Flamuj të BE

Opinion

Integrimi me unanimitet duhet të zëvendësohet nga shumica e cilësuar

23 Qershor 2021, 08:52| Përditesimi: 23 Qershor 2021, 08:53

  • Share

Kanë kaluar 18 vite nga Samiti i Selanikut, në të cilin shtetet anëtare të BE shprehen me vullnetin e tyre se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

Kanë kaluar 3 vite që nga 2018, kur Komisioni Evropian i rekomandoi Këshillit çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Këshilli vendosi në mbledhjen e 19 Qershorit 2019 për të mos e shtyrë vendimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë përtej Tetorit 2019.

Më pas, në 15 Tetor 2019 Këshilli vendosi që ta shqyrtonte çështjen e hapjes së negociatave pas samitit të Këshillit Evropian në Tetor.

Këshilli Evropian në 17-18 Tetor vendosi që çështjen e zgjerimit ta diskutojë para samitit të BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb (Maj 2020).

Në 24 Mars 2020, ministrat e BE ranë dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendim i cili u mbështet nga Këshilli Evropian në 26 Mars 2020.

Në 22 Qershor ministrat e BE nuk ranë dakord për datën e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Duket sikur koha në Bruksel ka ecejaket e veta jo lineare, ku perspektiva shtrihet me dekada dhe marrja e nje vendimi për të filluar bisedime zgjat me vite. Për më tepër, edhe pse parimi i negociatave thuhet se është “merita”, u pa që në fakt “çiftëzimi” (coupling) u bë një kriter i ri.

Nëse zgjerimi është prioritet, atëherë ai nuk duhet të zhvendoset nga agjenda Evropiane sa herë ka çështje të reja. Strategjia e besueshme e zgjerimit e Ballkanit Perëndimor duhet të ndryshohet jo vetëm nga aspekti i metodologjisë së vlerësimit të shteteve të asociuara, por edhe të rishikohet nga pikëpamja e mekanizmave të vendimmarrjes së BE.

Ndoshta ka ardhur koha që unanimiteti në çështjet e negociatave, hapjes dhe mbylljes së kapitujve, të zëvendësohet nga shumica e cilësuar, duke evituar kështu ngadalësimin që mund të shkaktohet nga interesat individuale të shteteve të caktuara anëtare.

Ndërkohë që presim që lidershipi i shteteve anëtare të ketë një reagim për këtë vendim, një gjë është e qartë, se Shqipëria nuk heq dorë as nga rrugëtimi i saj Evropian e as nga reformat ndaj vetes.

PS: Nëse deshuroni të shprehni një mendim lidhur me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ju ftoj të bëheni pjesë e platformës “DebatingEurope”. Një platformë interesante për të diskutuar ide. Unë ju përgjigja disa pyetjeve aty për aty ne kete interviste te shkurter, por debati dhe diskutimet duhet të vazhdojnë për të rritur ndërgjegjësimin dhe presionin qytetar në këtë proces.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?