Intervista/ Arben Derhemi: Rolet e mia në Teatër! Rikthehet ‘Njerëz dhe fate’ me 80 për qind të kastës së vjetër! Artistët në Reality Show, aktori: S’u shkon për shtat!

29 Janar 2023, 17:13| Përditesimi: 29 Janar 2023, 17:28

  • Share

Një grua dhe një burrë, ku çdokush në sallë mund të gjejë diçka prej vetes, në Teatrin Kombëtar, java mbyllet me komedinë “Çifti” të vënë në skenë nga Altin Basha...

Pjesa moderne e britanikut Duncan Macmillan, e interpretuar edhe nga protagonistët e “The Croën”, Claire Foy and Matt Smith, vjen përmes lojës së Olta Dakut dhe Arben Derhemit.

“Kjo shfaqje ishte qershia mbi tortë për këtë vit, për hapjen e vitit të ri 2023”, thotë Derhemi.

Reflektim mbi prindërimin, raportin në çift me dëshirën apo aftësinë për të kuptuar tjetrin, tej dialogëve sipërfaqësore që enden mes shqetësimit për ngrohjen globale duke fshehur të tjera ndjesi e mendime... Por edhe kalime në tema si birësimi, aborti, edukimi e braktisja e moshës së tretë...

“Është një komedi-tragjedi e madhe... ku del në pah njerëzorja. E kur mbaron shfaqja, ti thua : A ishte komedi vërtetë apo jo... Pra, në fund fare, ne kemi qeshur dhe kemi qarë me të, sepse përcillen me të vërtetë mesazhe të thella”

 

Si aktor i Teatrit Kombëtar, Arben Derhemi së fundmi ka qenë i angazhuar në shfaqje si ‘Coriolanus’ e më pas tek “Edmond”, ku ka interpretuar 5 role. Kjo shfaqje e gjen si protagonist e producent, ndonëse në repertorin e tij karakteret kanë dominuar.

“Karakteret sado role të vogla që janë , të bëra siç duhet, të luajtura bukur, mbeten në  kujtesë shumë më tepër se protagonistët... Aktorë si Mihal Stefa, Mihal Popi, Kadri Roshi i kishin qejf karakteret, sepse në to edhe autori që e ka shkruar veprën ka parë një botë të caktuar, e cila përmblidhet në shumë pak. Pra, ska asgjë të keqe të luash karaktere sepse teatri është i të gjithëve është i rolit të parë të dytë dhe të tretë” thotë aktori.

Derhemi rrëfen se në paskuinta, si çdo kund edhe në Teatrin Kombëtar, jo çdo gjë shkon vaj, por ajo që mbetet si vlerë kostante është profesionalizmi i artistëve.

“Problemi është se nuk duhet t’i fusin aktorët e vërtetë në një thes me ata që thonë se janë aktorë. Është krijuar edhe një problem i madh tani me këto Reality, ku njerëzit shfaqin karakterin e tyre. Ndoshta dhe karakteri i dikujt mund të shpërfaqej, por jo paedukata. Ndërkohë që unë di të them që këtu,  staf i teatrit janë njerëz të jashtëzakonshëm me një shpirt të madh”, thotë më tej.  

Nuk e shikon me pozitivitet artisti, përfshirjen e artistëve të teatrove tona më të mëdha në Reality Shoë-t televizive.

“Për mendimin tim nuk janë formate që i shkojnë shtat një aktori. E para e punës, mbi të gjitha, se është një kohë e humbur e tmerrshme pa asnjë lloj vlere. Dhe e dyta, nuk mundet një njeri normal të shkoj dhe të gjykohet në një ‘Reality’ të tillë... Unë nuk e di se si pranojnë njëherë... po gjithsesi zgjedhja është individuale... u zhvillohet facebook-u dhe instagrami", thotë ai.

Pavarësisht, se një nga emrat më të njohur të brezit të tij, pjesëmarrja e Derhemit në filmat e viteve të fundit, është e paktë.

“Me kinematografinë jemi të angazhuar aq sa mundemi dhe aq sa meritojnë ata që bëjnë filma. Pra, do të thotë se duhet respekt për ata që bëjnë punën, sepse ky është një profesion, ku mbi të gjitha ti kërkon të shpërblehesh moralisht”, shprehet më tej.

E megjithatë pas ‘dorës së fundit’ që po i jepet skenarit, aktori, në rolin edhe të producentit premton se në fundvit do të rikthehet seriali “Njerëz e fate”, lajm i cili është mirëpritur nga publiku...

“Sidomos për publikun shqiptar që e ka lënë në mes atë film që mëzi pret të na shikojë,  së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha, i cili sado i pamundur ka qenë ka punuar dhe e falënderoj nga zemra, dhe më vjen keq nëse nuk e kam lënë të pushojë siç ka nevojë”, thotë aktori.

Si ‘Flori’ në film, Derhemi jep një indicie se ku mund ta shohim në vazhdim të serialit... përveç se në paskuinta në përpjekje për ta rikthyer

“Do të jem kudo... madje edhe në burg!”, shprehet Derhemi.

Rikthimi i “Njerëz dhe fate” është pritur me gëzim dhe nga aktori Robert Ndrenika, në film si i ati i Florit... Raport që duket se ka shënjuar mërdhënien e tyre edhe jashtë sheshxhirimeve...

“Ne shihemi thuajse çdo ditë. Është kënaqësi pjesëmarrja e tij në film , ku roli do të jetë shumë më i zhvilluar se në seritë e para”, shprehet aktori.

Serialet e reja të “Njerëz dhe Fate” do të kenë edhe aktorë të rinj dhe rikthim të kastës së vjetër... edhe ata që janë jashtë Shqipërisë, siç është aktorja Pavlina Mani.

“Do të rikthehet 80 për qind e kastës së vjetër...  Pavlina është në Amerikë, por edhe ajo do të jetë pjesë, do xhirohet dhe atje, në mënyra të ndryshme”, thotë Derhemi.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?