INSTAT për eksportet: Pandemia e tkurri tregtinë me 9%, rënia më e madhe tek tekstilet dhe energjia

18 Janar 2021, 17:55| Përditesimi: 18 Janar 2021, 18:19

  • Share

Viti 2020 është mbyllur me rënie të ndjeshme të tregtisë krahasuar me 2019. Gjatë vitit që lamë pas kemi eksportuar 272 mld lekë duke pësuar një rënie prej 9% në raport me 2019, kur u eksportuan 299 miliardë lekë.

Edhe importet janë tkurrur por në nivel më të ulët, pasi në fund të dhjetorit raportohet për një nivel të importit në vlerën e 605 miliardë lekëve, me një rënie prej 6.8% pasi në 2019 kishim importuar 649 miliardë lekë.

Në këto kushte kur tregtia ka pësuar rënie edhe deficiti tregtar ishte më i ulët. Nga 350 miliardë që ishte në 2019 në fund të vitit të kaluar ishte në nivelin e 333 miliardë lekë.

Ndikimin kryesor në rënien e eksporteve e ka dhënë grupi i tekstileve dhe këpucëve (fasoneria) që janë tkurrur me 5.3% si pasojë e mungesës së aktivitetit të modës në vendet me të cilat Shqipëria ka marrëdhënien më të madhe tregtare. Po ashtu rënie është regjistruar edhe në import me 1.8%.

Në vitin 2019 energjia elektrike është konsideruar si shkak për rënien ekonomike, kurse në 2020-ën Shqipëria ka ulur më 3,5% importin e saj, duke mos krijuar faturë financiare për buxhetin e shtetit. Kjo rënie e kërkesës për të importuar energji lidhet edhe me faktin që bizneset u futën në karantinë dhe ulën konsumin.

Ndërsa në vitin e pandemisë vendi ka eksportuar më shumë materiale ndërtimi e metale, makineri e pjesë këmbimi si dhe ushqim e pije, duhan.  Gjatë vitit 2020 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, janë: Gjermania, Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Ndërsa vendet me të cilat ka pasur rënie janë Italia, Kosova dhe Spanja.

 

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?