Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mori pjesë të premten në një konferencë të Intenacionales Socialiste. Ai mbajti një fjalim në gjuhën angleze – jo shumë të gjatë, dorën në zemër, siç e ka zakon -, para pjesëmarrësve nga vende të ndryshme. Sidoqoftë, edhe pse fjalimi i Kurtit nuk zgjati shumë, duket se ishte mjaftueshëm i gjatë dhe monoton për ta mërzitur audiencën.
“Që nga ideja e famshme e Immanuel Kantit për marrëdhënien mes të dyjave, paqja dhe demokracia kanë qenë shumë ngushtë të lidhura në imagjinatën tonë”- e filloi fjalimin kryeministri Kurti. Si duket, kjo fjali u dha pasqyrë të qartë pjesëmarrësve për përmbajtjen e mëtejme të fjalës së tij, që, duke u bazuar në pamjet e publikuara nga vetë Kurti në rrjete sociale, nuk u la shumë përshtypje.
Teksa Kurti po e lexonte vazhdimisht fjalimin e tij, vëmendja e pjesëmarrësve la për të dëshiruar. Në sy bie sidomos kryeministri i Spanjës dhe presidenti i Internacionales Socialiste, Pedro Sanchez, i cili shuhet ulur afër foltores ku po lexonte Kurti.
Përderisa Kurti e lexonte fjalimin, kryeministri spanjoll shihet i përqendruar në gjëra të tjera e jo duke e dëgjuar me vëmendje homologun kosovar. Sanchez-i shihet duke e përdorur telefonin, duke i mbushur gotën e vet dhe të personit afër tij me ujë me ibrik, duke shkruar me laps e duke biseduar me disa njerëz të tjerë.
Kur personi që po e incizonte fjalimin e Kurtit, vëren se kryeministrit spanjoll nuk po i interesojnë fort fjalët e kryeministrit kosovar dhe vendos që ta rrokë telefonin, incizuesi e largon Sanchez-in nga kuadri i kamerës. Të njëjtin veprim e bën edhe pak më vonë, kur kryeministri spanjoll shërben veten dhe dikë tjetër me ujë me ibrik.
Në një moment, personi që po incizonte, e jep pamjen e pjesës tjetër të sallës, ku shihen rreshtat me pjesëmarrës. Shumë prej tyre nuk duken aq të interesuar për ta dëgjuar fjalimin. Shumë prej tyre shihen duke i përdorur telefonat e dikush duke shfletuar diçka.
Fjalimi – ose leximi – i Kurtit zgjati më pak se dhjetë minuta, por, duke u mbështetur në pamje, kjo kohë mund t’i jetë dukur shumëkujt goxha më e gjatë./ Nacionale