Mbrojtësi shqiptar Mario Mitaj po bën performanca mbresëlënëse këtë sezon me Lokomotivën e Moskës në Rusi. Gjithashtu dhe paraqitjet e tij me kombëtaren kuqezi në sfida eleminatore kanë qenë mjaft lart duke u bërë një pikë referimi në krahun e majtë.
Për të është përfolur ditët e fundit për një interesim të gjigandëve italianë të Juventusit. Drejtuesit e ‘Zonjës së vjetër’ me gjasë do të dërgojnë edhe vëzhgues ta shohin nga afër Mitaj në sfidën e Parmës, mes Shqipërisë dhe Kilit ditën e nesërme.
Por për këtë interesim ka folur edhe ish-tekniku italian i Shqipërisë, Edi Reja.
‘Jam i goditur nga inteligjenca e tij dhe mënyra si e prek topin’, shprehet Reja për Tuttosport.
Tekniku ka lavdëruar edhe cilësitë e Mitajt jashtë fushe duke veçuar thjeshtësinë e tij dhe personalitetin. Për Rejan, djaloshi shqiptar do të ishte ideal për Juven.
‘Ai është i përsosur për skemën 4-3-3, di të mbajë pozicionin e tij dhe të lexojë lojën’.
Nesër do të luhet në ‘Ennio Tardini’ sfida miqësore mes Shqipërisë dhe Kilit, në kuadër të parapërgatitjeve të kombëtares sonë para europianit gjerman.
Ky takim do të jetë edhe një rast për Mitaj të tregojë potencialin e tij përballë ‘agjentëve’ bardhezinj.