Ekonomia ka vijuar rikuperimin edhe në tremujorin e tretë të vitit e ndikuar më së shumti nga sezoni turistik.INSTAT raporton se në tremujorin e tretë të vitit Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 6.99% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë si 9 mujor pra janar-shtator rritja ekonomike rezulton mbi pritshmëritë e institucioneve konkretisht me 10.1%, në raport me vitin e kaluar.
Sipas raportit kontributin më të madh pozitiv në rritjen ekonomike e ka dhënë turizmi më 2.41%, ndjekur nga industria, energjia dhe uji me 1.03%, administrata publike me 0.83%, aktivitetet financiare me 0.60%, Taksat Neto +1,30% etj.
Negativisht në rritjen ekonomike kanë kontribuar Aktivitete profesionale -0,23%, Arte, argëtim dhe çlodhje -0,05%. Ndërsa tre degët kryesore të ekonomisë kanë qenë aktivitetet financiare dhe të sigurimit me rritje 27,71% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregtia transporti dhe hoteleria me rritje prej 13,76 si dhe taksat neto me + 10,37%.
Rikuperimi ekonomik këtë vit ishte i pritshëm, pasi Shqipëria ndryshe nga shumë vende të rajonit dhe të Evropës, nuk aplikoi masa të rrepta anti-COVID, dhe përgjatë sezonit veror, ishte në fuqi vetëm ora policore, ndërsa në kufi nuk kishte kufizime për turistët.
Tremujori i katërt i vitit është vendimtari për të pasur rritjen e saktë të ekonomisë këtë vit. Sakaq parashikimet e institucioneve vendase dhe të huaja është që ekonomia e Shqipëri të rritet deri në 7.8%.