Davide Pecorelli, ish-gjyqtari i futbollit dhe biznesmeni i dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Shkodrës, pasi inskenoi vdekjen e tij në në Pukë rreth pesë vite më parë, ka dhënë një intervistë për median italiane nga burgu 313, ku ndodhet prej 8 majit të këtij viti, pasi u ekstradua nga Italia.
Në artikullin e La Nazione, ndonëse biznesmeni ankohet për kushtet e këqijat të burgut, theksohet se ai ka mundësi të kontaktojë çdo ditë me familjarët (gruan, katër fëmijët dhe babanë).
“Kam vendosur të ndërpres grevën e urisë pas dy javësh. Kam humbur 6 kilogramë”,- ka thënë sipërmarrësi nga San Giustino për median italiane, ndërsa pret me padurim të depozitojë në Gjykatën e Lartë ankimimin e masës e sigurisë “arrest me burg” që i është caktuar, ndërkohë që çështja e tij, si i dyshuar për veprat penale “mashtrimi”, “dhunimi i varreve”, “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, po shqyrtohet në Apel.
“Përmbysja, ose më mirë të themi një dritë e parë shprese, erdhi pardje, më 31 korrik, kur Gjykata e Apelit e Shqipërisë më në fund depozitoi arsyetimin e vendimit të dënimit, duke i mundësuar kështu paraqitjen e rekursit në Gjykatën e Lartë. Pecorelli kishte hyrë në grevë urie më 16 korrik, duke denoncuar me një letër të shkruar me dorë dhe dërguar në Gjykatë dhe në Konsullatën italiane kushtet e rënda të paraburgimit: ndante një qeli prej 16 metrash katrorë me tetë persona, pa ujë të rrjedhshëm dhe e mbushur me minj”,- thuhet në artikull.
“Tani do të mund të formalizoj rekursin në Gjykatën e Lartë: qëllimi është të marr një masë më pak kufizuese në pritje të gjyqit të shkallës së dytë, i cili është caktuar për 18 shtator”, - ka deklaruar Pecorelli.
Biznesmeni italian rrëfen gjithashtu se ka marrëdhënie shumë të mira me të burgosurit e tjerë.
“Më trajtojnë mirë, çdo mbrëmje gatuaj makarona për ta: përpiqemi të mbijetojmë, por kushtet janë ekstreme”.
Më 31 Mars të këtij viti, pas Gjykatës së Perugia në Itali, edhe Ministria e Drejtësisë italiane kishte konfirmuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Vendimi përfundimtar i ekstradimit është marrë nga ministri italian i Drejtësisë Carlo Nordio, pasi gjykata e Apelit e Perugias dha dritën jeshile për ekstradimin e biznesmenit në maj të vitit të kaluar.
Shkak i inskenimit ishin borxhet që ai kishte pas falimentimit të biznesit, duke humbur gjurmët për shumë muaj, derisa u gjet në Itali, ku kërkonte thesarin e Monte Kristos.
Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 4 vite burg Davide Pecorellin më 3 prill të këtij viti, pasi që inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri në janar të vitit 2021
Në tetor 2022 prokuroria e Pukës mbylli hetimet dhe e akuzoi për 5 vepra penale, "Mashtrim" në bashkëpunim, "Dhunimi i varreve" "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" e "Shkatërrimi i pronës me zjarr". Ndaj tij prokuroria kërkoi tetë vite burg por gjykata e dënoi me 4 vite.
49 vjeçari u zhduk në janar të 2021 Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë. Kur të gjithë e dinin të vdekur, biznesmeni italian Davide Pecorelli, u shfaq në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë me vete edhe 'historinë' se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur. "Po kërkoja një thesar" tha ai, deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij.
Komente
