Politikë

‘Kam qenë në tension’/ Rama flet për negociatat me BE: Shqipëria konsiderohet surprizë, kryeministri i Holandës dhe Danimarkës më thanë jeni ‘On Top’

19 Prill, 09:30| Përditesimi: 19 Prill, 09:52

  • Share

“Thanë administrata, administrata – të gjithë hajdutë! Por realiteti është ndryshe”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në episodin e fundit të podkastit “Flasim”, teksa foli me vlerësim për performancën e administratës shqiptare në procesin e screening-ut me Bashkimin Europian.

Në këtë episod, të titulluar “Katër UFO në vendin e shqiponjave”, Rama kishte të ftuar katër të rinj të kthyer nga jashtë vendit, që sot mbajnë poste drejtuese në qeveri: Florian Semani, zëvendësministër i Financave, Blerina Abrazhda, zëvendësministre e Mbrojtjes, Andi Memeti, zëvendësministër i Financave dhe Erinda Aliaj, eksperte e teknologjisë në Kryeministri.

Pas rrëfimeve të tyre se përse vendosën që të kthehen në Shqipëri, Rama u ndal te përgatitja dhe kualifikimi i administratës, veçanërisht në kuadër të negociatave me BE-në. Ai theksoi se është koha të ndryshohet narrativa e përgjithshme ndaj punonjësve të shtetit. Rama tha se ka qenë në tension kur nisi procesi i screening, por më pas thotë se u përball me një realitet tjetër.

“Padiskutim që administrata ka hijet e veta, por unë vetë kam pasur më shumë stres nga hijet e administratës se sa kam pasur mjaftueshëm motivim për t’i dalë për zot. Por kjo është përmbysur komplet kur kemi bërë screening. Të gjithë bashkëpunëtorët e dinë shumë mirë që thosha e kam pasur si gozhdë çfarë do të ndodhë në orën e së vërtetës. Ora e së vërtetës për mua ishte kur negociatat do të fillonin me të gjithë diagnozën e shtetit shqiptar, ku faktikisht janë 1000 vetë nga ana andej dhe 100 vetë nga ana këtej që ulen përballë njëri-tjetrit me 36 grupe. Dhe që i hyjnë deri në qelizë shtetit shqiptar. Aty ka shumë rëndësi si e luan ti pjesën tënde”, tha Rama.

Kryeministri solli edhe disa vlerësime konkrete nga liderë europianë për këtë proces.

“Kryeministri i Holandës më tha: ‘Po dëgjoj shumë fjalë të mira për ekipin shqiptar’. Kryeministri i Danimarkës u habit dhe pyeti: ‘Çfarë ka ndodhur me administratën tuaj? Jeni on top!’. Edhe kryeministri i Spanjës vuri re seriozitetin. Dhe kur procesi hyri më thellë, u tha qartë: Shqipëria është surpriza. Administrata shumë e përgatitur, negociatorët të saktë në çdo aspekt.”

Këto vlerësime, sipas Ramës, janë një tregues i përpjekjes së vazhdueshme për modernizimin e shtetit.

“Nuk kemi pse ta fshehim se ka edhe hije në administratë, por të përgjithësojmë duke i quajtur të gjithë hajdutë është padrejtësi. Ky proces e tregoi se kemi njerëz të përgatitur që dinë të përfaqësojnë Shqipërinë denjësisht”, përfundoi Rama.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?