Tirane- Kriza e inflacionit të lartë duket se është kapitull i mbyllur. Në shtator rritja e çmimeve ra në nivelin më të ulët që prej qershorit të vitit 2021. Referuar raportit të fundit të INSTAT në muajin e kaluar çmimet u rritën me 1.9% krahasuar me vjet, kohë kur inflacioni ishte 4.1%. Pavarësisht se vlera e inflacionit është në rënie shtrenjtimi i ushqimeve nuk ka të ndaluar.
“Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,94 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,30 pikë përqindje”, thotë INSTAT, ku evidenton se në rënie muajin e kaluar ishin vetëm çmimet e transportit me 0.28%.
Ndërsa në raport me shtatorin e vitit 2023, INSTAT thotë se shtrenjtimin më të madh e pati kategoria e argëtimit dhe kulturës me 4.6%, ndjekur nga “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilje, e mirëmbajtje e shtëpisë” me 3.6 % secila.
Kurse ushqimet krahasuar me vjet u shtrenjtuan me 2.7 %, ku brenda kësaj kategorie çmimi i zarzavateve u rrit me 6.5%, produktet e peshkut me 4,6%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,9 %, “mish” me 3,4 % dhe ëmbëlsirat me 3%.
Inflacioni prej janarit është poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%, por sidoqoftë Banka ka gjykuar se situata është e pasigurt ende për këtë arsye nuk e ka rishikuar normën bazë të interesit në mbledhjen e fundit para pak ditësh duke e lënë atë në 3%.