Inspektim me Veliun në Tiranën e Re për masat anti-COVID, Leshaj: Kufizimi për lokalet i nevojshëm, qytetarët të bashkëpunojnë (VIDEO)

23 Korrik 2020, 12:30| Përditesimi: 23 Korrik 2020, 13:26

  • Share

Sandër Lleshaj, ministri i Brendshëm, së bashku me Ardi Veliun drejtor të përgjithshëm të policisë, si dhe drejtues të lartë në policinë e shtetit, zhvilluan mbrëmjen e kaluar një inspektim në zonën e Tiranës së Re për respektimin e rregullave anti-COVID. Lleshaj thotë se masat e reja shtesë kufizuese për lokalet e natës erdhën si pasojë e nevojave që ka vendi dhe për këtë duhet të ketë mirëkuptim.

Ndër të tjera ministri deklaron se këto masa po rikthehen në të gjithë botën dhe është detyrim që të mos mbipollohen spitalet.

"Efektet e pandemisë vazhdojnë të jenë ende të larta, virusi ende vazhdon të godasë fort, madje po merr edhe jetë të rinjsh, edhe pa sëmundje shoqëruese. Kështu që mbetet detyrë e madhe për të gjithë ne që të angazhohemi fort për të parandaluar përhapjen e tij. Këtu kërkohet angazhimi i të gjithëve. Sot kemi dalë për të parë angazhimin e Policisë, e cila po kontrollon zbatimin e Aktit Normativ, i cili kërkon masa të reja shtesë kufizuese në drejtim të frekuentimit të lokaleve, muzikës.

Sigurisht që unë jam i qartë për ndjeshmërinë e shumë qytetarëve për këto kufizime, por duhet të kuptojmë që është detyrë të bëjmë balancën dhe të zgjedhim atë që duhet të zgjedhim. Të kufizohemi në emër të asaj gjësë më të madhe, që nuk duhet ta kufizojmë, që është jeta.

Për këtë arsye kërkohet mirëkuptimi i qytetarëve, por kërkohet dhe angazhimi i fortë i institucioneve dhe i Policisë së Shtetit. Të gjithë duhet t’i dëgjojnë këshillat, kërkesat dhe rregullat e vendosura nga autoritetet, e të mos të dëgjojnë ata që bëjnë të kundërtën, të mos dëgjojnë një kategori njerëzish të papërgjegjshëm, të cilët fatkeqësisht nganjëherë marrin dhe hapësira publike ku bëjnë kërkesa të çmendura.

Për këta njerëz nuk kemi receta ligjore të shumta në dorë, receta e vetme e arsyeshme do të ishte për t’i çuar në spitale, të cilat në Shqipëri ende nuk i kemi. Prandaj është shumë e rëndësishme për qytetarët që as sa duhet të dëgjojnë autoritetet, aq sa duhet të dëgjojnë autoritetet shëndetësore, të dëgjojnë mjekët, të dëgjojnë Policinë, po aq duhet të refuzojnë, të izolojnë këta zëra të papërgjegjshëm të cilët synojnë të mbjellin rrëmujë dhe paqartësi mes qytetarëve.

Është fort e qartë që ne jemi përballë detyrës për të kufizuar, përpara zgjedhjes për të kufizuar shumë liri tonat. Lirinë e lëvizjes, lirinë e takimit, lirinë e grumbullimit e shumë liri të tjera, të cilat jo këtu, por në të gjithë botën po kufizohen në emër të nevojës për të mbrojtur jetën njerëzore, e cila prevalon në këtë situatë të pazakontë.

Forcat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritetet tjera shtetërore do ta vazhdojnë me intensitet të lartë angazhimin për të siguruar zbatimin e masave ligjore të ndërmarra tashmë. Lokalet mbeten një burim i rëndësishëm risku dhe kërkesa për të evituar grumbullimet e mëdha mbetet aktuale. Policia është e angazhuar për ta zbatuar me rigorozitet këtë kërkesë. Po ashtu kërkesa të ngjashme janë për pishinat, për plazhet, për vendet tjera të grumbullimit. Duhet të shmangim me çdo kusht përhapjen e virusit. Secili mund të bëjë diçka, secili mund ta ndërpresë një zinxhir përhapjeje dhe është më mirë ta ndërpresim kështu, sesa të mbërrijmë në dyert e spitaleve.

Gjithë sfida jonë sot është të parandalojmë valën dhe të ndërtojmë digë përballë spitaleve, në mënyrë që mos të mbingarkojmë tej mundësive spitalet. Kështu që është shumë e rëndësishme për qytetarët që të mbajnë dhe të bëhen palë me institucionet për të frenuar këtë valë përhapjeje të virusit.

E theksoj dhe përsëris edhe njëherë, virusi ka goditur tashmë moshat e reja, i ka goditur fatalisht në disa raste, edhe të rinj që nuk kanë pasur asnjë sëmundje tjetër shoqëruese. Kështu që mbetet shumë serioze thirrja dhe shumë e sinqertë kërkesa për bashkëpunim, për qytetarët dhe për të gjithë njerëzit e përgjegjshëm në këtë vend që të bëjnë durim, të bashkëpunojnë me organet përkatëse në mënyrë që të bëjmë më të mirën dhe të sigurojmë e garantojmë jetën e qytetarëve tanë,"-deklaroi ministri i brendshem.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ani: 23/07/2020 13:00

    Lleshaj ose ndryshe lloshaj ezhte nje palaco qe po fut ne kolaps ekonomine me masat qe ka marre qeveria e kryelloshit te tij

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PD proteston duke bllokuar rrugët kryesore në vend, si e vlerësoni?