Muzeu i Artit të Haifas, një nga më të rëndësishmit në Izrael, nga 11 shkurti i dedikon një hapësirë të veçantë veprës së Adrian Pacit. Ekspozita “Still voices” e artistit shqiptar, do të vendoset në një kat të tërë të muzeut, duke u ofruar vizitorëve një panoramikë të plotë të video instalacioneve që mbajnë firmën e tij. Rrugëtimi artistik nis me vendlindjen e artistit, pikërisht me instalacionin “Histori shqiptare”, të vitit 1997, e vijon deri tek “Endacakët” e vitit 2021.
Ndërsa boshti qëndror i ekspozitës retrospektivë do të jetë instalacioni “Fjalë të thyera” që ai realizoi në vitin 2018. Ky instalacion portretizon 5 refugjatë të intervistuar nga Paci pranë Bejrutit, pas arratisjes së tyre nga lufta në Siri. Historitë transmetohen në arabisht, dhe artisti i shfaq publikut vetëm momentet kur refugjatët ndalojnë së foluri.
Ai kërkon që ata të kuptohen përmes emocioneve që ata përcjellin.
Por, agjenda artistike e Pacit në Haifa do të zgjerohet edhe përmes aktiviteteve të tjera.
Kështu, në14 shkurt Instituti Italian i Kulturës, duke e konsideruar si një nga artistët më të mëdhenj bashkëkohorë organizon konferencën “Adrian Paci dhe Pier Paolo Pasolini, një vështrim i përbashkët”. Një takim që do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe regjisorit Italian, e ku do të diskutohet për burimet e përbashkëta të frymëzimit të dy artistëve.
Kjo, pasi konsiderohet se karriera e Pacit ka pika të forta frymëzimi prej ndjeshmërisë së Pasolinit. Ekspozita “Still voices” do të qëndrojë e hapur deri në 25 qershor.