Interpol Tirana ka ekstraduar sot (2 Dhjetor) dy persona, ku një shqiptar është sjellë në pranga nga Greqia, teksa kërkohej për trafik klandestinësh drejt Britanisë së Madhe, kurse një shtetas turk u nis drejt Ankarasë, ku ishte dënuar me mbi 17 vite burgim për trafik droge.
Burime zyrtare bënë me dije se nga Greqia në Shqipëri është ekstraduar Robert Gjika, 32 vjeç, i lindur në Berat.
“Në vitin 2024, GjKKO-ja i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjika dyshohet si pjesëtar i një grupi kriminal, që akuzohet në kuadër të megaoperacionit “NOMADA”, se ka transportuar ilegalisht, emigrantë, kryesisht në Britani të Madhe.
Teksa nga Shqipëria në Turqi u ekstradua shtetasi turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar Mehmet Akman, 50 vjeç.
“Gjykata e Lartë e Stambollit e ka dënuar këtë shtetas, me 10 vjet burgim, për veprën penale “trafik i narkotikëve”, si dhe Gjykata e Lartë e Bakirkoy e ka dënuar me 7 vjet e 2 muaj burgim, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Turqisë”, theksohet në njoftim.
Turku Akman u kap më 25 Qershor të këtij viti në Kapshticë, ndërsa rezultonte si banues në Holandë.
Shtetasi i ekstraduar në Shqipëri iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kurse turku autoriteteve të Interpol Ankarasë.