Instituti i Statistikave publikoi të dhënat zyrtare sipas të cilave çmimet u rritën me 5% në muajin korrik. Rritja më e madhe prej 10,8 % është vërejtur në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,2 %. Sezoni veror dhe fluksi i turistëve si duket kanë patur ndikimet e veta në shtrenjtimin e këtyre kostove.
Rritja e çmimeve vërehet në grupin “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,3 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,5 %, “Shërbimi arsimor” me 2,1 %, “Shëndeti” me 1,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1 % dhe “Komunikimi” me 1,0 %. Ndërkohë, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 7,1 %.
Sa i përket kontributit të grupeve, ndikimin më të madh e ka patur grupi “Ushqime dhe pije joalkolike” me 3.14 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Argëtim dhe Kulturë” me 0.74 pikë përqindje. Kontribut negativ ka dhënë vetëm grupi “Transporti” me 0.64 pikë përqindje.
Në krahasim me vendet e tjera të Europës, norma vjetore e rritjes së çmimeve në vendin tonë prej 5% në korrik rezulton të jetë e 11-ta më e ulët mes vendeve të BE-së, dhe nën mesataren e unionit, e cila fiksohet pranë 6.1%. Turqia dhe Hungaria vijojnë të raportohen si vendet me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë, prej 48% dhe 17.5% përkatësisht, pasuar nga Serbia me 12.4%.