Perugia - Tre muaj pasi një gjykatë në Perugia të Italisë miratoi ekstradimin e ish biznesmenit Davide Pecorelli në Shqipëri, ky i fundit ka reaguar duke thënë se është i gatshëm të kthehet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.
Pecorelli, i cili inskenoi vdekjen e tij në zonën e Pukës për t’i shpëtuar borxheve ka deklaruar se “prej muajsh nuk kam fjetur pas dënimit për krime të padrejta dhe sepse këtu në Itali deri më tani jam trajtuar si një qytetar i dorës së dytë”.
Ai u dënua nga gjykata e Shkodrës me 4 vite burg me akuzën e mashtrimit, zjarrvënies dhe shpifjes.
“Megjithatë, në shtator do të shkoj të përballem me sistemin e drejtësisë shqiptare, duke rrezikuar të arrestohem menjëherë. Ka një padrejtësi të vërtetë ndaj meje, krimi për të cilin Shqipëria kërkon dënimin tim bazohet në prova inekzistente kur unë i kam dëmshpërblyer të gjithë atje”, ka deklaruar Pecorelli, raportojnë mediat italiane.
“Është një avokat shqiptar që më ndjek, tre muaj nuk kam fjetur, duhet të paguaj për atë që kam bërë, por jo për gjëra të tjera që nuk ekzistojnë. Kështu që unë vihem në dispozicion të sistemit të drejtësisë shqiptare”, tha ai.
I pyetur për rrezikun e arrestimit, ai tha: “Po, jam në dijeni, por do të bëjmë gjithçka që të heqim akuzat”.
Si e inskenoi zhdukjen?
49 vjeçari u zhduk në janar të 2021 në Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë. Kur të gjithë e dinin të vdekur, biznesmeni italian Davide Pecorelli, u shfaq në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë me vete edhe 'historinë' se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur. "Po kërkoja një thesar" tha ai, deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij.
Në prill të 2024 Gjykata e Shkodrës e dënoi me 4 vite burg Davide Pecorellin duke e shpallur fajtor për "Mashtrim" në bashkëpunim, "Dhunimi i varreve" "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" e "Shkatërrimi i pronës me zjarr".