Bota

Inteligjenca izraelite: Irani nuk e ka larguar uraniumin e pasuruar nga objektet bërthamore që goditi SHBA, mund të jetë ende nën rrënoja

12 Korrik, 11:58| Përditesimi: 12 Korrik, 12:06

  • Share

Pothuajse çdo dy ditë del një episod i ri mbi pasojat e sulmit të ndërmarrë nga Izraeli dhe SHBA në Iran.

Një burim i shërbimeve izraelite të inteligjencës deklaroi të enjten për agjencinë Reuters se uraniumi i pasuruar nuk ishte zhvendosur nga objektet e Fordow, Natanz dhe Isfahan, të gjitha në shënjestër të ofensivës së fundit. Kjo do të thotë se materiali ndodhet ende nën rrënojat e shkaktuara nga shpërthimet.

I njëjti burim shtoi se Teherani ka ende në dispozicion një sasi uraniumi të pasuruar në një depo tjetër – gjithashtu në Isfahan – megjithëse aktualisht është e vështirë të merret prej andej. Kjo version bie ndesh me atë të drejtorit të AIEA-s (Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike), Rafael Grossi, sipas të cilit një pjesë e madhe e uraniumit ishte vendosur në siguri përpara sulmeve ajrore.

Më pas erdhi një tjetër version, këtë herë nga New York Times, që shton dy detaje: sipas një informimi të bërë nga zyrtarë izraelitë, inxhinierët iranianë mund të përpiqen të rikuperojnë materialin e mbetur nën bunkerë, por në atë rast Tel Avivi mund të ndërmarrë një tjetër sulm për ta penguar, ndaj objektet janë nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Ditët e fundit, në hyrjet e tuneleve dhe pranë kratereve të krijuara nga bombat amerikane GBU-57 janë parë kamionë dhe mjete gërmuese. Sipas ekspertëve, teknikët janë duke kryer kontrolle për të vlerësuar gjendjen e laboratorëve.

Pothuajse në të njëjtën kohë, ka dalë dhe vlerësimi i shefit të shërbimit të inteligjencës së jashtme të Francës, Nicolas Lerner, i cili deklaroi se:

Iranianët kanë ende rezerva të materialit bërthamor;

Programi atomik do të pësojë vonesa të ndjeshme për shkak të bombardimeve. Por vlerësimet për shkallën e këtyre dëmeve ndryshojnë.

Një zhvillim interesant vjen nga Katar: imazhe satelitore kanë zbuluar se sulmi hakmarrës i Teheranit ndaj bazës amerikane al-Udeid ka shkaktuar pasoja — kupola e një sistemi komunikimi është dëmtuar. Ky detaj bie ndesh me versionin zyrtar se të gjithë raketat e lëshuara nga Gardat Revolucionare më 23 qershor ishin ndërprerë nga mbrojtja ajrore./ Corriere della Sera

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?