rënia e inflacionit u ndikua nga reduktimi i inflacionit të importuar. Në veçanti, rënia e shpejtë e inflacionit të ushqimeve pasqyroi një dukuri rajonale dhe evropiane, të diktuar nga rritja e ofertës për këto produkte. Bazuar në informacionin aktual, efektet në inflacion të kësaj goditjeje do të vijojnë të jenë prezentë edhe për disa muaj në vazhdim”, tha Sejko.
Nga ana tjetër inflacioni i brendshëm vijon të jetë i qëndrueshëm tha guvernatori, i ndikuar prej mungesës së punonjësve, që ka sjellë rritje të pagave për të ruajtur stafet ekzistuese.
“Nga ana tjetër, edhe pse në rënie, presionet e brendshme inflacioniste janë më të qëndrueshme. Kjo ecuri sugjeron se presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten relativisht të larta, si pasojë e kërkesës solide për mallra e shërbime dhe e presioneve që vijnë nga tregu i punës”, tha guvernatori.
Pavarësisht situatës pozitive në janar dhe shkurt, Sejko thekson se është ende herë për të vendosur për ulje të normës bazë të interesit.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në bazë të këtyre të dhënave, vendosi të mos e ndryshojë normën bazë të interesit në 3.25%, si dhe të mbajë të pandryshuar interesin për kredinë dhe depozitat njëditore, që janë përkatësisht 4.25% dhe 2.25%.