Simone Inzaghi dhe Beppe Marotta

Inter, Marotta njofton rinovimin e Inzaghit: Ka firmosur deri në vitin 2026

12 Korrik, 17:19| Përditesimi: 12 Korrik, 21:12

  • Share

Sezoni i Interit zyrtarisht mund të konsiderohet i nisur, i pari me dy yjet në gjoks bashkë me tringjyrëshin e titullit kampion.

Si zakonisht, topi u "gjuajt" nga Beppe Marotta, këtë herë edhe në rolin e presidentit të zikaltërve, i cili në konferencën e prezantimit bëri një bilanc të pritshmërive dhe ambicieve të kampionëve italianë duke u nisur nga një risi e shumëpritur.

Ai zyrtarizoi firmën e re me trajnerin. "Simone Inzaghi ka rinovuar. Kontrata e tij është deri në vitin 2026”, tha Marotta duke vendosur pikat mbi "i" për të ardhmen e trajnerit.

Ora 21:10
Rinovoi për dy sezone, Simone Inzaghi: Dua të tjerë trofe me Interin

1720811476_1711637675simoneinzaghi.jpg
Simone Inzaghi foli pas rinovimit të kontratës me Interin. Trajneri dhe zikaltërit ranë dakord për të qenë së bashku deri në verën e 2026. Të tjerë trofe me klubin kërkon trajneri.

“Kisha oferta të shumta, por zgjodha të qëndroj te Interi, pasi jam këtu prej tre sezonesh dhe kam kaluar shumë mirë. Falënderoj shoqërinë për besimin që më dha dhe tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të nisim përgatitjet për sezonin e ri. Të fitosh është shumë e vështirë, por të konfirmohesh është akoma më e komplikuar, ndaj duhet të punojmë shumë më tepër”, u shpreh Inzaghi.

Interi ka zyrtarizuar tashmë tre futbollistë të rinj për sezonin e ri, të cilët Inzaghi i ka vlerësuar jo pak, teksa pranoi se pret ende përforcime deri në fund të merkatos.

“Kemi marrë Zielinskin, që e njohin të gjithë, pasi ka vite në Serinë A dhe është një futbollist me vlera të mëdha. Taremin e kemi studiuar dhe kemi pasur mundësinë ta përballojmë edhe si kundërshtar, ndërsa në portë kishim mundësi zgjedhjeje, por preferuam Martinez pasi përshtatet me idetë tona për lojën dhe ka bërë dy sezone mjaft të mira te Genoa. Dëmtimi i Buchanan na prishi pak planet, por jam i bindur qe drejtuesit do të gjejnë një zëvendësues shumë cilësor. Shpresoj që të rinjtë të arrijnë të përshtaten shpejt, pasi na pret një sezon i gjatë dhe kemi nevojë për të gjithë”, tha tekniku zikaltër.

Sezoni i ri pritet të ofrojë jo pak rivalitet, teksa krahas Napolit e Milanit që kanë ndryshuar trajner, Inzaghi pranon se edhe të tjera skuadra pritet të bëjnë shumë mirë.

“Milani dhe Napoli kanë trajnerë të rinj dhe do të provojnë të marrin maksimumin. Kanë entuziazëm dhe po punojnë edhe për t’u përforcuar. Nuk duhet të harrojmë as skuadra si Atalanta, që prej vitesh është aty, në nivele të larta, por edhe Bologna që do të kërkojë konfirmimin. Do të jetë sezon shumë i vështirë”, tha Inzaghi.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?