Për herë të parë pas krizës së çmimeve, inflacioni në Shqipëri në muajin tetor ka rezultuar më i lartë se ai i Evropës.
Sipas Indeksi të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, i matur me metodën e Eurostat, inflacioni në muajin tetor ishte 4.7%, dhe jo 3.8% sa tregonin matjet e INSTAT, duke u rritur për herë të parë më shumë se inflacioni në Evropë. Sipas raportit inflacioni në Evropë për muajin e kaluar ishte në vlerën 3.6%.
Inflacioni në muajin e kaluar është përshpejtuar nga shtrenjtimi i ushqimeve, qirave dhe bareve e restoranteve.
Ndërsa në raport me vitin 2022, në raport thuhet se ndikim në rritjen e inflacionit kanë dhënë të gjitha kategoritë përveç transportit, pasi çmimi i naftës në bursë është në rënie. Rritja më e madhe e çmimeve në raport me vitin e kaluar është regjistruat tek grupi i argëtimit dhe kulturës me 8,5% ndjekur nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,8%, apo “Shërbimi arsimor” me 5,0%.
“Rritja më e madhe e çmimeve prej 8,5 % vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,8 %, “Shërbimi arsimor” me 5,0 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,4 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2 % secili, “Shëndeti” me 1,5 %, “Komunikimi” me 1,0 % dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,5 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,5 %”, thuhet në raport.
Shqipëria për muajin tetor renditet mes 12 shteteve me inflacionin më të lartë në Evropë.
Që prej nisjes së krizës, vendi klasifikohej me normë inflacioni më të ulët se vendet e BE, por situata ka ndryshuar, dhe shkak për këtë janë faktorët e brendshëm.
Banka e Shqipërisë thotë se rritja e pagave e kushtëzuar prej mungesës së punonjësve, si dhe rritja e kostove të prodhimit po mbajnë të lartë inflacionin bazë, ndërkohë që presionet e tregjeve të huaja janë në rënie. Po ashtu ndikim në nivelin e lartë të inflacionit sipas Bankës qendrore po jep edhe kërkesa e lartë për mallra e shërbime, që e tejkalon ofertën.