Një vepër arti, imazh i rikonceptuar i mozaikut të muzeut historik kombëtar me 38 me speciet unike të Shqipërisë është instalacioni i vendosur së fundi në qendër të kryeqytetit që kërkon të dëshmojë se “po” Shqipëria është biodivesitet, por ky ekosistem duhet ruajtur.
Kjo është fushata më e madhe e realizuar nga dashamirësitë e ekosistemit për të dhënë mesazhin e të gjitha vlerave që mbart vendi ynë, por duhet t’i ruhemi rrezikut të zhdukjes së disa prej tyre.
“Për të thënë që Shqipëria ka shumëllojshmëri llojesh unike, jo vetëm për vendin tonë, por gjithë Evropën, ndoshta edhe globalisht dhe për t’i shfaqur ato në qendër të Tiranës ku krijohet dhe një lojë vizuale shumë interesante. Disa nga llojet që paraqiten dhe në Mozaik janë lloje si rreqebulli i Ballkanit me vetë katër individë të mbetur në vendin tonë, i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje, janë lloje si pelikani kaçurrel, lloje të tjera si ariu i murrmë.”- tha koordinatorja, Tea Zeqaj.
Orjana Çekrezi është vullnetare në këtë fushatë. Ajo tregon se angazhimi erdhi si përgjegjësi morale duke qenë se dhe individët janë pjesë e biodiversitetit.
“Pa njëri-tjetrin nuk bëjmë dot.”- tha vullnetarja, Orjana Çekrezi.
Në këto tri javë në sheshin “Skëndërbej” do të zbatohen fushata edukative të dedikuara për fëmijë të grupmoshave të ndryshme, si dhe aktivitete të ndryshme publike si diskutime, shfaqje filmash dhe performanca artistike.