Inter ka marrë 3 pikët e para në Botërorin e klubeve edhe pse me shumë vështirësi. Zikaltërit, nënkampionë të evropës, përmbysën 2-1 në minutën e 92 Urawa Reds. Japonezët në Seattle realizuan të parët në minutën e 11, teksa Watanabe përfitoi nga një rrëmujë në zonë.
Nga ky moment Inter ishte tepër dominues në fushën e lojës, por e pati tepër të vështirë të gjente rrugën e rrjetës. Në minutën e 78 u desh një shpikje e Lautaro Martinez për të risjellë baraspeshën, ndërsa heroin për zikaltërit e bëri Valentin Carboni në shtesë. Kjo fitore e ngjiti Interin në vendin e dytë në grup me 4 pikë.
Inter ka po aq pikë sa River Plate i vendit të parë në grupin E, që barazoi 0-0 kundër Monterrey.
Në grupin F udhëheq Fluminense e Brazilit që në ndeshjen e dytë fitoi 4-2 kundër Ulsan. Fillimisht zhbllokoi Arias, ndërsa brenda pjesës së parë koreano-jugorët përmbysën 1-2. Pjesa e dytë foli vetëm për brazilianët, me Nonaton që barazoi shifrat para se Freytes dhe Keno në shtesë ti jepnin 3 pikët Fluminenses.
Brazilianët ndajnë kreun me Dortmundin, që mposhti 3-4 Memelodi Sundowns. Afrikano Jugorët prishën ekuilibrat të parët, ndërsa në vijim gjermanët realizuan 3 herë duke nisur Nmecha, më pas Guirasy dhe Bellingham në fundin e pjesës së parë.
Një autogol në nisje të pjesës së dytë vrau shpresat e Memelodit, që gjithashtu u përpoqë të rifutej në lojë, por goli i 3-4 erdhi në minutën e 90 dhe kishte shumë pak për ti dhënë një tjetër fund kësaj sfide.
Kristjan Asllani, në ndeshjen e dytë të Interit në Botërorin e klubeve, luajti sërish titullar, duke marrë besimin e trajnerit Chivu. Megjithatë referuar notave të mediave italianë, mesfushori shqiptar, ka qenë ndër më të dobëtit në fushë. Sportmediaset e ka vlerësuar Asllanin me notën 5, po aq sa edhe Di Marco-n, për të cilët thuhet se ishin nën pritshmëri.
Në përshkrimin për Asllanin thuhet se edhe pse ka bërë 66 ndeshje me Interin, sërish nuk ka ardhur hapi cilësor që pritet. Emri Asllanit ndërkohë përmendet shumë në merkato, pasi ka gjasa të mëdha të largohet nga zikaltërit.
Komente
