Një gol i Darmian i ka mjaftuar Interit për të shkuar në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Zikaltërit që vinin pas një furtune në merkato për çështjen Skriniar bindën në fushë me performancën pavarësisht se pjesa e parë kundër Atalanta-s u mbyll me shifrat 0-0.
Goli që vulosi çerekfinalen erdhi në minutën e 57, me qendërmbrojtësin italian i cili u kthye në hero pas asistit të Lautaro Martinez.
Minuta në këtë ndeshje perfekte të zikaltërve mori edhe Kristjan Asllani pavarësisht se pritej titullarë. Ndërkohë pas kualifikimit trajneri i Interit Simone Inzaghi u shpreh se ‘sot ishte një skuadër e madhe e cila e meritoi kualifikimin’. Në lidhje me Skriniar, i cili për këtë ndeshje nuk u grumbullua, Inzaghi deklaroi se e kishte bërë këtë zgjedhje për të larguar presionin nga lojtari. Trajneri shtoi se në vijim sllovaku, i cili në verë do kalojë te Paris SG, do grumbullohet dhe do të luajë me Interin.
Sa i takon Kupës së Italisë, zikaltërit kampion në fuqi, në gjysmëfinale do përballen me fituesin e çiftit Juventus-Lazio, një çerekfinale e cila luhet të enjten.