Pa shifra konkrete mbi fenomenin barbar të nëndeklarimit të pagave të punonjësve ku një pjesë e saj hidhet në bankë e tjera jepet në dorë, qeveria prej ditësh ka nisur fushatën ‘sensibilizuese’ për bizneset por edhe punonjësit, për deklarimin real të pagave.
Si çdo gjë informale, edhe nëndeklarimi i pagave është i vështirë për tu identifikuar në shifra se sa i përhapur është. I vështirë është edhe për tu luftuar por jo i pamundur, nëse Administrata Tatimore dhe të gjitha hallkat e tjerë institucional do të hetonin realisht deklaratat e pagave që bizneset depozitojnë çdo muaj.
Ky fenomen që ka prekur thuajse çdo sektor të ekonomisë, ishte gjerësisht i dukshëm kur u publikua databaza e pagave, përfshirë edhe sektorin e medias, pasi gazetarë, drejtues, kryeredaktorë e shoferë deklaroheshin me rroga minimale. Fenomen që vijon edhe sot, ku pronarët e mediave, nuk paguajnë sigurimet e punonjësve, ju vonojnë pagat dhe një pjesë ua japin në dorë e tjetrën e kalojnë në bankë. Raste si i medias kishte edhe në arsimin privat, në tregti, turizëm, ndërtim etj.
Por pse qeveria thuajse çdo vit nis një aksion kundër informalitetit, dhe pse këtë vit ‘kërcënimet’ janë ashpërsuar deri tek arresti apo mbyllja e bizneseve??
Që prej vitit 2015 kur hyri në fuqi reforma e re e pensioneve, e bazuar tërësisht në kontributet e derdhura gjatë viteve të punës, si dhe tek vitet e punës që ka individi, sigurimet e mbledhura nuk kanë mjaftuar për të mbuluar të gjithë pensionistët me pagesën mujore.
Për shkak se që kur ka nisur zbatimi i kësaj reforme, ajo ka rezultuar me deficit, pra kontributet nuk mbulonin të gjitha pensionet, shteti është detyruar ta financojë atë vit pas viti, për të mbuluar boshllëkun e krijuar.
Sipas hulumtimit të dokumenteve nga Report TV, rezulton se që prej 2015-ës kur hyri në fuqi kjo skemë e deri në fund të vitit 2023, buxhet i shtetit ka harxhuar 2.1 miliardë euro për të financuar sistemin e pensioneve. Nëse kontributet do të ishin të mjaftueshme për të mbuluar pensionet në vend, praktikisht këto para ose do ishin përdorur për ti rritur më shumë pensionet.
Si paraqitet sot raporti kontribuues-përfitues?
Vitet e fundit numri i pensionistëve është rritur me ritme më të shpejta se ai të punësuarve. Nëse në vitin 2015, për të mbuluar pensionin e një qytetari kontribuonin 1.19 punonjës, sot kontribuojnë 1.17 punonjës. Për të qenë efektive dhe e shëndetshme një skemë pensionesh duhet që numri i kontribuuesve të rritet me ritme më të shpejta se ai i përfituesve.
Aktualisht, vetëm 826 mijë punonjës paguajnë sigurimet, ndërsa numri i pensionistëve ka arritur në 705 mijë, duke u rritur me mbi 18 mijë në raport me vitin 2022.
Përtej shifrave kontribuues-përfitues, dëmi më i madh skemës po i vjen nga nëndeklarimi i pagave, kjo për shkak se sa më e ulët paga e hedhur në bankë aq më pak kontribute paguhen.
Në kushtet kur puna në të zezë përfshin afro 30% të punësuarve të vend, dhe sipas shifrave të Ministrisë së Ekonomisë është e përhapur në 63% të ndërmarrjeve të inspektuara, deficiti i skemës së pensioneve sa vjen edhe thellohet më shumë.
Vetëm si rezultat i informalitetit në tregun e punës me paga të nëndeklaruar apo me punësim tërësisht në të zezë, sot 50% e pensionistëve në vend nuk marrin pension të plotë.
Nga 590 mijë pensione pleqërie afro 294 mijë marrin pension të pjesshëm, kjo për shkak të viteve të pakta të punës dhe kontributeve të ulta.
Bazuar në të dhënat e ISSH pensionet e reja të lidhura në vitin 2023, nuk kanë ndjekur trendin rritës të pagave. Nëse paga mesatare vjet u rrit me rreth 9 mijë lekë krahasuar me vitin 2022, pensioni mesatar është rritur me 991 lekë të reja.
Pasojat e rënda të mos pagesës së kontributeve apo pagesës së pjesshme të tyre po bëjnë që pensionet e reja të dalin më të ulta se minimumi jetik, apo sesa pensioni mesatar.
Pensionet e reja të lidhura vjet ishin në vlerën 15.560 lekë, ndërkohë që mesatarja është 19.092 lekë në muaj (pas indeksimit). Pavarësisht këtij indeksimi, hendeku paga-pension mbetet i lartë. Pensioni mesatar pas këtij indeksimi është sa 47.5% e pagës minimale që ka vendi prej 40 mijë lekësh.
Kjo diferencë është e më i lartë nëse marrin si referencë rrogën mesatare. Pagesa mujore e një pensionisti përllogaritet sa 25.4% e rrogës mesatare që në fund të qershorit ishte 75.114 lekë.
Logjikisht pensionet e reja duhet të dalin më të larta, për shkak të rritjes së shpejtë të pagave në dekadën e fundit dhe detyrimit për t’i deklaruar të plota në bankë, e që duhet të sillte formalizim e pagesë të drejtë të kontributeve nga punëdhënësi, por në fakt nuk është dhënë efekti i pritshëm.
Aktualisht që një grua të dalë në pension këtë vit i duhet të jetë 61 vjeç e 8 muaj, dhe duhet të ketë 38 vite punë, po kaq vjetërsi pune duhet të kenë edhe burrat të cilët moshën e pensionit e mbushin 65 vjeç.
Përtej nën deklarimit, plakja e popullsisë kërcënon pensionet!
Shqipëria ka 35% më shumë të moshuar se në vitin 2011, pasi sipas rezultateve të CENSIT, mbi 667 mijë shqiptar janë mbi 60 vjeç. Kjo plakje e popullsisë sipas ekspertëve të ekonomisë është kambane alarmi për skemën e pensioneve.
Situata thonë ekspertët është edhe më serioze nëse marrim në konsideratë faktin që një e treta e pagave nën deklarohen, duke sjellë automatikisht me pak sigurime shëndetësore dhe shoqërore.
Cens-i i fundit tregoi se 1 në 5 shqiptare është mbi 65 vjeç. Ndërkohë sipas përllogaritjeve në 2012 vendit i janë shtuar 220 mijë persona mbi 60 vjeç, nga 448 mijë që kishte në censin e kaluar në 667 mijë në censin e 2023-shit.
Plakja e popullsisë ndërkohë që rinia ka emigruar masivisht, dëmton edhe më shumë skemën e pensioneve, pasi rritet numri i pensionistëve, ndërkohë që nuk ka shtim të fortë të kontribuuesve.
Raporti paga në privat dhe paga në shtet!
Punonjës nuk ka, sipërmarrjeve u mungon stafi, qeveria tenton të mbushë boshllëkun me të huaj, ndërkohë pagat në sektorin privat mbeten thuajse në vendnumëro.
Rroga mesatare në fund të muajit qershor arriti në 75.114 lekë, duke u rritur me vetëm 89 lekë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Kurse në raport me tremujorin e dytë të vitit të kaluar paga mesatare në vend rezulton se është rritur me 4,209 lekë. Rritja e pagave është udhëhequr kryesisht nga shteti, për shkak të reformës së pagave që qeveria ndërmori për administratën publike.
Aktualisht paga mesatare në sektorin shtetëror është 85 mijë e 901 lekë, ose rreth 15 mijë lekë më shumë se rrogat që ka sektori privat, i cili mban edhe peshën më të madhe të punonjësve që ka vendi, e për pasojë është kontribuuesi kryesor në skemën e pensioneve.
Sipërmarrja edhe pse prej vitesh vuan mungesën e punonjësve, përsëri qëndron dorështrënguar përballë punëmarrësve. Sipas të dhënave të INSTAT paga mesatare në sektorin privat në fund të muajit qershor arriti në 70 mijë e 430 lekë, nga 69 mijë e 400 lekë që ishte në fund të 2023-shit.
Aktualisht janë 55% e të punësuarve në vend që nuk e arrijnë pagën mesatare, ku pjesa dërrmuese e të punësuarve paguhen minimalisht 40 mijë lekë, që është vlerë e pataksuar.
Bazuar në shifrat e INSTAT, deri në fund të muajit qershor, 25.8% e të punësuarve paguheshin deri në 40 mijë lekë që është fasha që nuk paguan tatim. Më tej nga mbi 40 mijë deri në 50 mijë lekë paguhen 20% e të punësuarve, për të vijuar me 9.4% që marrin nga mbi 50-60 mijë lekë. Ndërkohë grupit të pagave mbi 60 mijë lekë deri në 95 mijë lekë i përket 27% e të punësuarve, më tej 7.9% marrin deri në 120 mijë lekë dhe mbi këtë shumë paguhen 9.9% e të punësuarve në vend.
Aksioni ndaj pagave jo reale
Aksioni i institucioneve shtetërore kundër nëndeklarimit do të nisë kryesisht me kategorinë e punonjësve që paguhen me rroga minimale. Sipas përllogaritjeve janë mbi 185 mijë punonjës që kanë rrogë deri në 40 mijë lekë në muaj. Kjo për shkak se prej vitesh prej bizneseve është vënë re deklarimi vetëm me pagë minimale të punonjësve dhe pjesa tjetër jepet në dorë.
Në sitë do të jenë edhe ata që kanë rroga nga 60 mijë deri në 95 mijë lekë, pasi është fasha e pagave me numrin më të lartë të punonjësve, afro 196,482 punonjës. Ndjekur më pas nga 20% e të punësuarve (146,628 punonjës) me paga në pragun e minimales 40-50 mijë lekë.
(Përllogaritjet e shifrave të punonjësve në raport me pagat janë bërë duke marrë si referencë numrin prej 733,144 punonjësish në fund të 2023-shin sipas shifrave që janë pjesë e strategjisë).
Puna e institucioneve do të bazohet kryesisht në regjistra duke përdorur teknologjinë. Përmes sistemeve do të analizohen të dhëna mbi pagat për sektorë të ndryshëm si dhe do të zhvillohen kontrolle ‘blitz’ në bizneset për të cilat ka dyshime se bëjnë nën-deklarim pagash në bazë të kryqëzimit të të dhënave
Sektorët me nëndeklarim të pagave
Sektorët që deklarojnë pagat më të ulëta për punonjësit do të kalojnë të parët në filtrin e kontrolleve. Ndërtimi është një nga sektorët që ka rritje të fortë të aktivitetit por pagën mesatare të punonjësve e ka 59.721 lekë, me rritje vetëm 1,354 lekë krahasuar me vjet.
Sektori i turizmit do jetë në fokus gjithashtu, pasi përtej bumit të madh të pushuesve e rritjes së fitimeve, pagat mesatare i ka 60.682 lekë me rënie në raport me fundin e vitit 2023. Pjesë e planit për këtë sektor do të jenë baret, restorantet, agroturizmet, bizneset e dhënies me qira të ambienteve e makinave si dhe fusha e transportit.
Për të hetuar këtë sektor dhe xhiron e tyre, do të bëhen analiza për të gjithë kompanitë që operojnë në sektor, si dhe do të vlerësohen edhe informacionet që do të merren nga shoqëritë e transportit dhe klientëve e furnitorëve të produkteve do trajtohet gjithashtu. Paga mesatare e punonjësve të shitjeve dhe shpërndarjeve sipas INSTAT në fund të qershorit ishte 56.929 lekë.
Në filtrin e administratës dhe inspektoratit do të jenë edhe sektorë të tjerë të tilla si fasoneria, industria ushqimore etj, të cilët edhe nga kontrollet aktuale kanë rezultuar me nëndeklarim pagash ose me punonjës të padeklaruar.
Shkoni twk Mektrin Motors shif cbehet. NAMIIIII
Përgjigjudukshem ligji i 2015 ka mangesi qe nuk reflektojne sugjerimet baze te bankes boterore mbi perpmiresimin e koeficienteve te sigurimit kontribut page per cdo te punesuar, nje ligj i mbeshtetur vetem ne indeksimin e pensioneve dhe jo ne frymen kontributive te sugjerimeve themelore si per pensionin e plote edhe ate te pjesshem dekurajues per vete numrin e viteve ne stimulimin e kontribuesve per arritjen e pensionit te plote nga 15 vite ne 38 ka nje gap te ndjeshem. le te jene 3 e me shume fasha pensioni me kthim deri ne 80% te pages se deklaruar nga 47% qe eshte aktualisht
PërgjigjuLarguat 2 miljon shqiptar plot energji per pune e smban kush pergjegjesi per kete. ke tash 30 vjet SALA ,RAMA e META njeri me i pasur se tjetri. Ato vetem mund te paguajn pensionet e shqiptareve per 50 vjet e prap ju teprojne leke.
PërgjigjuMinistri aktual i Financave,Petrit Malaj, sa e ka deklaruar rrogen e tij kur punonte ne sektorin privat?
PërgjigjuNe vlore te gjitha pagat qe jan deklaruar60 mije te tjerat i marrin ne dore te gjitha pa perjashtim