Kur lahuta serbe u regjistrua si pasuri e mbrojtur nga UNESCO - në telin e lahutës shqiptare, boshnjake apo malazeze nuk u ndërprenë mitet e baladat e lashta të kreshnikëve që mbronin territoret e tyre prej dyndjeve sllave.
Nuk është e lehtë të imagjinohet sot ky paradoks i madh që “ndoshta?!” zaptuesit e trojeve duhet “t’u kenë dhënë” nga një lahutë në dorë kundërshtarëve. Veç një paradoks i tillë mund “t’i motivojë” përfaqësuesit e UNESCO-s, që lahutës serbe t’i japin përparësi në ruajtje, ndërkohë që ekziston në 5-6 shtete të Ballkanit, përfshi dhe Shqipërinë e Kosovën që këndojnë të njëjtin epos.
Ndërsa debatet e studiuesve, etnografëve dhe akademikëve, që prej më shumë se tre muaj nuk kanë shterur, me skulptoren dhe studiuesen e njohur, Suzana Varvarica Kuka, i rikthehemi në një këndvështrim tjetër kësaj teme. Shkak bëhet një vepër e saj e frymëzuar nga “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës, të cilën e ka ekspozuar në Rezidencën e Ambasadës Italiane, në ekspozitën “Il l’Eterno femminino”.
Kjo ekspozitë ku prezantohet arti shqiptar në vite që i dedikohet gruas, e kuruar nga Artan Shabani, do të qëndrojë e çelur deri në fund të muajit prill. Në bisedën rreth veprës, artistja shpreh shqetësimin dhe trishtimin e saj për mënyrën sesi injorohet nga UNESCO lahuta, kjo trashëgimi kulturore që e ka frymëzuar për të bërë një vepër të bukur në rininë e saj.
Intervista
Jemi përballë një skulpture që ju nuk e keni ekspozuar më parë: një grua me lahutë. Tashmë lahuta, instrumentit me të cilin këndohet Eposi Shqiptar i Kreshnikëve, nuk u fut në UNESCO, por u fut si më përfaqësuese lahuta e serbëve, ka sjellë debate deri në rrethet akademike. Pse je frymëzuar pikërisht nga lahuta?
-Duket e thjeshtë në pamje të parë, por për këtë vepër jam frymëzuar nga Fishta, nga vepra “ Lahuta e Malësisë”. Fishta më ka tërhequr gjithmonë,. Kjo skulpturë është bërë që në kohën e komunizmit, në kohën kur unë përpiqesha të lexoja Fishtën dhe shumë vështirësi në gegnishten tij. Pas atij leximi vendosa që të bëja një figurë. Kështu që e bëra këtë vepër pa e menduar se do ta çoja në ndonjë ekspozitë. E bëra dhe lashë këtë skulpturë mënjanë për një kohë të gjatë, por duke e konsideruar një nga veprat më të dashura të miat.
Sa e vetëdijshme ishit ju në atë kohë për lashtësinë e instrumentit të lahutës në popullin tonë dhe cili është koncepti për vendin që zënë lahutat e popujve të Ballkanit, te shqiptarët, malazeztë, boshnjakët, serbët e më gjerë?
-Ajo që duhet theksuar është fakti se me lahutë i këndohet të gjithë mitologjisë ballkanike, pellazgjike, ilire. Lahuta është një instrument ballkanik për mendimin tim dhe iu takon të gjithë popujve. Mua më vjen keq që u shkëput në një moment si e studiuar veçmas dhe iu dha merita vetëm një kombësie për t’u futur në UNESCO. Lahuta nuk iu përket vetëm serbëve por i përket gjithë Ballkanit, sepse tek të gjithë këta popuj gjejmë elementë të ngjashëm.
Për mendimin tim, lahuta le të cilësohet një element ballkanik dhe të ruhet për të gjitha këto kombësi që e mbajnë në UNESCO, sepse me të ekzekutohet mitologjia ballkanike, por mënyra sesi mbahet e përdoret është e njëjtë. Ajo që e ndryshon lahutën e njërit komb nga tjetri është kaligrafia, gdhendjet dhe vizatimet origjinale të popujve që e mbajnë këtë instrument, ku lahuta shqiptare ka elementet e saj të veçanta.
Përse e zhvendose figurën e mashkullit duke i rënë lahutës dhe e le ne dorën e një gruaje?
-Vendosa në qendër këtë grua, sepse desha që dy simbolet t’i fusja në një, sepse dihet tradicionalisht lahuta është mbajtur në dorë nga një mashkull, dhe jo nga një femër. Unë desha të fusja dy simbole në këtë vepër, duke qenë se lahuta është në gjininë femërore dhe Malësia po në këtë gjini, mendova që veprën “Lahuta e malësisë” ta paraqisja në këtë mënyrë. Lahuta ishte një instrument shumë i fortë, ku futeshin të gjitha bëmat e popullit tonë, të gjitha mitologjitë dëgjoheshin e këndoheshin nga kjo lahutë. Ishte një gjetje nga ana ime, e quaj një gjete të thjeshtë, se edhe unë atëherë punoja brenda kornizave të realizmit socialist. Nuk mund të shes mend, por gjesti i përket impresionizmit. Kjo vjen, sepse frymëzimi im kanë qenë skulptori i madh shqiptar Janaq Paço dhe Rodeni.
Fakti që ju keni edhe simbolin e një gruaje shqiptare ju bëri pjesëmarrëse në ekspozitën “Il l’Eterno feminino”, që qëndron e çelur në Rezidencën e Ambasadës italianë ën Tiranë. Duke qen mes autorëve të tjerë, cilët prej tyre janë marrë me shumë me portretin e femrës?
-Do të përfshija mes tyre Simon Rrotën, Androniqi Zengon, Janaq Paçon, të cilët u larguan disi nga mënyra e realizmit socialist, por jo se janë larguar krejtësisht, por ata kanë mënyrën e tyre, stilin e tyre të qartë. Ka piktura të bukura dhe Zef Shoshi, por edhe të rinjtë kanë sjellë piktura të bukura.
Çfarë rëndësie ka ekspozimi i veprave të artit shqiptar me temën e gruas në ekspozitën ku ju merrni pjesë?
-Mbledhja dhe ekspozimi i pikturave të përcaktuar në një temë ka një rëndësi të madhe. Është shumë i rëndësishëm koncepti. Nëse bën një ekspozitë, pa koncept nuk bëhet. Gjithçka vjen përmes një procesi të kulluar, ashtu siç bëhet edhe në muzetë më të mëdhenj në botë. Kuratori Artan Shabani ka bërë një punë të madhe. SË pari ai ka gjetur një koncept që arriti të bënte këtë lloj ekspozite. Ekspozitat që vijnë pa asnjë arsye nuk të japin asgjë. Kjo ekspozitë ka brenda saj shumë tema, nisur nga situatat historike në të cilat krijohet, domethënë ka shumë tema brenda sistemit të hapjes së kësaj ekspozite. Dhe kjo e bën këtë ekspozitë që të ketë edhe një nivel të lartë prezantimi e shikueshmërie.
Bravo suksese dhe të kesh shëndet Suzana!
PërgjigjuTe lumte! Suksese te metejshme Znj. Varvarica (Kuka)! Arti yt flet shume me teper se politika, duke na bere te ndjehemi krenare! Shpirti yt modest, por i madh ne dimension , ngre lart emrin e vendit te shqiponjave dhe lahuta jote, percjell zerin e te gjithe shqiptareve, qe jane ne sinkron me tingullin dhe fluturimin e lire te Shqipes...
Përgjigju