Politikë

Presidenti i PE, Sassoli: BE të mbajë premtimet, Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e saj! Me integrimin e rajonit sigurohet qëndrueshmëria dhe paqja

6 Qershor 2021, 10:09| Përditesimi: 6 Qershor 2021, 13:41

  • Share

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka bërë thirrje për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke thënë se zgjerimi i BE do të ishte pozitiv për paqen dhe prosperitetin të rajonit. Megjithatë për Sassolin se sa shpejt këto vende mund t'i bashkohen BE-së varet edhe nga përmbushja e kritereve të pranimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha si për rajonin ashtu edhe për Evropën. Ndihmon në sigurimin e një kontinenti të qëndrueshëm, të begatë dhe paqësor. Reformat duhet të përfundojnë ende në secilin prej këtyre vendeve, por Bashkimi Evropian duhet gjithashtu të mbajë premtimet e tij dhe të njohë progresin", tha Sassoli për mediat gjermane.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën gjermane 'Bild', tha se BE ka thyer premtimet e saj dhe po  krijon një përçarje në popujt e Ballkanit me ‘cinizëm politik’. Historia e hapjes së negociatave, tha Rama, është bërë si historia "Duke pritur Godonë, vetëm flitet, por asgjë nuk ndodh!”.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidatë zyrtarë për të nisur negociatat me BE, por procesi është bllokuar për shkak të vetos që Bullgaria vuri vitin e kaluar për Maqedoninë e Veriut mbi një mosmarrëveshje të gjuhës dhe historisë.

Bullgaria akuzon Maqedoninë e Veriut për "vjedhjen e historisë" dhe kërkon që Shkupi të pranojë se si identiteti ashtu edhe gjuha e saj janë bullgare.

Mbajtja e premtimeve nga ana e Bashkimit Evropian ishte një mesazh i dhënë në Tiranë edhe nga ministri për Evropën i vendit më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, Michael Roth. Për Gjermaninë përcaktimi i datës së konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat të BE-së me Shqipërisë duhet të merret sa më shpejt pasi Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Dy ditë më parë edhe qeveria holandeze i dha 'dritën jeshile' negociatave të Shqipërisë me BE-në duke kërkuar sa më parë një datë për Konferencën Ndërqeveritare. Holanda prej vitesh është një prej atyre shteteve më skeptike dhe ka penguar hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por duket se më në fund ka vlerësuar përparimet e reformave në Shqipëri dhe se tashmë janë krijuar kushtet për hapjen e negociatave.

Çështja e përcaktimit të një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian pritet që të vendoset më 22 qershor. Deri tani Komisioni Evropian vijon që të apelojë Këshillin që ta përcaktojë sa më shpejt të jetë e mundur këtë datë. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?