“Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”. Këtë mesazh të George Bush për politikën ndërkombëtare gjatë vizitës në Tiranë në vitin 2007 , artisti Alban Muja e rikujton përmes një vepre të artit publik në kryeqytet.
Intalacioni “Enough is enough” i mbështetur nga “Harabel” u inaugurua në këtë 30 –vjetor, që përkon edhe me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, kjo vepër është edhe si një shenjë mirënjohje për mirëpritjen, që u bë gjatë eksodit të luftës në Kosovë nga shqiptarët.
Vepra në skulpturë e derdhur në hekur, si një urë lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Është e përbërë prej germave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 17.5 metra e gjatë dhe secila germë 1,8 metra e lartë.
Artisti Alban Muja "Enough is Enough" e prezanton në vazhdimësi të diskursit që ngre përmes punës së tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun.
Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA më 15 Mars 1991. 100 ditë më pas Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën ku ju rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës me SHBA, të cilën Sekretari Baker e përkufizoi: "Ne jemi me ju, ju jeni me ne”.