Futbolli elitar evropian zhvilloi mbrëmjen e së dielës (30 mars) disa ndeshje të rëndësishme.
Në Itali, Serie A luajti ndeshjet e raundit të 30-të. Interi u imponua në shtëpi dhe mposhti 2-1 Udinesen, jo pa vështirësi. Arnautovic dhe Frattesi shënuan që në pjesën e parë për zikaltërit, ndërsa Solet në minutën e 71 rihapi ndeshjen dhe miqtë nga Udine patën disa raste për golin e barazimit në fund. 26 minuta në këtë ndeshje luajti edhe Kristjan Asllani, ndërsa Interi mbetet në krye të Serie A.
Në ‘Maradona’ skuadra e Napolit fitoi 2-1 kundër Milanit duke bërë që kuqezinjtë të vijojnë të jenë në krizë dhe të rrezikojnë Evropën. Politano që në minutën e dytë dhe Lukaku në minutën e 19-të shënuan për vendasit. Fraksioni i dytë pa Gimenez të gabonte penalltinë, ndërsa golin e vetëm për djemtë e Conceiçaos e shënoi Jovic në minutën e 84.
Pas javës së 30-të është Interi me 67 pikë që mbetet në krye të Serie A, ndjekur nga Napoli me tre pikë më pak. Atalanta dhe Bologna plotësojnë zonën Champions. Pas tyre Juventusi dhe Roma.
La Liga në Spanjë pa Barcelonën të fitonte në raundin e 29-të. Katalanasit u imponuan 4-1 në derbin e Katalonjës kundër Gironas. Krejci me autogol kaloi Barçën në avantazh, ndërsa Danjuma barazoi në pjesën e dytë. Më pas Lewandowski me dopietë dhe Torres shënuan golat e tjerë për Barcelonën.
Pas javës së 29-të La Liga kryesohet nga Barcelona me 66 pikë, ndjekur nga Real Madrid me 63 dhe Atl. Madrid me 57 pikë. Bilbao mban pozitën e katërt.
Komente
