Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të kryesojë delegacionin shqiptar, në konferencën e pestë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, e cila pritet të mbahet në Bruksel të enjten (22 maj).
Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për hapjen e grupkapitullit të tretë "Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse"
Ky grupim i tretë përfaqëson rritjen gjithpërfshirëse për mirëqënie dhe përfshin tetë fusha ose kapituj:
Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media)
Kapitulli 16 (Tatimet)
Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare)
Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi)
Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale)
Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi)
Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura)
Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor)
Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit. Me këtë vendim janë hapur deri tani negociatat gjithsej për 27 fusha (kapituj dhe kritere) në vetëm tetë muaj, pas hapjes me sukses të Grupimit 1 (Themeloret) më 15 tetor 2024, Grupimit 6 (Marrëdhëniet me Jashtë) më 17 Dhjetor 2024, si dhe Grupimit 2 (Tregu i Brendshëm) më 14 Prill 2025. Ky ritëm i përshpejtuar i çeljes së negociatave reflekton si përkushtimin e Shqipërisë ndaj reformave, ashtu edhe theksin e ripërtërirë të BE-së mbi zgjerimin si një prioritet strategjik.
Përfundimi me sukses i këtyre negociatave pritet të sjellë përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve shqiptarë, si shërbime publike më të thjeshta dhe transparente, politika tatimore më të drejta të prirura për t'u bërë pjesë e tregut të vetëm të BE-së, mbrojtje më të forta për punëtorët dhe vende pune më të sigurta. Kjo krijon mundësi për bizneset shqiptare që të rriten dhe të përgatiten për të konkurruar për më shumë mundësi në tregjet evropiane, dhe në të njëjtën kohë të rrisë normat e rritjes së Shqipërisë duke e transformuar këtë rritje në më shumë mirëqenie dhe kushte më të mira jetese, ndërkohë që u jep të rinjve akses më të madh në arsimin, bursat, mundësitë e kërkimit dhe programet e trajnimit të BE-së.
Ky vendim e çon Shqipërinë më pranë realizimit të vizionit të Shqipërisë 2030, ku përfitimet dhe rezultatet e integrimit në BE mund të aplikohen direkt në jetën e përditshme, me shërbime më të mira, me më shumë mundësi mirëqënie dhe me një vend më të fortë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë. Ky vendim paralelisht nënvizon angazhimin e BE-së për një proces për një proces zgjerimi të bazuar mbi merita, që shpërblen reformat dhe përparimin e konfirmuar.
Konferenca e Katërt Ndërqeveritare u mbajt më 14 Prill në Luksemburgu, ku u hap grupkapitulli për tregun e brendshëm. Në tetor të 2024-ës, gjatë kohës që Hungaria mbante presidencën e BE, u hap grupkapitullin e parë dhe më të rëndësishëm, kapitujt “Themelorë”, që prekin drejtësinë, administratën e shtetin e së drejtës.
Komente
