Aktori Jozef Shiroka

Intervista/ Aktori Jozef Shiroka: Çdo rol që marr është Hamleti im

22 Dhjetor 2018, 07:44| Përditesimi: 22 Dhjetor 2018, 19:26

  • Share

Jozef Shiroka punon në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Është një aktor me profil të spikatur që në rolet e para. Mjafton të kujtojmë filmin shqiptaro-serb “Honeymoons” që u prodhua në 2009-n (fitues i disa çmimeve ndërkombëtare), por edhe disa premiera të tjera si drama “Reigen” vepër e autorit austriak Arthur Schnitzler apo dramat shqiptare “Birrë, gozhdë dhe sapun” e “Putargat e thata” të Stefan Çapalikut. 

Mbrëmë aktori i ri shkodran, Jozef Shiroka, është ngjitur në skenë si protagonist në dramën “Jugori” të Rainer Werner Fassbinder, me regji të Dino Mustafiç. Shiroka rrëfen në intervistën e tij për “Shqiptarja.com” se çfarë e ka nxitur një nga regjisorët më të famshëm të Ballkanit të ngrejë një premierë në Shkodër, në teatrin “Migjeni”, që në “gjuhën” institucionale konsiderohet shpesh si teatër rrethinash. Përkundër këtij trajtimi, Jozef Shiroka ka shumë për të treguar për sfidat e trupës profesioniste të Teatrit “Migjeni”, e cila edhe pse trajtohet me buxhet minimal dhe larg interesit mediatik, shfaqet dinjitoze para publikut nga shfaqja në shfaqje. 

Për aktorin Jozef Shiroka vendi se ku luan rolin nuk ka rëndësi, ai përpiqet t’i jap jetë dhe forcë shprehëse. Çdo rol për të është një Hamlet. Kështu shprehet Shiroka pak ditë para shfaqjes për “Shqiptarja.com”. 

Shiroka pak ditë më parë kishte ardhur në Tiranë për projekte të tjera, siç është edhe prezantimi elegant që bëri në Galanë e vlerësimit të “Zonjave që bëjnë Shqipërinë”, ideuar nga Flora Nikolla dhe organizuar nga Albanian Excellence me presidente Flora Nikollën.  Gjithashtu, brenda harkut kohor të një jave u prezantua edhe premiera e filmit “Përralle moderne”, me regjinë dhe skenarin e Arian Çuliqit, ku Jozef Shiroka kishte rolin kryesor.

Intervista

Ju Jozef, jeni një aktor i ri dhe i rrethuar nga rolet. Mjafton të kujtojmë se brenda kësaj jave keni qenë protagonistë në dy premiera të mëdha. Jemi kurioz të dimë më shumë për premierën e 21 dhjetorit, dhe pse erdhi regjisori i njohur Dino Mustafiç pikërisht në qytetin tuaj?

Unë jam aktor pranë teatrit “Migjeni” në Shkodër. Aktualisht unë jam duke punuar dramën “Jugori" të Rainer Werner Fassbinder me regji të Dino Mustafiç, një regjisor shumë i njohur dhe që ka ngjitur në skenë premiera pothuajse në të gjitha teatrot e Ballkanit. Ndërkohë, Dino Mustafiç është një regjisor shumë i njohur për artdashësit shqiptarë. Ky ishte  një projekt ambicioz dhe faktin që Mustafiç, regjisori i njohur pranoi të punoj me ne rreth dy muaj rresht në Shkodër e kam konsideruar si një nxitje për të bërë më të mirën. Premiera ngjitet më 21 dhjetor të premten në orën 19.00 në Shkodër në Teatrin “Migjeni”.

Jua ka treguar motivin se pse po punon me ju?

Dino Mustafiç ka shprehur dëshirën të punonte me ne.  Ai vetë na ka thënë se në këtë teatër ka shpirt pune, ka energji nga ata njerëz që punojnë atje. Dhe dihet, Dino Mustafiç sheh përtej pagesave dhe interesave për të punuar me këta aktorë. Ne kemi dy muaj që punojmë me dëshirë e pasion. Mustafic, pra, ka punuar dy muaj pa reshtur në Shkodër. Pas gjithë kësaj pune është momenti që ne të presim edhe fidbekun nga publiku. 

Ç’mund të na thoni për pjesëmarrjen tuaj në filmin e Arian Çuliqit “Përrallë moderne”?

“Përrallë moderne” është një film nën regjinë dhe skenarin e Arian Çuliqit dhe me pjesëmarrjen e aktorëve më të mirë shkodranë. Kjo premierë erdhi mbrëmjen e se premtes ne teatrin “Migjeni”. Realiteti i hidhur  i vendit tonë, ku politika vendos për gjithçka në jetën e shqiptarëve, u trajtua me humor dhe sarkazëm nga Besnik Çinari, Zyliha Miloti, Jozef Shiroka, Rudina Dembacaj, etj. Në qendër të këtij filmi, ishin dy të rinj dhe trajtohet dashuria e tyre e pamundur për shkak të pengesave nga prindërit e tyre që ishin kundërshtarë politikë. Për regjisorin Arian Çuliqi, ky është realiteti i hidhur i Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Kudo që të votosh, si majtas si djathtas përsëri nuk ka asnjë ndryshim. Në fund,  pasi prindërit e tyre, njëra pale me opozitën dhe tjetra ne pushtet si mazhorancë nuk pranojnë dashurinë e te rinjve, ata vendosin te arratisen dhe martohen.

Si e vlerëson realizimin në tërësi në filmin e Arjan Çuliqit?

Filmi është në stilin e Arjanit, ironik dhe me një ndikim nga humori shkodran.  Është një film që ka një skenar shumë të mirë dhe realizmi dhe montazhi nga Gjergji Pano e shume të tjerë kanë rritur cilësinë e këtij filmi.  Në këtë film kemi një Romeo e Zhuljeta të vendosur në kushtet e kohës.

Cila është tema e dramës “Jugori”?

Është në temë një temë delikate e emigracionit dhe ksenofobisë, urrejtjes racore, ku trajtohet sesi ndihemi ne  kur shkojmë në një vend  të huaj. Kjo temë është shumë pranë me problemet e publikut.

Ju ka rrëfyer Mustafiç se pse ka prekur pikërisht këtë temë?

Pikërisht Mustafiç na ka thënë se do bëjmë një shfaqjeje që të jetë juaja, të jetë e popullit tuaj, dhe emigracioni dhe tema e ksenofobisë është edhe  sot e të gjithë kohën e ndjeshme për të gjithë. Është një temë e fortë. Ndoshta edhe më e ndjeshme për moshatarët e mi. Sepse dihet që sapo marrin një profesion apo fitojnë një shkollim të mirë nuk qëndrojnë më në Shqipëri për të ushtruar profesionin e tyre.

Po ju vet, pse qëndroni ende në Shqipëri, kur moshatarët ikin. Me çfarë vizioni e bëni punën  tuaj?

Kjo është një pyetje që ia bëj vetes çdo ditë, sepse ne vetëm rrogën marrim në atë teatër, por për sa i përket vizionit të gjithë e dinë se vetëm pasioni na mban lidhur me skenën.  Pas tre-katër ditësh kemi sërish prova për një teatër tjetër. Teatri “Migjeni” po punon, falë mbështetjen s së kryetares së Bashkisë, Voltana Ademi, dhe përpjekjeve tona e të drejtoreshës Rita Gjeka. Siç duket, dëshira mbizotëron mbi çdo gjë. Dihet, se fonde nuk kemi.

Në momentin e parë kur ke nisur të aktrosh, cilat nga personazhet do të doje t’i prekje dhe t’i arrije?

Kënaqësia për të interpretuar personazhet tek unë është një kënaqësi vetjake, është thjesht ndjesia vetjake që të bën të merresh me këtë punë. Në fakt një aktor duhet të bëjë gjithçka. Nuk jam me atë që një aktor të bëjë veçse komedi apo dramë. Unë i kam provuar të gjitha sepse kjo gjë më jepe kënaqësi dhe do ta vazhdoj ta bëjë, se është ajo punë që shpresoj ta zgjas për shumë kohë. Unë përpiqem të mos konsumohem kot. Kam profilin tim dhe kam vizionin tim për rolin dhe shpresoj që t’ia bëjë.

Cilat nga rolet e dramaturgjisë botërore do të doje t’i arrije, është ky një Hamlet, Makbeth, Jago? 

Role ka pa fund, sigurisht. Unë për vete kam një parim, në punën që bëjë çdo rol që marr është Hamleti im. Në qoftë se do të punosh çdo rol duhet ta luash si të tillë, unë jam aktor dhe nuk und të pres derisa të dalë dikush e të më japë rolin e  Hamletit. Roli që unë marr është Hamleti im, është Hamleti i radhës që unë me gjithë shpirt përpiqem ta bëjë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?