Nisur nga situata e motit të keq në vend ku u dëmtuan tri qarqe, PD ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Rama. Deputeti Xhaferraj me anë të një videoje të kryeministrit në vitin 2010 e ka pyetur se ku është puna e qeverisë tani lidhur me këtë çështje.
“Reshjet e ditëve të fundit kanë prodhuar situatë kritike në disa qarqe të vendit. Janë përmbytur shtëpitë, bizneset e tokat duke rrezikuar jetën e qytetarëve, rasti më i dhimbshëm dy qytetarëve babë e bir që humbën jetën.
Kërkuam këtë interpelance urgjente për të dhënë shpjegime për situatën në vend.
- 1. A kishte informacione dhe të dhëna qeveria shqiptare lidhur me reshjet e pritshme të datës 20 Nëntor e në vijim?
- 2. Nëse po, cilat ishin masat e marra nga qeveria për të siguruar jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve tanë?
- 3. A u bënë shkak për përmbytjen e zonave të nën-Shkodrës hapja e portave dhe shkarkimet e hidrocentraleve të Komanit dhe Vau Dejësit, sic deklaroi prefektja e qarkut Shkodër, Znj. Angoni?
- 4. Pse nuk u lajmëruan familjet që prekeshin nga përmbytjet si rezultat i shkarkimeve të hidrocentraleve që të merreshin masat e nevojshme, përfshirë evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë?
- 5. A ka filluar një vlerësim paraprak i dëmeve të shkaktuara dhe a mund te kemi nje informacion?
- 6. Ministri i Mbrojtjes, z. Peleshi ka përsëritur disa herë që qeveria iu ka akorduar bashkive një fond prej 10 mln dollarë për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. A është ky fond i mjaftueshëm për përballimin e dëmeve të shkaktuara?
- 7. Cilat janë investimet konkrete që qeveria shqiptare ka kryer në këto 9 vite për parandalimin e përmbytjeve në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës?
- 8. A ka vlerësuar qeveria shqiptare mundësinë e transferimit të banorëve, të cilët jetojnë në zona të rrezikuara nga përmbytjet, në zona më të sigurta?
*Tregon Videon e Ramës*
Ku është çeta e kusarëve zoti Kryeministër?”- tha Xhaferraj
Lajmi kryesor:
Kuvend/ PD në interpelancë urgjente me Ramën për përmbytjet: Pse nuk shpallet gjendja e emergjencës? Kryeministri: Për 30 shtëpi që s'janë nën ujë?
G.MO/KT/ReportTv.al