Interi do të zbresë në fushë me fanellën e tretë, atë të verdhë, për finalen e Champions League kundër Paris Saint Germain të shtunën në Mynih. Zgjedhja e zikaltërve nuk është bërë rastësisht, por është një kombinim mes rregullores, precedentëve të suksesshëm dhe... pak besëtytni.
Pse fanella e tretë?
Finalja do të luhet në një terren neutral, por sipas shortit, PSG konsiderohet skuadra pritëse dhe do të mbajë uniformën e saj tradicionale. Kjo e detyroi Interin të zgjedhë mes fanellës së dytë (të bardhë) dhe asaj të tretë (të verdhë). Lojtarët zgjodhën këtë të fundit, të frymëzuar nga dizajni dhe kultura urbane e Milanos, një fanellë që simbolizon rebelimin dhe stilin modern të qytetit.
Besëtytni dhe bilanc pozitiv
Zgjedhja nuk është bërë vetëm për estetikë. Me fanellën e verdhë, Interi ka një bilanc mbresëlënës këtë sezon: 7 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje. Dy nga fitoret kanë ardhur pikërisht në Champions League, në transfertat ndaj Spartës së Pragës dhe Feyenoordit. Ndërkohë, humbja e vetme erdhi kundër Bayer Leverkusen, në një ndeshje ku Interi kishte veshur fanellën e bardhë.
Portieri Yann Sommer do të ruajë gjithashtu uniformën e tij “fatlume” portokalli, të cilën e ka përdorur me sukses, duke përfshirë ndeshjen kundër Barcelonës ku ndali Lamine Yamal në ‘San Siro’.
Precedent historik: finalja e Kupës UEFA 1998
Kjo nuk është hera e parë që Interi vesh fanellën e tretë në një finale evropiane. Në sezonin 1997-98 zikaltërit triumfuan në Kupën UEFA përballë Lazios në ‘Parc des Princes’, kjo për ironi të fatit, pikërisht në stadiumin ku luan PSG. Në atë rast, fanella gri me vija të zeza ishte uniforma e përdorur në të gjitha ndeshjet në shtëpi në turne.
Komente
