Rithemelimi ka akuzuar edhe njëherë kryeministrin Rama për instalacionin që do të vendoset në oborrin e brendshëm të kryeministrisë. Sipas zëdhënëses së Rithemelimit, Floriana Garo instilacioni është një tallje e hapur për shqiptarët por edhe vjedhje pasi sipas saj janë shpërndoruar 4 milionë euro për të. Edhe pse kryeministri Rama e ka sqaruar më herët, Rithemelimi ende e cilëson si vjedhje nga ana e qeverisë gjithë projektin
“Katër milionë euro nga taksat tuaja do të kushtojë një instalacion, që do të vendoset në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë. I mbiquajtur “kopështi i Parajsës”, përveç kostos së pajustifkuar, është edhe një tallje e hapur me shqiptarët.
Për kujtesë, ajo që Rama e quante “Pakoja e madhe” dhe do të ndahej mes 1 milionë shqiptarëve, ka nxjerrë nga arka e shtetit 8 milionë euro. Për një kopësht që e sheh vetëm kryeministri dhe grupi i afërt i tij, rreth 20 vetë në ditë, janë derdhur 4 milionë euro.
E kemi thënë e stërthënë, se Edi Rama jeton në një botë paralele, ku nuk ka shqiptarë. Kryeministri normal i një vendi normal nuk do të shpenzonte kurrë 4 milionë euro për një instalacion, një tekë të vetën, të cilën ai do ta fotografojë dhe postojë në rrjete sociale si Rilindje urbane.
Kryeministri normal i një vendi normal, nuk do ta luftonte inflacionin me një paketë 8 milionë euro dhe gjysmën e kësaj shume ta shpenzonte për pasditet e tij dhe të stafit, nën hijen e pemëve kacavjerrëse. Kryeministri normal i një vendi normal, gjëja e fundit që bën janë shpenzimet e luksit, aq më shumë kur në 10 vitet e menaxhimit të shtetit, i ka ikur nga atdheu 1/3 e popullisë. Kryeministri normal i një vendi normal, nuk e ndan shtetin me të njëjtët oligarkë, si ata, me të cilët bën rrugë, kopshte fëmijësh apo kopështe lulesh, sic e dëshmon edhe “Parajsa” që ka vendosur të bëjë në oborrin e tij, me Fushën e përhershëm, të abuzimeve të zakonshme.
Kryeministri normal i një vendi normal nuk e trajton arkën e shtetit, pasurinë e përbashkët të qytetarëve si konton e vet personale. Kryeministri normal i një vendi normal, e ndërton shtetin nga brenda dhe nuk e vesh nga jashtë me lajle lulet e kotësisë. Ky nuk është shtetndërtim, por mumifikim. Shqipëria nuk mund t’i lihet më gjatë Edi Ramës. Ai ka humbur në kopshtin e harlisur të lajthitjeve të veta.
Shqipërisë duhet t’i dalim zot, sepse ajo nuk është as e një partie dhe as e një njeriu, është e të gjithë shqiptarëve !”- tha Garo.
Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave të opozitës se në kohë krize kanë ndërtuar në kryeministri një instilacion me vlerë 3.7 milion euro. Rama tha se qeveria nuk ka shpenzuar asnjë lloj qindarke për instalacion, por bëhet fjalë për një projekt energjie të rinovueshme që do shtrihet në të gjitha institucionet.