Instituti i Arkeologjisë konferencë për kërkimet në pandemi, Muka: 2021-shi rikthim i rëndësishëm, shënuam 30 projekte! Zbulimet do i shërbejnë identitetit kombëtar

15 Prill 2022, 22:05| Përditesimi: 15 Prill 2022, 22:15

  • Share

E premtja shënon një ditë bilancesh në Muzeun Arkeologjik. Instituti i Arkeologjisë, mbledh 3 breza studiuesish, në një konferencë shkencore ku përgjatë 8 orëve, shpalosen rezultatet e kërkimeve arkeologjike, mes sfidave të pandemisë.

“Ky sesion ka në thelb rezultatet e gërmimeve arkeologjike për vitin 2021, por mbledh brenda vetes për shkak të pandemisë edhe dy vitet paraprakë, kur ne patëm një aktivitet shumë të kufizuar në terren me ekspeditat arkeologjike... Ndaj, ishte një rikthim i rëndësishëm në terren 2021-shi ,sepse krahas projekteve studimore, të cilat vijuan edhe gjatë periudhës së vështirë, por edhe me kërkimet e vitit që shkoi, arritëm diku tek rreth 30 projekte paralelisht, në terren, në laboratorë studimore etj”, shprehet arkeologia e drejtorja e Institutit të Arkeologjisë, Belisa Muka.

Kërkime në fushën e Prehistorisë, të Antikitetit, Mesjetës etj., bëjnë bashkë studiues të huaj e vendas, që vijojnë bashkëpunimin prej më shumë se tre dekadash.

“Është një histori që nis me ndërkombëtarizimin e kërkimeve albanologjike që mbas viteve ’90.  Ne kemi disa bashkëpunime të cilat vazhdojnë për një periudhë të shtrirë kohore thuajse në tre dekada tashmë. Por kemi dhe bashkëpunime të reja. Gjithmonë e theksoj edhe si arkeologe, që janë interesa të përbashkët shkencorë që na bashkojnë”, shton më tej.

Vetë arkeologia Belisa Muka, është e përfshirë edhe në ekspeditat arkeologjike të viteve të fundit në Apolloni, Butrint e Finiq.

“Po së bashku me kolegë, në rastin e Apolonisë me kolegë francezë, në rastin e Butrintit dhe Finiqit janë kolegë të universitetit të Bolonjës. Bashkëpunojmë prej vitesh në kërkime që shtrihen në zonat të caktuara të qyteteve respektivë. Sigurisht që ka objekte të bukura. Por ajo që është më e rëndësishme, ka faza më të qarta historike , ka njohje më të mirë të vendbanimeve për të cilat ne interesohemi dhe mbi të gjitha ka struktura të cilat ne i njohim më mirë. Ka shkolla terreni në të cilat formohen studentë arkeologë të rinj që nesër do të marrin stafetën. Ka dhe ka botime që përmbyllin një cikël të rëndësishëm të kërkimeve  në terren”

Ndonëse zbulime të dekadës së fundit janë të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik, Akademia e Studimeve Albanologjike po planifikon të rifreskojë stendat.

“Ne kemi hartuar një plan pune mbi të cilin do të mbështetet pastaj edhe strategjia e mëpasshme e rinovimeve të caktuara të përditësimit të materialit për ato periudha që janë më pak të përfaqësuara, apo për ato vendbanime që janë më pak të përfaqësuar në Muze”

Mes punës në terren, punës restauruese e asaj studimore, kërkimet arkeologjike, të lidhura me historinë e hershme të popullsisë vendase, kërkojnë financim.

“Është një disiplinë e cila kërkon mbështetje. Mbështetje të rregullt dhe mbështetje të rëndësishme. Solide në kohë, kështu që në çdo rast është vështirë të jetë e mjaftueshme kjo mbështetje për kërkimet arkeologjike, të cilat janë ato kërkime që ngrënë themelet e identitetit tonë kombëtar”, shton më tej Muka.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?