Diskutimi për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian ‘IPA 3’, nisi me ironi dhe vijoi me debate në Komisionin e Integrimit. Ilir Beqaj, në cilësinë e koordinatorit kombëtar të programit NIPAK, prezantoi risitë e marrëveshjes për mbështetje financiare që i vjen në ndihmë vendit tonë në proceset integruese drejt Bashkimit Europian.
“Qeveria shqiptare ka rënë dakort të zbatoj përjashtimin nga TVSH dhe jo rimbursimin më pas. Kusht nga Komisioni europian. Pastaj janë marrëveshjet vjetore.”
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida tabaku, kërkoi informacione konkrete, lidhur me fondet e përfituara deri më tani nga BE. Opozita shprehu shqetësim se fondet e BE po menaxhohen nga Kryeministria.
Tabaku: Është e shqetësuar dhe BE kam shkresat për këtë!
Beqaj: Nuk ka shqetësim…
Më herët në Komisionin e Ekonomisë, ku u diskutua e njëjta marrëveshje, Beqaj tha se qeveria po punon që vendi ynë të përfitojë më shumë fonde nga Bashkimi Europian
“Në dispozicion 2 mln euro për t’i ardhur në ndihmë institucioneve hartuese të projekteve. Në total është miratuar fondi 1 milion euro për t’u dizbursuar. Deri më tani janë transferuar 450 000 euro. Shqipëria është pritëse e kërkesave për bashkëpunim nga institucionet Italiane apo Greke. Rrallë herë jemi lider të projektit . Kjo është pika ku duhet të bëjmë një ndryshim thelbësor nëse duam të përthithim edhe më shumë fonde.
Pas miratimit sot të marrëveshjes IPA III nga Kuvendi, do të nisë dhe disbursimi i fondeve nga programi IPA 3, që ka një afat deri në vitin 2027. Fillimisht pritet miratimi i IPA 2021 me rreth 65 milion euro dhe në 6 tetor nga Brukseli pritet të miratohet edhe IPA 2022, me një fond 79 milion euro.