Poetja e njohur shqiptare Luljeta Lleshanaku është përzgjedhur për librin e saj me poezi “Hapësira negative” ndër pesë finalistet për çmimin e madh “Pen Amerika 2019”. “Lleshanaku ka një talent trullosës në kapjen e shenjave të rrënimit tonë”, shkruan Nick Ripatrazone për “The Millions”. “Negative space” e poetes shqiptare tashmë është një nga librat e rekomanduar nga Poetry Society në Angli, Poetry Society në Amerikë, revista World Literature Today, etj.
Ndërkohë, bashkëfinaliste për këtë çmim konsiderohet edhe përkthyesja e këtij libri në anglisht Ani Gjika. E lumtur që ka pasur fatin të përcjellë në Amerikë një nga poetet më të mira shqiptare, Ani Gjika në një intervistë për “Shqiptarja.com thotë se:“Ne jemi finaliste për çmimin PEN në kategorinë e poezisë së përkthyer që jepet nga PEN America, organizatë e cila ka si moto refrenin “Freedom to Write”. Kjo intervistë me përkthyesen bëhet pasi “Hapësira negative” i Luljeta Lleshanakut i përkthyer nga Ani Gjika, dhe i botuar nga Shtëpia botuese New Directions në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018, nga i nominuar, ka rritur të zgjidhet në pesë librat finalistë për Çmimin “PEN Amerika 2019“.
“Ky është libri i pestë i autores në gjuhën angleze. Në këtë përmbledhje përfshihen dy librat e botuar në origjinal nga shtëpia botuese “OMBRA GVG”: “Pothuajse dje” (2012) dhe “Homo antarcticus” (2015), libra të vlerësuar në Shqipëri me çmimet e “Panairit të Librit 2013”, “KULT 2013”, dhe “Albanian PEN 2016”.”, pohon shtëpia botuese OMBRA GVG. Përkthimi i “Negative space” nga Ani Gjika, cilësohet nga kritika si një përkthim brilant. Ky është konkurrimi i dytë, pasi për botimin në Angli të “Negative space” nga shtëpia botuese ‘Bloodaxe’, Ani Gjika është vlerësuar më parë me çmimin “English PEN” dhe me Grant nga National Endowment for Arts në SHBA.
Intervista
Ani, ju keni përkthyer librin “Negative Space” të Luljeta Lleshanakut me poezi, që renditet me librat më të mirë në botën anglishtfolëse. Cila ishte ndjesia juaj kur e morët librin për ta përkthyer?
-“Flashback III” ka qenë poezia e parë e Lleshanakut që kam përkthyer, ku më tërhoqi imazhi i Odisesë kapur pas dashit që t’i shpëtojë Ciklopit, një metafore e fortë, kuptova unë, e eksperiencës së shumë shqiptarëve — gjithmonë në përpjekje për t’i shpëtuar dikujt/diçkaje. Si shkrimtare dhe shqiptare vetë, kam qenë e jam e uritur për art që flet përtej eksperiencës shqiptare por që e mbart fuqishëm, në mënyrë indirekte, atë që na bën ne unik. Pastaj me çdo poezi tjetër që vazhdova të përkthej gjatë viteve, ndjesia ka qenë se ajo, poezia dhe vizioni i Lleshanakut, më ka ngopur, dhe shpesh herë trazuar kureshtjen, kujtesën, dhe imagjinatën, e gjithashtu krenarinë time për letërsinë shqipe.
Gjithashtu ky libër është pretendent përçmimin e madh Pen Amerika 2019. Duke qenë në brendësi “të lëkurës” së librit të poetes LLeshanaku, çfarë mendon se e afron librin më pranë çmimit?
-Ne jemi finaliste për çmimin PEN në kategorinë e poezisë së përkthyer dhe se kush fiton nuk i dihet pasi këto gjëra kanë të bëjnë dhe me fat, por dua të përmend se çmimi jepet nga PEN America, organizatë që ka si moto refrenin “Freedom to Write” dhe për mua, libri “Negative Space” është pikërisht një grumbull zërash i një brezi të tërë të cilëve s’iu ish dhënë momenti të flisnin deri më sot, por që sot dëgjohen krejt qartë — Frank Wild, babai i Lleshanakut, dajat e saj, e ëma, etj., — është libër ku Lleshanaku, jo vetëm ka shkruar lirshëm për kohë dhe të drejta të njeriut të ndaluara, por ka depërtuar në negativin e filmit që na mbetet prej atyre kohëve, duke i dhënë qartësi e kuptim atyre. Dhe, çuditërisht, ato kohë nuk janë dhe aq larg në të kaluarën. Sidomos tek ne në Amerikë sot, kjo poezi na flet shumë afër mendjes dhe imagjinatës sonë.
Si e keni njohur poeten Luljeta Lleshanaku dhe si nisi bashkëpunimi me të?
-Në 2009-n fillova mësimet në një program MFA për poezi në Boston University, ku dhe po bëja një seminar mbi artin e përkthimit. Duke u nisur nga një projekt klase, i shkrova Robert Elsie-t, të më lidhte me Lleshanakun, pasi sapo kisha zbuluar e isha mrekulluar me poezinë e saj, por në Anglisht, të përkthyer nga Shpresa Qatipi dhe Henry Israeli. I shkrova dhe i kërkova të përkthej nja dy poezi, midis tyre dhe “Flashback III”. Nuk e harrojme sa dashuri m’u përgjigj dhe më dha leje t’i përktheja ato poezi. Kur ajo erdhi në New York për të promovuar librin e saj “Child of Nature”, u takuam për here të parë. Dhe aty, megjithëse ajo ishte qendra e vëmendjes atë natë, më takoi shumë, shumë ngrohtë e më befasoi kur tha që i kish bërë përshtypje ardhja ime nga Bostoni për ta dëgjuar atë. Por, për mua, sigurisht që do merrja autobusin deri në Kaliforni po të ish nevoja — doja patjetër ta takoja. Kur njeriu do diçka, e di vërtet që e do, dhe kështu më ka ndodhur me Lleshanakun që në fillim.
Cilat kanë qenë poezitë më të vështira të Luljeta LLeshanakut për t’u përcjellë në një gjuhë tjetër?
-S’mund të veçoj poezi të plota, por mund të them se metaforat apo krahasimet, imazhet dmth, kanë qenë më të vështirat pasi Lleshanaku është mjeshtre e tyre dhe duhet të tingëllojnë të vërteta, të kapura saktë, në gjuhën tjetër siç tingëllojnë në shqip. Unë shkruajpoezi në anglisht dhe them se kjo, si dhe praktika ne artin e përkthimit, më kanë ndihmuar jashtë mase në këtë drejtim. Por anglishtja nuk është gjuha ime e nënës. Shqipja është. Në Amerikë kam ardhur kur isha 18 vjeç. Prandaj këtu ekziston vështirësia më e madhe. Megjithëse flas, shkruaj, e jap mësim anglisht, është gjithmonë më e lehtë të përkthesh drejt gjuhës së nënës nga një gjuhë e huaj sesa anasjelltas.
Po poezitë e këtij libri që të kanë pëlqyer ty veçanërisht, cilat janë?
-E vështirë dhe kjo pasi kam shumë që preferoj. Atoqë më tërheqin më shumë janë poezitë ku Lleshanaku ndërton një argument. Por mbase mund të veçoj “Hapësira Negative” pasi aty, e shoh, dhe e njoha Lleshanakun nga shumë afër. Nëse në shumë poezi të librit ajo u jep zë të tjerëve, këtu ajo dëgjohet vetë. Nuk besoj se e shpreh dot tamam ndjesinë që më krijon kjo poemë, por është vërtet ajo ku e shoh Lleshanakun në brendësi, tërësi, tërthorazi shoh nyjat e qelizat e saj. Më krijon shumë emocione në fakt të mendoj për këtë — Lleshanaku ka mbijetuar. Dhe jo çdo mbijetues vendostë rrëfejë.
Cili ka qenë momenti vendimtar për ju që profesioni juaj do ishte ai i përkthyeses. Kë menduat të korrigjonit të parin mes problemeve që ka përkthimi sot në vendin tonë?
-Ha! S’e kam menduar kurrë këtë. Vetë fakti që shkruaj më ka ndihmuartë përkthej dhe anasjelltas. Por përveç shkrimeve dhe përkthimeve unë jap mësim gjuhën angleze, artin e përkthimit, dhe atë të shkrimit në tre shkolla të ndryshme. Nuk pretendoj se i njoh të gjitha problemet që ekzistojnë sot mbi përkthimet në Shqipëri dhe kur unë përkthej, nuk nisem të korrigjoj gjë. Thjesht ajo që më nxit të bëj këtë punë, nëse përkthej Luljeta Lleshanakun, Xhevdet Bajraj, apo një tjetër, është të rënit kokë e këmbë brenda me aftësinë e shkrimtares për të rrëfyer diçka. Ajo ç’ka më tërheq shpesh drejt letërsisë është zëri i tekstit — një zë i veçantë që ka diçka për të thënë, diçka të pathënë, a diçka të thënë në një mënyrë krejt të re. Dhe përfundimisht, ajo që më nis të përkthej është dëshira për të shpërndarë këtë zë me të tjerët. Në momentin kur unë ndjej se një tekst më mbush shpirtin, arsyen, imagjinatën, atëherë e di që ky tekst nuk është i imi për ta mbajtur në sirtar, por është i imi për ta shpërndarë.
A mund të na rrëfeni me pak fjalë aktivitetin dhe punën tuaj. Cila është jeta juaj e përditshme dhe çfarë ëndrrash keni në sirtar?
-Jam shumë e zënë këto kohë. E kush s’është sot? Por kam tre punë e kam pasion për të tria: mësimin, të shkruarit, përkthimin. Dëshiroj të gjej një balancë më të mirë për të vazhduar t’i bëj të tria, pasi tek unë, të gjitha ndikojnë e ushqejnë njëra-tjetrën.