Në tetëmujorin e vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 200 mld lekë, duke u ulur me 2,5 %, krahasuar me një vit më pare, ndërkohë që importet e mallrave arritën vlerën 429 mld lekë, duke u rritur me 3,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 229 mld lekë, duke u rritur me 8,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018, njoftoi sot Instituti i Statistikave.
Sipas INSTAT-it, rënia vjetore e eksporteve prej 2,0 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -9,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +9,1 pikë përqindje. “Produkte kimike dhe plastike” me +2,1 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje.
Vetëm në muajin gusht, eksportet e mallrave arritën vlerën 20 mld lekë, duke u ulur me 2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 27,8 %, në krahasim me Korrik 2019. Importet e mallrave arritën vlerën 52 mld lekë, duke u rritur me 6,8 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 13,7 %, në krahasim me Korrik 2019. Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 mld lekë, duke u rritur me 13,3 %, krahasuar me Gusht 2018.
Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kina (18,1 %), Greqia (8,4 %) dhe Turqia (7,2 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-5,5 %), Gjermania (-9,6 %) dhe Rusia (-17,5 %).
Në Gusht 2019, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70,8 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,4 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (24,9 %), Kina (7,8 %), Gjermania (7,0 %) dhe Turqia (6,9 %).