Sali Berisha

INTERVISTA/ Daut Gumeni: PD sot është siç e deshi Berisha dhe Gjinoja i tij! Demokracia nuk ngrihet mbi rrënojat e kasolles së kalbur

13 Mars 2022, 22:38| Përditesimi: 13 Mars 2022, 22:40

  • Share

Daut Gumeni, poeti, shkrimtari e publicisti i dënuar politik nga komunizmi vjen përmes kësaj interviste ekskluzive të dhënë për Voxnews.al. Ai flet për të djathtën, të majtën, tranzicionin dhe “paaftësinë” e shqiptarëve për të ngritur një sistem të fortë demokratik.

“Kështjella e bukur e demokracisë s’mund të ngrihet mbi ngrehinat e një kasolleje të kalbur”, thotë Gumeni, duke nënkuptuar se të dyja partitë e mëdha politike i kanë themelet te Partia e Punës.

Si i djathtë në bindje i pëlqen të flasë më shumë për situatën në të cilën ndodhet e djathta. Sipas Gumenit, Partia Demokratike sot është pikërisht ashtu siç e do Sali Berisha.

Më poshtë një bisedë me një nga njerëzit që çerek shekulli i ka kaluar në burgjet komuniste, dhe nuk reflekton asnjë një lloj mllefi…

INTERVISTA

Vox News: Zoti Gumeni, Shqipëria prej më shumë se tre dekadash ndodhet në demokraci. A jemi sot një vend realisht demokratik për të përmbushur aspiratën që kishim në fillim të viteve ’90; “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”?

Daut Gumeni: Ne i themi dhe demokraci, por në të vërtetë jemi në një lloj regjimi hibrid, ku nuk kemi as mish, as peshk se të dy na i ha maçoku i sëmurë për pushtet. Shkurt hesapi, jemi në pritje që shërbëtorët besnikë të diktaturës komuniste të na kthehen në kapitalistë të Partisë mëmë. Për ta thënë tok me Branko Merxhanin, ”këto themelet e kolibes tonë shoqërore janë të kalbur nga të gjitha anët” dhe mbi kalbësira nuk ngrihet dot godina e bukur e demokracisë. Aq më pak është e mundshme një gjë e tillë kur komunistët e duan dhe demokracinë ngjarje dhe jo proces të gjatë përmirësimi dhe përsosjeje. Komunistët tanë e duan dhe demokracinë ngjarje të historisë së tyre, që vetëm sa ua ka shtyrë 8 nëntorin në 8 dhjetor e aq.

Vox News: Çfarë nuk ka funksionuar në këtë vend, që jemi kaq mbrapa jo vetëm në raport me vendet e zhvilluara, por dhe me fqinjët tanë që në fillim e nisëm rrugëtimin të barabartë?

Daut Gumeni: Tek ne nuk funksionon pluralizmi i vërtetë politik, edhe pse kemi 32 vjet të gjatë e të mundimshëm që përjetojmë një variant të ri të luftës së klasave, këtë radhë si një teatër mërie dhe armiqësie të egër mes dy të majtave tona të sëmura: stalinistët e vonuar që hedhin valle në varrezat e alternativës së Djathtë Popullore europiane dhe hrushovianëve të shtruar për shtatë palë qejfe nën hijen e gorricës së tyre të vjetër dhe që i ruajnë stalinistët e vonuar si aset të çmuar për të ndenjur në pushtet kur të duan e sa të duan. Sepse nuk mund të ketë pluralizëm të vërtetë politik pa njohur zgjedhjet e lira dhe sepse ky pluralizmi ynë është më tepër një lojë konxheli me hipjen e zbritjen me radhë nga pushteti i trashëguar, tani që kanë ndërruar dhe dollomatë sovjetike me kostumet e shtrenjta Armani.

Vox News: Prej nëntë vitesh kemi një qeveri të majtë. Kujtoj që kur PS ishte në opozitë jo ishit një mbështetës për të pasur rotacion pushteti. A ka qeverisur siç duhet Partia Socialiste?

Daut Gumeni: Kjo lloj loje konxheli me pushtetin e trashëguar me çelësa në dorë vetëm për hir të besnikërisë ndaj diktaturës së plakur e të kalbur nga zullumet e veta, ka tanimë mbi tri dekada që nuk lejon qeverisje të shëndetshme të vendit, madje as kur rastis që të duken ca përpjekje të veçuara për të braktisur direktivën e Partisë-mëmë e për të hequr dorë nga mbetja e përhershme e pushtetit në të njëjtën kastë edhe pse të veshur me rekuizitën e re…

Vox News: Dimë që kryeministri Rama ka konsideratë të lartë për ju. A keni komunikuar vitet e fundit me të dhe a ju ka kërkuar mendim për ndonjë çështje të caktuar?

Daut Gumeni: Unë miqtë nuk i braktis sa herë që bie shi dhe kuptohet që vlerësimet miqësore janë të ndërsjella. Por komunikimet miqësore nuk është se më shkojnë aq pas natyrës sime, kur miqtë janë bërë pushtetarë. Më mjafton që kryeministri të dëgjojë ata këshilltarë që ka zgjedhur vetë për t’i paguar që t’i vejë puna mbarë.

Vox News: Një nga reformat më të thella që ka bërë qeveria Rama është drejtësia. Si ju duket sot sistemi i drejtësisë dhe a ia vlejti gjithë ajo sakrificë për të pasur këtë rezultat që kemi?

Daut Gumeni: Reforma në Drejtësi është mbase ndihma e parë e vërtetë që po përpiqen të na japin këto vitet e fundit aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Ndihmë konkrete dhe e vyer kjo, që ka ndezur mërinë e të gjithë sovjetikëve tanë të thekur, tanimë të kthyer nga ca dhjakonarë të babëzitur në miliarderë e në milionerë të këtij tranzicioni si kat i Dytë i Diktaturës komuniste. Kur sheh njeriu i thjeshtë tërbimin e këtyre sovjetikëve tanë aq të vonuar e të lënë prapa nga historia, e kupton mirë se pse ndeshet me aq shumë pengesa dhe vështirësi reformimi i mirëfilltë i drejtësisë sonë të mëkuar e të pasuruar me garuzhdën e madhe përshtatur për të gjitha veglat e verbra të pushtetit.

Vox News: Përse ka kaq shumë korrupsion në këtë vend, është realisht drejtësia që nuk funksionon, apo jemi popull që kërkojnë të përfitojmë pa u lodhur shumë?

Daut Gumeni: Një ngrehinë pushteti e ngritur mbi korrupsion politik dhe e vënë në skenë si “përmbysje e komunizmit”, doemos që do të shpinte edhe në korrupsion ekonomik. Kujdesi i madh i trashëgimtarit të diktatorit për të krijuar në zyrat e tij të errëta të gjitha ekipet drejtuese të partive politike bija të mëmës së kalldisur nga zullumet e nga pleqëria, duket që nuk ka harruar as direktivën e pasurimit të kësaj kaste pushteti me çdo mjet e me një ngutje e një makutëri të llahtarisur dhe më e keqja se pasurimi i paligjshëm i kësaj kaste pushteti me pronat e pronarëve të vdekur, apo të shpronësuar për së dyti, ishte marrja si shembull i kësaj grabitjeje edhe nga mbarë një shoqëri e hutuar nga varfëria. Na u kthye korrupsioni zyrtar në mjet pasurimi, na u përhap në shoqëri si një mënyre e re jetese (!)

Por nuk më shkon ndër mend se korrupsioni paska të bëjë me vetë natyrën tonë si popull. Këto janë parulla të përhapura nga skota pushtetare e korruptuar për të përligjur sa të mundin, e si të mundin korrupsionin e tyre ulëritës, sepse është fare e lehtë të dallohet që më të korruptuarit e shoqërisë shqiptare të këtij tranzicioni të kthyer në epokë janë pjesëtarët e asaj kaste pushteti që gëzonin ta shihnin punën vetëm në emrin e Partisë së tyre dhe aq…

Vox News: Mendoni se ka ardhur koha që Edi Rama të mbyll këtë mandat dhe t’i thotë boll qëndrimit në pushtet?

Daut Gumeni: Zakonisht mandatet politikë jepen nga vota popullore dhe hiqen po nga vota e popullit. Rastet e largimit nga mandati i fituar me votë popullore janë në dorën e të mandatuarit ta gjykojë se kur e sheh se duhet të heqë dorë nga detyra e ngarkuar. Ata që bërtasin kundër ushtrimit të më shumë se dy mandateve e që kërkojnë pushtet e mandat në tavolinë, nuk njohin zgjedhjet dhe nuk janë as të zotët të fitojnë mandat me votat e popullit. Për të mos thënë që janë mësuar ta marrin pushtetin jo me vota por me konxhelin e trashëgimisë së diktaturës…

Vox News: Përpos faktit se jeni mik me Edi Ramën, ju jeni një nga figurat e së djathtës, jo vetëm për shkak se vini nga vuajtje dhe përndjekje nga regjimi i kaluar, por keni dhe qenë dhe aktiv në politikën e djathtë. Si ju duket situata në kampin e opozitës?

Daut Gumeni: Situata në kampin e opozitës aktuale mendoj se është pikërisht ajo që ka kërkuar vetë “themeluesi historik” që e mori të themeluar në zyrat me dyer të veshura me dyshek…Mjafton të sjellësh ndër mend fatin që i ka ndjekur dy kryetarët e emëruar nga vetë “themeluesi” për të kuptuar edhe tërbimin që ka sot pronari i partisë së parë opozitare me “kryetarin kozmetik” që e zgjodhi vetë po për ato cilësi “prijësi” që tani ia quan cene të rënda, sikurse dhe për të marrë vesh më lehtë se përse i hyn në punë ai “rithemelim” i partisë së tij private, kur ai vetë e ka hedhur kazmën e parë për t’ia shkulur themelet… Për të mos u marrë fare me deklaratën aq të kripur të kryetarit të tretë kozmetik të PD-së, deklaratë që na mallëngjeu të gjithëve kur fryu gjoksin e tha si pa të keq se “nuk kam humbur asnjë përballje”(!) Mbase deshi të na bënte dhe për të qeshur në këto ditë të zymta nga retë e luftës në Ukrainë, por mbase dhe deshi të na thoshte që nuk kishte humbur asnjë përballje në garën për t’u pasuruar edhe në kohë tërmeti edhe në kohë pandemie. Dhe këtu nuk kemi pse t’ia hamë hakun: Me gjithë atë luftë që i ka bërë korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë ai dora vetë, mbase pas asaj deklarate të padëgjuar ndonjë herë do të ishte me vend të thuhej për të ajo fjala e urtë popullore: ”Bëmë baba të të ngjaj”…

Vox News: Mendoni se kjo përçarje do të bëjë që opozita mos do të vijë në pushtet për një kohë të gjatë. Cila është formula juaj për zgjidhjen e kësaj situate? Si duhet bashkuar e djathta?

Daut Gumeni: Kjo lloj opozite e drejtuar nga “kryetarë” të emëruar prej kryetarit të përjetshëm, nuk ka sesi të njohë zgjedhje brenda partisë së vet e jo më të njohë zgjedhjet e lira në garën me kundërshtarët politikë. Le të bërtasin sa të kenë takat se ata paskan fituar por ua paskan vjedhur zgjedhjet e se një kanë dalë gjithmonë fitimtarë por qenkan ndeshur me “masakra elektorale”, qytetarët e thjeshtë të këtij vendi kanë arsye pse të qeshin me pupacët politikë të lindur me këmishë, që kujtojnë se mund ta gënjejnë dhe popullin siç gënjejnë veten.

Thënë këto, mendoj se përçarja dhe katandisja e opozitës politike në këtë ditë është meritë e padiskutueshme e udhëheqësit të saj të përjetshëm dhe jo e Gjinove të tij të radhës. As nuk besoj dot se këtë rrokopujë të opozitës sonë të sotme e ka shkaktuar dorëheqja aq artistike e Grida Dumës. Por këtë katandi të opozitës politike e vuan vendi dhe përpjekjet e shqiptarëve për demokraci normale. Ndaj do të ishte mirë që Partia Demokratike të mos vajtohet aq tepër, por të mblidhen të gjitha ata që janë për një Alternativë të Djathtë Popullore europiane dhe të krijojnë një grupim që njeh zgjedhjet e lira e nuk i fiton të gjitha betejat por ia vjedhin udhës risë dhe vetë ministrin e brendshëm, një grupim politik të aftë për të konkurruar për qeverisjen e vendit, një grupim që dhe opozitën ta bëjë me alternativa të qarta e qytetare dhe jo me sokëllima të mbytura nga jehona e çjerrë e luftës së klasave.

E Djathta e vërtetë duhet doemos të themelohet nga e para dhe nga njerëz që e duan vendin dhe që kanë parësorë interesat kombëtarë të shqiptarëve dhe jo kënaqjen e lakmisë së pashuar për pasurim me çdo mjet e me çdo çmim. Se mjaft e telendisëm këtë vend për 32 vjet të tërë pas gjysme shekulli diktaturë. E telendisëm ca si tepër atdheun me pushtetin e një kaste politike që duket sikur i shërben më shumë interesave vetjakë, një kastë e punësuar në politikë e që ka për moto të vetën “Pas meje le të bëhet kijameti!”. Se një moto e tillë mund të jetë në shërbim të dreqit e të birit, por nuk është kurrë në shërbim të interesave kombëtare shqiptare.

Vox News: A mendoni se duhet të largohet Lulzim Basha nga drejtimi i PD-së?

Daut Gumeni: Duhet larguar të dy e sa më shpejt që të jetë e mundur, aq më mirë.

Vox News: Një vit më parë Sali Berisha u shpallë non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Cila ishte ndjesia që patët për këtë vendim?

Daut Gumeni: Është një ndjesi që besoj e kanë shumica e shqiptarëve. Sepse atë shpallje non grata e ka kërkuar prej kohësh vetë i shpalluri non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por do thënë hapur që dhe Amerika e Lirive është si shumë e vonuar në atë shpallje non grata dhe, tani që u kujtua ca me vonesë si të gjitha perandoritë, duhet ta shtrijë më tej non gtata-n edhe për mjaft domodekë të tjerë të tranzicionit tonë, për mjaft derbederë që i kanë vënë drizën më derë vetë përparimit të Shqipërisë për interesat e tyre vetjake./ Voxnews.al

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Luani: 21/04/2022 19:20

    plotesisht dakort me zotin Gumeni,i cili i ben nder ketij vendi eketij populli dhe per vuajtjet e te cilit duhet te ulin koken te turperuar te gjithe ata qe e kane patur ne dore dhe e kane akoma edhe sot qe njerez te nderuar si Daut Gumeni te gjenden ne balle e ne krye te shoqerise dhe te lejohen e te ndihmohen qe me kontributin e tyre te ndihmojne atdheun dhe popullin e tyre.Dhe pse jo,Daut Gumeni mund te ishte nje nga kandidaturat me te pershtateshme,per te mos thene kandidatura me e pershtateshme per te pastruar zyren e mykur nga krimi e korrupsioni te Ilir Dekorate-floririt,qe eshte turpi i ketij kombi dhe kamikazeve e yesmeneve te tij rrotull e rrotull te tipit Blushi e kompani.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?