Interpol Tirana ka ekstraduar drejt Turqisë dhe Greqisë dy persona të shumëkërkuar, për akuzat e marrëdhënieve seksuale me dhunë dhe ndërmjetësim për birësim të paligjshëm, nëpërmjet rekrutimit të grave shtatzëna dhe me probleme financiare.
Burime zyrtare konfirmuan sot (1 maj) dy operacionet e kryera në sekret të plotë për arsye sigurie.
I pari është dërguar nën pranga te agjentët e Interpol Ankarasë Burak Kara, 39 vjeç, i lindur në Turqi, sepse Gjykata e Mersin, në vitin 2022, e ka dënuar me 8 vjet e 4 muaj burgim. Ai akuzohet se në vitin 2011, në gjendje të dehur, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase turke, në banesën e një gruaje tjetër, gjithashtu turke, në Mersin.
Nga dënimi, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 4 vjet e gjysmë burgim.
Kurse I. A., 59 vjeç, i lindur në Bullgari, iu dorëzua Interpol Athinës, sepse ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar mbi akuzën se në bashkëpunim me të tjerë, gjente gra shtatëzëna dhe në vështirësi ekonomike, të cilat i çonte në Greqi për të lindur dhe më pas ndërmjetësonte për dhënien e foshnjës, për birësim.
“Nga kjo veprimtari kriminale ky shtetas dyshohet se ka përfituar 2000-4000 euro/rast. Ai është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare të Korçës”, njoftoi Policia e Shtetit.
Komente
