Italia- Një 30-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për 4 akuza të rënda si evazioni fiskal, mashtrimi, falsifikimi dhe vjedhja, është arrestuar nga policia italiane ditën e sotme (11 Tetor) në Kalabri.
Kanë qenë efektivët e rajonit të Siderno, që hasën pranë “Corso della Repubblica” pas sinjalizimeve të marra, të dyshuarin që lëvizte me një çantë shpine dhe një karrocë të vogël dore.
Sapo pa efektivët ai u përpoq të zhdukej nëpër rrugica me vrap, por u lokalizua dhe kap afër qendrës së qytetit, duke ia dështuar planin e arratisjes.
Pasi e kanë verifikuar identitetin e tij, përmes bazave të të dhënave të përdorura dhe kryesisht gjurmëve të gishtrinjve dhe fotografisë, u zbulua se i riu, emri i të cilit nuk u bë i ditur, ishte në pritje një urdhër arresti ndërkombëtar brenda INTERPOL-it, për krimet e evazionit fiskal, vjedhjes, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, shkruan "Calabrianews".
Ndaj tij rezulton se ka pasur një masë sigurie me burg nga Gjykata shqiptare, por nuk jepen detaje të dosjes dhe qytetit. Pas kryerjes së veprimeve të para proceduriale hetimore, si dhe në pritje të masës për ekstradim dhe letër-porosisë nga Tirana, 30-vjeçari është izoluar në burgun e Lokrit.