Kryeministri Edi Rama tha gjatë një konference për shtyp se nëse Bullgaria do të vijojë që të vendosë veton kundrejt Maqedonisë së Veriut sa i përket integrimit, qeveria shqiptare do të kërkojë ndarjen.
'Jemi në një faze absurde të bllokimit të Maqedonisë nga Bullgaria. Kemi kërkuar një opinion nga qytetarët nëse ata do ta mbështesnin një qasje të re të politikës sonë të jashtme. Që do të thotë se nëse në fund të qeverisjes franceze, dmth 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm Bullgaria të vendos të bëjë veton, do të fillojmë që të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut. Është vendim me peshë në një natyrë strategjie.'- tha Rama.
Në lidhje me këtë proces, kreu i qeverisë tha se do të ketë edhe një konsultim me qytetarët, përmes nismës për Këshillimi Kombëtar për Shqipërinë.
Megjithëse Bullgaria ishte nën presionin ndërkombëtar për të zhbllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sërish ato konfirmuan veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Madje i kërkoi zyrtarisht Shqipërisë që të shkëputet nga Maqedonia e Veriut, për procesin e Integrimit drejt Bashkimit Evropian. Ambasadori i Bullgarisë në BE, Rumen Aleksandrov, tha se Shqipëria duhet të vlerësohet e pavarur nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj.
Aktualisht, procesi i dy shteteve është i lidhur së bashku dhe vetoja e Sofjes ndaj Shkupit bllokon edhe fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE edhe me Shqipërinë. Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka vendosur veto ndaj Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin. Sofja pranon gjuhën dhe identitetin maqedonas, por vetëm pas vitit 1945, para kësaj periudhë, ato, sipas saj, kanë pasur “rrënjë bullgare”.