Kreu i ILD, Artur Metani

Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon shkarkimin e prokurores së Dibrës Belina Zeneli, ILD: Ka zvarritur 10 çështje gjyqësore, nuk ka kryer verifikime për 300 kallëzime

20 Janar 2022, 14:15| Përditesimi: 20 Janar 2022, 14:34

  • Share

Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon shkarkimin e prokurores së Dibrës, Belina Zeneli. Sipas ILD-së, Zeneli ka zvarritur 10 çështje gjyqësore dhe ka cenuar besimin te drejtësia. Magjistratja, thekson ILD, ka zvarritur hetimet paraprake duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë dhe në dinamikë për periudha të gjata kohore të gjata, tej afateve procedurale dhe pa pasur arsye ligjore. ILD argumenton se nga veprimet e prokurores Belina Zeneli, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33  procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime.

Njoftimi i ILD

Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “shkarkim nga detyra” për magjistraten B.Z.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor, të nisur bazuar në ankesën e depozituar nga Prokurori i Përgjithshëm, duke ngritur pretendime për zvarritje të pajustifikuara të veprimeve procedurale për tre magjistratë, XH.M., B.Z. dhe R.K. me detyrë prokurorë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Nga hetimi disiplinor i kryer nga inspektorë të ILD, për prokurorët XH.M. dhe R.K., provat ishin të pamjaftueshme për të provuar kryerjen e shkeljes disiplinore, ndërsa hetimi ka vijuar për prokuroren B.Z.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në analizë të punës së kësaj magjistrateje në periudhën 2013-2021, provohet se:

- Nga ana e prokurores B.Z. janë ndërmarrë veprime dhe mosveprime, që përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve.

- Si pasojë e veprimeve e mosveprimeve të magjistrates, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33  procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime.

- Magjistratja ka zvarritur hetimet paraprake duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë dhe në dinamikë për periudha të gjata kohore të gjata, tej afateve procedurale dhe pa pasur arsye ligjore.

- Magjistratja ka kryer të njëjtën shkelje, gjatë periudhës kohore 2013 – 2021, duke bërë që shkelja të jetë vazhduese.

- Shkeljet proceduriale të kryera nga magjistratja, provohen të jenë kryer me dashje direkte. Kjo bazuar në formimin dhe eksperiencën e gjatë si prokurore, si dhe për faktin se për këto lloj shkeljesh, ndaj saj në vitin 2014 është dhënë masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

- Veprimet e magjistrates B.Z. kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cënuar imazhin e  organit të akuzës duke ulur besimin e publikut tek drejtësia.

a) Veprimet dhe mosveprimet e magjistrates B.Z. përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore "Shkarkim nga detyra", parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111, pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe neni 148/d, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
 

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?