Moment nga mbledhja te Komisioni për Çështjet Evropiane dhe Integrimin

Politikë

Komisioni i Çështjeve Europiane ‘pro’, në Shqipëri do hapet dega e Bankës Europiane të Investimeve! ‘Paketa e Maleve’ miratohet vetëm me votat e PS

10 Mars, 11:43| Përditesimi: 10 Mars, 13:08

  • Share

Komisioni i Çështjeve Evropiane ka miratuar unanimisht marrëveshjen për hapjen e degës së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri. Hapja e kësaj përfaqësie në vend sipas mazhorancës është me rëndësi thelbësore për integrimin e vendit në BE, ndërsa për opozitën është dëshmi e mungesës së besimit tek institucionet vendase.

“Hapja e një zyre të BEI në Shqipëri është gurë themeli për integrimin e vendit”, tha Endrit Yzeiraj zëvendësministër i Jashtëm.

“BEI po vjen për të ndaluar abuzimet me fondet e BE, sepse shpërdorimi i fondeve të IPARD është njollë e madhe për institucionet shqiptare”, u shpreh Jorida Tabaku.

“BEI ka treguar aftësi besimi për Shqipërinë sepse ka dhënë një sërë kredish, por meqë po i afrohemi BE edhe BEI duhet të jetë për menaxhimin specifik të planit të rritjes”, përgjigjet zëvendësministri.

Banka Evropiane është organ i Bashkimit Evropian do të menaxhojë fondet, në kushtet kur vendi pritet të përfitojë me 922 miliona euro nga plani i rritjes së BE, pjesa më e madhe kredi por edhe grante.

Po ashtu komisioni i ka dhënë dritën jeshile edhe Paketës së Maleve që synon shitjen e tokave shtetërore që kanë një posedues me tarifën simbolike 1 euro të tokave tokat shtetërore me qëllim zhvillimin e maleve për tu kthyer në pika turistike.

“Kush ngre duart për këtë projektligj ta mbyllë gojën për korrupsionin. Është nismë e kërkuar dhe korruptive”, tha Tabaku.

Kjo nismë e cila më herët u bllokua nga KQZ por që vendimi i Celibashit u rrëzua nga KAS sipas qeverisë do të fuqizojë ekonomikisht zonat malore. Nga kjo paketë planifikohet të jenë 500 përfitues, të cilët do të bëjnë biznes pa taksa për 10 vite.

Ora 13:04
Tabaku në Komisionin e Çështjeve Europiane: ‘Paketa e Maleve’ shkel ligjin, favorizon abuzimet me pronën! Skemë për të shpërblyer klientët politikë

Jorida Tabaku, sot në mbledhjen e Komisionit të Çështjeve Evropiane

Gjatë debatit të sotëm në Komisionin e Çështjeve Europiane, kryetarja dhe njëkohësisht deputetja e PD-së Jorida Tabaku e cilësoi "Paketën e Maleve" si një ligj të pastër klientelist dhe antikushtetues, i cili shkel hapur parimet e një tregu të lirë dhe konkurrues.

"Ju sot po sillni një projektligj që bie ndesh me vetë ligjet që keni miratuar në vitin 2020 dhe me parimet e prokurimit publik që kërkojnë transparencë dhe garë të hapur. Ky nuk është as integrim europian, as reforma që na çojnë përpara – ky është një ligj i pastër korruptiv!" – u shpreh Tabaku.

Ajo akuzoi mazhorancën për krijimin e një skeme të re për të shpërblyer klientët politikë në prag zgjedhjesh, duke shpërndarë prona publike pa asnjë mekanizëm kontrolli.

"Pse një qytetar nga diaspora nuk mund të marrë pjesë në këtë proces? Pse prona u jepet atyre që e kanë zaptuar për 10 vjet dhe jo nëpërmjet një gare të hapur? Kjo nuk është as reformë, as zhvillim ekonomik – kjo është legalizim i vjedhjes dhe favorizim i klientëve tuaj!" – tha ajo.

Deputetja demokrate theksoi se ky ligj bie ndesh me angazhimet e qeverisë për negociatat me BE, veçanërisht në kapitullin 5, ku flitet për garantimin e klimës së biznesit, investimeve të huaja dhe ndalimin e përjashtimeve me ligj.

"Ju vetë keni deklaruar se do të hiqni dorë nga përjashtimet me ligj, por sot vini dhe sillni një projektligj që pikërisht krijon përjashtime. Ky nuk është integrim europian, kjo është hipokrizi politike!" – tha Tabaku.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për fuqinë e pakufizuar që ky ligj i jep pushtetit vendor në përcaktimin e zonave të veçanta të zhvillimit, duke theksuar mungesën e një mekanizmi kontrolli.

"Kush do të bëjë kontrollin? Çfarë roli ka KLSH? A ka këtu transparencë? Apo thjesht po i varni një kumbonë në qafë pushtetit vendor për të larë duart?" – deklaroi Tabaku.

Ajo ka paralajmëruar se ky ligj është një përsëritje e skemës klienteliste të Korporatës së Investimeve, që në fillim u mohua, por më pas doli se ishte një ligj me porosi.

"Ky është një ligj që shkel çdo normë të shtetit të së drejtës dhe të ekonomisë së lirë. Me këtë ligj ju po e bëni Shqipërinë një vend ku prona shtetërore shpërndahet me vendime politike dhe jo me rregulla të qarta dhe të drejta. Kjo nuk është as reformë, as zhvillim – është kapje e shtetit!" – përfundoi ajo.

Ora 12:25
Çështjet Evropiane/ Komisioni miraton vetëm me votat e mazhorancës projektligji ‘Paketa e Maleve’, i kalon Kuvendit për seancë

Komisioni i Çështjeve Evropiane është mbledhur sot (10 mars) për të diskutuar disa çështje në rendin e ditës, mes tyre miratimi i hapjes së zyrës së re të Bankës Evropiane të Investimeve, por edhe Paketa e Maleve.

Pak ditë pasi KAS rrëzoi KQZ për bllokimin e projektligjit të Paketës së Maleve, ditën e sotme, vetëm me votat e mazhorancës, u miratua ky projektligj, i cili pritet t’i kalojë Kuvendit për seancë plenare, diskutim dhe miratim.

Komisioni e ka miratuar projektligjin “Paketa e Maleve’ vetëm me votat e mazhorancës.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mara emigrante ne Itali: 10/03/2025 12:07

    O jozhele per te ndaluar investimet nuk ka nevoje qe te hapet ne Shqiperi moj antishqiptare e thekur , vetem me nje te rene te lapsit i pengojne atje ku jane .Hajdutet therasin kapni hajdutet , farina e ka drejtesia qe komandohet nga persona te saliut .Banka per zhvillim vjen se Shqiperia eshte nje vend i sigurt dhe me nje zhvillim gradual dhe te qendrueshem , dhe kjo tregon se qeveria shqiptare po punon , jo si ju kur qeverisnit qe e kthyet ne rrumpalle ku dhisnin te gjithe .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?