MILANO - Interi ka intensifikuar përpjekjet për të transferuar sulmuesin Ademola Lookman, duke zhvilluar një tjetër takim me drejtuesit e Atalantës në Bergamo. Megjithatë, palët ende nuk kanë arritur marrëveshje, pavarësisht dëshirës së lojtarit për t’u bashkuar me ekipin që drejtohet nga Chivu.
Lookman, i cili ka rënë dakord me Interin për kushtet personale të kontratës, pret vetëm miratimin e marrëveshjes mes dy klubeve për të realizuar kalimin në "San Siro". Por për momentin, negociatat mbeten të bllokuara.
Në takimin e fundit, Giuseppe Marotta ka theksuar se Interi nuk është i gatshëm të ofrojë më shumë se 45 milionë euro për kartonin e sulmuesit nigerian. Nga ana tjetër, Atalanta ende nuk ka vendosur një çmim përfundimtar për 28-vjeçarin, duke mbajtur qëndrimin e saj të rezervuar në këtë fazë të negociatave.
Një element që pritet të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e bisedimeve është dëshira e vetë lojtarit, i cili po ushtron presion për të përshpejtuar transferimin në Milano. Tratativa pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me palët që do të kërkojnë një pikë takimi për të mbyllur një prej operacioneve më të rëndësishme të merkatos verore në Serie A.
Komente
