Intervista e fundit e Kadaresë për median ishte në Bunk'Art1 kur pa 'Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur': Më ndanë nga vepra brutalisht

1 Korrik, 09:28| Përditesimi: 1 Korrik, 10:00

  • Share

Intervista e fundit e Ismail Kadaresë u dha në dhjetor 2023, për gazetaren e Report Tv Admirina Peçi. Më 15 dhjetor 2023, në bunk Art1 u dha premierë filmi italo-francez “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”  I regjisorit Luciano Tovoli. Filmi u shfaq për herë të parë pwr publikun shqiptar pas 40 vjetësh. 

Intervista e Kadarese, 15 dhjetor 2023

Zoti Kadare, ju e njihni shumë mirë se si funksiononte diktatura, me çfarë levash funksiononte dhe se si nga momenti në moment një bashkëpunim i tillë ishte si një bombë me sahat që mund të shpërthente. Duke njohur po ashtu të gjitha tekat e drejtuesve të regjimit, ju si e përjetuat këtë përvojë? Ju ishit në mes të këtyre dy zjarreve, ishte e vështirë? Kishit tension? Çfarë rrezikohej?

Ismail Kadare:Po, padyshim ishte jashtëzakonisht e vështirë sepse ishte shumë delikate. Kishte një karakter të theksuar politik në mes. Binte në kundërshtim me disa porosi, me disa betime që kishte bërë partia komuniste për artin shqiptar, disa, d.m.th. kishte një turbullirë të pakuptueshme se si mund të bashkëpunohej me një kineast perëndimor, me disa kineastë perëndimorë për këtë film. Me një fjalë, vetë unë nuk e besoja kur ishim duke, kur më thanë se do të marrësh pjesë në atë. E dija që ishte shumë delikate, që mund të krijoheshin keqkuptime të rënda shumë, papritur, padashur dhe u habita që u pranua dhe sigurisht prapë u habita kur u anulua sepse nuk anuloheshin kollaj gjërat në Shqipëri pa ndonjë arsye të thellë politike, që t’u vinte nga lart, një urdhër që vinte nga lart, nga krerët e shtetit, të qeverisë, të partisë dhe deri në fund s’e kam kuptuar, të them të drejtën, këtë situatë të vështirë ku u gjenda, ku s’dija se çfarë qëndrimi duhej të mbaja, si duhej ta mbaja, si duhej ta shprehja. Duhej të isha, të mos shprehja, kishte rrezik që një pakënaqësia ime e hapur do të merrej si një punë revolte kundër regjimit, si të thuash. I gjithë populli e dinte këtë histori, e mori vesh dhe prisnin me padurim njerëzit se si do të mbaronte kjo dramë, dramë e vështirë. Megjithatë u kalua, u kalua si të thuash. U kalua në mënyrë brutale, në kuptimin që, u tha që ana shqiptare nuk do të marrë pjesë. Kjo nuk u deklarua publikisht as që do të marrë pjesë, nuk u deklarua as që nuk do të marrë pjesë. Nuk u deklarua, siç bëheshin gjërat në vendet komuniste. Kishte gjithmonë një mister për gjërat delikate, që të shmangeshin spekulimet politike në stil të gjerë, si të thuash.

Ju keni pasur miqësi me producentin e këtij filmi, zotin Michel Picoli dhe besoj keni folur pas këtij dështimi të këtij bashkëpunimi me të. Ju ka shprehur indinjatë? Çfarë ka thënë Picoli pas këtij dështimi?

Ismail Kadare: Unë pas kësaj nuk, kam qenë i larguar nga grupi si të thuash, që ende figuronte si grup, grup pune dhe kështu që kam shmangur që të kem, u jam shmangur deklaratave ose s’më ka rënë rasti të shprehem, se do ta kisha pasur shumë të vështirë. D.m.th. nuk kam shprehur publikisht as refuzimin tim për të marrë pjesë, as mosrefuzimin tim për të marrë pjesë. Kam qenë në një periudhë shumë të vështirë, shumë delikate, shumë të rëndë dhe në njëfarë mënyre do të thosha misterioze, si të thuash, sepse e gjitha lidhej me një mister që varej nga sekreti shtetëror.

Pak muaj më vonë ndodhi edhe vrasja e ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu. Pas kësaj, kishit ju vetë si shkrimtar ndonjë indicie apo ndonjë presion nga regjimi?

Ismail Kadare: Jo, nuk kam pasur. Regjimet shqiptare ishin shumë të kujdesshme që të mos krijonin incidente me shkrimtarët e shquar. Unë isha shkrimtar shumë i njohur edhe donin që të krijohej përshtypja sikur gjërat kalonin lehtë, si të thuash. Ishte mënyra, stili i tyre, një stil shumë diabolik do të thosha, me shumë pikëpamje. Tani, edhe kur e mendoj tani, më duket gjë disi e pabesueshme. Si i paskam jetuar unë ato? Si i kam kapërcyer ose si janë kapërcyer ato ngjarje? Gratë e udhëheqësve luanin një rol shumë negativ në të gjitha këto zhvillime. Me anën e tyre kryheshin intriga private, personale, të fshehura, misterioze, që nuk ua kuptoje dot ku e kishin qëllimin dhe pse bëheshin. Ishte shumë e vështirë. Prandaj shumë njerëz kishin të drejtë t’u shmangeshin për të mos humbur disa herë, d.m.th. kanë humbur edhe kokat.

Zoti Kadare, një pyetje e fundit. Besoj se është hera e parë që ju e shikoni filmin.  Cili është opinioni juaj, se kush më shumë sesa ju mund ta gjykojë?

Ismail Kadare: Ky është një film që ka, edhe ngjan me veprën time, që ka si burim veprën, edhe nuk e ka. Është një film, një trajtim origjinal, i parë nga një vështrim tjetër, jo i autorit. Nuk është vështrimi im. E kam të vështirë t’ju jap një mendim. Filmi ishte shumë interesant, dramatik shumë, por nuk ishte film që e kam bërë unë, si të thuash, ose nuk është film i veprës sime. Nuk mund të pretendoj unë as të mirat e tij t’ia ofroj veprës sime, as të metat e tij, mungesat e tij që mund t’i duken dikujt, ta lidh me të. Me një fjalë, unë kam qenë i ndarë shpirtërisht nga kjo. Më ndanë, si të thuash, me një dhunë barbare por dinake shumë, misterioze dhe unë nuk e dija që ishte. Sot për herë të parë e shikoj këtë film tamam. Ka pjesë që nuk kanë të bëjnë me atë ç’kam shkruar unë, ka pjesë që janë të krjuara me një vështrim krejt të ri misterioz, prandaj unë nuk jam në gjendje të them tamam. Jam pak i befasuar që e shoh. Film shumë interesant megjithatë.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?