Politikë

Interpelanca/ Zhupa: Betonizuat zonat e mbrojtura! Butrinti, qofteri! Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e tyre

19 Dhjetor, 12:26| Përditesimi: 19 Dhjetor, 16:25

  • Share

Me akuzën se po betonizohen zonat e mbrojtura, deputetja demokrate Ina Zhupa thirri në interpelancë Ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro. Zhupa tha se janë betonizuar 5.8 milionë m2 tokë për investime strategjike që prekën 9 zona të mbrojtura dhe ky është një akt terrorizmi mjedisor.

“Jeni terroristë mjedisor! Keni betonizuar 5.8 milion m2 tokë për investime strategjike, tani i jeni sulur zonave të mbrojtura. Në shkurt të këtij viti në një seancë të turpshme pa diskutime kaluat ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, një ligj klientelist që zhdukte mbrojtjen e këtyre zonave me rëndësi jetike për vendin dhe hapte rrugën ndërtimeve për to”, tha Zhupa.

Në përgjigje, ministrja Kumbaro tha se sipërfaqja e zonave të mbrojtura është rritur në 21,5% të territorit, ndërsa investimi në to, bëhet me qëllim zhvillimin, jo dëmtimin e tyre.

“Për herë të parë, Shqipëria zgjeroi sipërfaqet e zonave të mbrojtura në vitin 2022 duke e çuar sipërfaqen  e mbrojtjes në 21,5% të territorit! Po, sot 21,5% e territorit në Shqipëri është zonë e mbrojtur me vullnetin e kësaj mazhorance, me punën dhe përkushtimin e kësaj mazhorance”, vijoi Kumbaro.

Kumbaro tha se edhe në 2025, investimet në zonat e mbrojtura do të vazhdojnë.

“Investimet në zonat e mbrojtura do jenë në qendër të kësaj qeverie edhe në vitin 2025, më lejoni t’iu them këtu parkun e hidrocentralit të Ulzës, ndërtim i qendrës multidimensionale dhe shkencore në Vjosë”, tha Kumbaro.

Replikat vijuan edhe më tej në spektër më personal.

“Më ranë sy çelësi te xhaketa, e ke kthyer në han pa porta, çelësin e ke ti, e mban ti”, tha Zhupa.

“Është personazh i princit të vogël, që thotë shih me sytë e zemrës dhe mendjes”, tha Kumbaro.

Zonat e mbrojtura u kthyen në kryefjalë të përplasjes mes opozitës dhe maxhorancës disa muaj më parë, kur parlamenti kaloi vetëm me 74 vota të socialistëve ligjin për zonat e mbrojtura që parashikon që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por me kushtin që të mbahet një ekuilibër mes natyrës dhe aktiviteteve të zhvilluara.

Ora 11:00
Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të territorit, ndryshimet ligjore nuk cenojnë asnjë direktivë europiane

Në interpelancën e sotme në Parlament për zonat e mbrojtura, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se kanë rritur sipërfaqen e tyre.

“Për çdokënd që mund të çojë nëpër mend se palës përballë i interesojnë zonat e mbrojtura, ndërkohë që deri në vitin 2014 askush s’kishte dëgjuar në publik të flitej as për mjedis e as për zona të mbrojtura natyrore pavarësisht se kishte Ministri Mjedisi, unë do të përmend vetëm disa fakte. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me 12 Agjencite e saj rajonale, një institucion që sot na bën krenar sepse kujdeset për çdo park kombëtar e natyror, për çdo monument natyre e peizazh, falë një armate pasionantësh që janë çdo ditë në terren, inxhinierë mjedisorë, inxhinierë pyjesh a veterinerë që punojnë me shpirt për xhevahiret tona natyrore, e pra kjo agjenci - u krijua vetëm në vitin 2015! Deri në vitin 2015, Shqipëria nuk kishte një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura, ndërsa sot kjo agjenci na bën nder si vend dhe e kthen Shqipërinë në një shembull të mirë në rajon, pasi shumë vende në Ballkanin Perëndimor, ende nuk e kanë një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura. Për herë të parë hartuam e miratuam një ligj për zonat e mbrojtura natyrore në vitin 2017! Sikur të kishim pasur më herët të tilla prioritete, me siguri që shumë gjynahe të bëra gjatë tranzicionit, do të ishin shmangur. Për herë të parë, Shqipëria zgjeroi sipërfaqet e zonave të mbrojtura në vitin 2022 duke e çuar sipërfaqen  e mbrojtjes në 21,5% të territorit! Po, sot 21,5% e territorit në Shqipëri është zonë e mbrojtur me vullnetin e kësaj mazhorance, me punën dhe përkushtimin e kësaj mazhorance! Dhe nuk ka qenë një vendim aspak i lehtë,plot  vende të tjera më të mëdha e kanë shumë më të ulët dhe askush nga vendet e rajonit nuk e ka marrë një të tillë vendim mbrojtës. Është vendim i rëndësishëm sepse Shqipëria, ka një sipërfaqe të kufizuar, ku duhen harmonizuar patjetër nevojat e komuniteteve, e njerëzve për zhvillim e mirëqenie me vizionin dhe synimin për të mbrojtur natyrën si pasurinë më të çmuar që i lëmë brezave! Pikërisht kjo mazhorancë që ndjek cdo ditë zhvillimet në territor, për ta ruajtur atë ekuiliber realist, mes zhvillimit të qendrueshëm dhe mbrojtjes së biodiversitetit, sic ka përditësuar studimin e zonave të mbrojtura përditësoi ligjin e vitit 2017 në krye të këtij viti, sepse duhet t’u përgjigjemi realitetit, nevojave demografike që të mos vijojnë boshatisje të pjesëve të territorit! Pikërisht kësaj Shqipërie që ecën shumë më shpejt se kjo opozita juaj pa kokë e me gjymtyrë të hallakatura!”, tha Kumbaro.

Ministrja hodhi edhe akuza mbi qeverinë Berisha, duke thënë se ka shkaktuar dëme në zonat e mbrojtura dhe në biodiversitet.

“Pasuritë dhe burimet natyrore, aty kanë qenë ndër dekada, por për gjithë ato dekada as ka dashur të merret njeri, dhe as i ka pasur njeri në vëmendje se në prioritet jo se jo! Për t’i abuzuar, shkatërruar, ndërtuar kuturu pa koke, pa plan e me babëzi sic na kanë parë sytë jo më larg por deri 10 vite më parë gjatë qeverisjes së kaluar deri në vitin 2013 kur mijëra e mijëra çibanë të tmerrshëm u mbollën në territor, në zona natyrore e kulturore, në shtrate lumenjsh e plazhe me rërë…. Po, këtë na latë trashëgim ju! Kjo ka qene historia në 25 vite! Dhe nuk do përmend Bathoren, as Tiranën e vitit 2000, por Ksamilin që nga një kodër në Zonë të mbrojtur e degraduat në Bathoren e bregdetit, duke i hequr çdo arsye dhe argument për biodiversitet që ne me programet e rikualifikimit urban po e sjellim në terezi, duke ekuilibruar edhe problemet sociale të popullsisë me rrugë, ndriçim, kanalizime, me restaurime dhe rikualifikime të hapësirave publike, duke ua rritur vlerën edhe objekteve që tashmë janë vetëm pjesë e Historisë, por edhe duke sinkronizuar ndërhyrjet e investitoreve privatë në sinergji me territorin, por me kritere të rrepta dhe vetëm me vendim të KKT”, u shpreh Kumbaro.

Në lidhje me ligjin e ri të zonave të mbrojtura, Kumbaro qartësoi se përkundër pretendimeve ligji nuk cenon asnjë Direktivë Europiane dhe respekton parimet e Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës.

“Siç jua kam thënë, ligji i ri e mban të përqëndruar tek Agjencia e Zonave të Mbrojtura kontrollin dhe administrimin në territor te këtyre zonave! Ligji nuk cënon asnjë Direktive europiane, dhe respekton parimet e IUCN – organizmi sipëror kur vjen fjala për ekseprtizëm në administrimin e zonave të mbrojtura, i cili në udhërrëfyesin e menaxhimi te zonave të mbrojtura e thotë shumë qartë: “Janë shtetet ato që kanë tagrin e vendimit final dhe përgjegjësinë për administrimin dhe përdorimin e burimeve natyrore të tokës dhe të ujit, prandaj jane vetë këto shtete që vendosin edhe për kategorinëhe administrimin e një zone të mbrojtur. Por ju këto as nuk i lexoni dhe as nuk doni t’i dini, sepse kërkoni dezinformim!”

Kumbaro përmendi edhe punën për Vjosën, që pasi u shpall Park Kombëtar, tanimë po avancon puna për përfshirjen e saj në UNESCO.

“Aty ka qenë Vjosa ndër shekuj e dekada, asnjë qeveri paraardhëse nuk pati as idenë më të vogël ta mbronte! Dhe Vjosa nuk mbeti i fundit lumë i egër në Europë se u mbrojt, por përkundrazi, sepse pa asnjë vizion për gjithë atë zonë që përbën 1/3 e Shqipërisë, e zbrazët duke i bërë njerëzit të largohen sepse nuk shihnin asnjë mundësi për të krijuar ekonomi e për të jetuar aty ku prindërit e gjyshërit e tyre kishin lindur. Aty ku sot po rikthehen, nga Memaliaj në Tepelenë, nga Përmeti në Libohovë, nga Bënça në Këlcyrë, nga Darëzeza në Vlorë. 480 kilometra të Vjosës, bashkë me Drinon, Bënçën dhe Shushicën, i shpallëm Park Kombëtar, jo thjesht prej emocionit, por përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi ekselent me shoqërinë civile në Shqipëri, me partnerë të huaj si Patagonia, me Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës IUCN, duke krijuar një model dinjitoz që u shndërrua me shpejtësi në kartivizitë prezantuese të Shqipërisë. Me Vjosën, me të cilën i kemi dhënë Europës të vetmin Park Kombëtar të një lumi të egër, shkojmë në një tjetër stad: Përfshirjen e Vjosës në UNESCO, në kategorinë “Njeriu dhe Biosfera”, një ndër kategoritë më interesante që ka UNESCO kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën.”

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit përmendi edhe shifrat e vizitorëve në zonat e mbrojtura.

“5,3 milionë vizitorë kishim në parqet tona kombëtare dhe natyrore gjatë periudhës janar – nëntor 2024, ose 1 milionë më shumë se i gjithë viti i kaluar. Dhe nuk është çështja vetëm tek shifrat, por tek ekonomia që zhvillohet për banorët e këtyre zonave, që nuk po ndërtojnë hidrocentrale, - madje krejt e kundërta, ne po anulojmë edhe ato kontratat hec-esh që nënshkruat ju - por bujtina, agroturizme, restorante të vogla që më pas zënë faqet e para të mediave të cilat i bëjnë jehonë mikpritjes shqiptare dhe buzëqeshjes së ëmbël të amvisave tona!”

Ora 10:42
Zhupa: Po betonizoni zonat e mbrojtura, qofteri në Butrint. Ministrja më duargjatë, keni dhënë 5,8 mln m2 tokë

Po mbahet interpelanca me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja e PD, Ina Zhupa. Ligjvënësja akuzoi qeverinë dhe ministren se po betonizon me ligje zonat e mbrojtura duke ia dhënë investitorëve strategjikë klientelistë dhe gaztorëve të pushtetit.

Madje ajo hodhi dyshime se Kumbaro u bë ministre për qëllimin e vetëm për t’i prishur zonat e mbrojtura, duke e quajtur “ministren më duargjatë”.

Ina Zhupa:
“Ligj klientelist ai i zonave të mbrojtura. Kumbaro ministrja më jetëgjatë, sepse është edhe më duargjata. I hapi rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Ishte ajo që hapi qofterinë e parë në Butrint dhe bëri marrëveshjen me ADF për Butrintin dhe bëri betonizimin. Bëri heqjen e pikave të mbrojtjes së zonave dhe hapi rrugën për betonime. Po shtyni për të pestën herë afatin e ligjit për investimet strategjike. E bëri se me ligjin e përkohshëm të vitit 2018, që e keni shtyrë 4 herë dhe po e bëni për të pestën herë, keni dhënë 5,8 mln metër katrorë tokë në gjithë vendin investitorëve strategjike", tha Zhupa.

 Ministrja Kumbaro i mohoi akuzat, duke thënë se investimet në zonat e mbrojtura kanë zhvilluar turizmin, me 1 mln vizitorë më shumë nga viti i kaluar dhe se opozita gjithashtu i shijon këto investime me shëtitje familjare në vendet atraktive.

Fjala e plotë e Zhupës:

"Jeni terrorista mjedisor! Keni betonizuar 5.8 milion m2 tokë për investime strategjike, tani i jeni sulur zonave të mbrojtura. Në shkurt të këtij viti në një seancë të turpshme pa diskutime kaluat ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, një ligj klientelist që zhdukte mbrojtjen e këtyre zonave me rëndësi jetike për vendin dhe hapte rrugën ndërtimeve për to. Ministria e Ndërtimit Kumbaroja e mohoi që do prekeshin zonat e mbrojtura por u deshën vetëm 7 muaj që ti miratonin projektvendime që prekin 9 zona të mbrojtura, miratuar 25.09.2024 dhe publikuar ne Fletoren Zyrtare Nr. 165, date 27/09/2024. Ajo që vihet re është ulja e mbrojtjes, nga shkalla e parë në shkallën e tretë. Kumbaro është ministria më jetëgjatë sepse është ministria më duartgjatë ndaj pasurisë kulturore dhe natyrore në Shqipëri. Ku nise me VKM në 2017, përndryshe nga harta e Ansamblit të monumenteve të kulturës së vitit 2000, la jashtë qendrës historike një pjesë të madhe të territorit, ku gjenden pjesa dërrmuese e objekteve historike të qytetit të Tiranës dhe Teatrin Kombëtar. Vazhdove me qofterinë në Butrint dhe marrëveshjen e parë kuadër me AADF për koncesionin e tij. Më tej në janar 2022 hoqe zona të tëra nga zonat e mbrojtura. Për ta nbyllur me këtë ligj të ri që shkatërron përfundimisht zonat e mbrojtura. Në funksion të betonizimit të zonave të mbrojthra keni vendosur vendosur edhe te shtyni për herë të pestë afatin e ligjit për investimet strategjike, me nje deputete qe fatkqesisht perfaqëson edhe qarkun tim në kuvend, po në këtë rast nuk është propozuese po firmëtare. I miratuar si një ligj i përkohshëm në vitin 2015, ai ka shërbyer për të betonizuar kryesisht bregdetin, duke u dhënë 5.8 milionë metër katror tokë investitorëve strategjikë në të gjithë vendin.

JENI TERRORIST MJEDISOR. Keni betonizuar 5.8 milion m2 tokë tregon qartësisht se shtetit vetë i mbaruan llokmat e tokave publike për miqtë dhe kemi hapur tepsinë e zonave të mbrojtura, parqet tona kombëtare, pasurinë që ja kemi detyrim fëmijëve tanë. Edhe pse qëllimi i deklaruar i ligjit investimeve strategjike ishte thithja e investimeve të huaja deri më tani ky ligj ka ‘shpërblyer’ shumë klient pushtet, ndonjë gaztor oborri, edhe deputet e familjar të tyre. Tashmë duket qartësisht që lidhet me interesin e ZMA sepse një nga ndryshimet që propozon deputetja lidhet me dhënien e atributit këtij komiteti për të vendosur për dhënien në përdorim për investitorët strategjikë të brigjeve të deteve, lumenjve dhe liqeneve për stacione plazhi. Oo burra pasi i morët tokën, tani detet dhe liqenet dhe përgatisni njé ligj që ti merrni edhe ajrin. Në 2022 ju hoqët statusi zonë e mbrojtur dhe iu hap rrugë investimeve, në zonën urbane të Ksamilit, plazhin e Manastirit, të Pasqyrave, Pulëbardhave, Gjirit të Hartës e deri në kufirin jugor si Gjiri i Marinës e gjiri i Pemës së Thatë. Po ashtu ai vendim tkurri 15 % të sipërfaqeve në bregdet, ku u prekën mijëra hektarë në zonën e Vjosë-Nartës Velipojës, Divjakë-Karavastasë si dhe në Kune. Qeveria tha asokohe se i rriti sipërfaqet e zonave të mbrojtura me 27%, por në fakt në këtë përqindje futen zona të thella malore, dhe tek rikufizimi i zonave u hoqën mijëra hektare vijë bregdetare e zona me rëndësi strategjike, të cilat i hapën rrugë investimeve".

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 20/12/2024 02:06

    IUCN nuk e dinte se kishte te bente me nje Rame e Kumbaron e tij kur ua la vendeve qe kane zona te mbrojtura qe t'a kishin ata fjalen e fundit per mbrojtjen e administrimin e zonave te mbrojtura.Po t'a dinin se keta te dy do t'a interpretonin sipas shkelqimit te asprave qe paguajne investitoret strategjike te haneve me 5 yje dhe sheiket e ketushem e te huaj e miqte e te afermit e deputeteve e politikaneve,do te vinin duart ne koke me lemeri.Rama e Kumbaro jane si fallxhoret qe t'a lexojne/interpretojne ligjin e IUCN-se,sipas asprave qe paguan klientela,sa me shume te paguaje investitori strtegjik e miku,aq me shume /fjalen e fundit/ e ka qeveria,ne te kunderten kur nderton ndonje bari nje stalle,ligji i IUCN bie mbi te me fuqi te plote dhe atehere nuk e ka /fjalen e fundit/qeveria,por IUCN,ose te pakten deri diten kur afrojne zgjedhjet dhe pastaj cdo gje falet e harrohet per vota.

    Përgjigju
  • ALVARO: 19/12/2024 14:10

    QAJ MIRELA QAJ

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?