Intervista e plotë/ Astrit Veliaj në Report Tv: Basha të ndërgjegjësojë veten e tij, në PD ka kandidatë me të shkuar kriminale!

6 Tetor 2020, 08:45| Përditesimi: 6 Tetor 2020, 08:53

  • Share

Ish deputeti demokrat i qarkut të Beratit, Astrit Veliaj i ftuar në studion e Report Tv ka hedhur akuza kundrejt Partisë Demokratike. Ai tha se në qarkun e Beratit, ku u përjashtua pas votimit të anëtarësisë, po kandidojnë persona me rekorde kriminale.

Do të flasim për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në PD. Siç duket, kanë nisur edhe pakënaqësitë. Emrat e rëndësishëm të selisë blu ndër vite, që kanë mbajtur edhe poste, në vitin 2021 nuk do të jenë në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të votimeve të anëtarësisë. Një prej tyre është edhe zoti Astrit Veliaj, ish-deputet i Qarkut të Beratit.  Zoti Veliaj, ne i kemi parë reagimet në rrjetet sociale dhe besoj se jeni i zhgënjyer. Ju jeni një prej kontribuesve në PD, keni mbajtur mandatin e deputetit nga viti 2013 e në vazhdim për këtë forcë politike. A e prisnit këtë vendim të anëtarësisë apo ishte surprizues për ju?

Nuk ishte surprizues jo vetëm ndaj meje, por ndaj të gjithë anëtarësisë së PD-së, ndaj të gjithë njerëzve që konkurojnë për të qenë deputetë ose për të qenë të realizuar në një forcë politike, për të dhënë kontributin e tyre. sigurisht që unë kam hyrë më 2013 në parlament, por unë jam ndier më përpara deputet, para se të hyja në parlament. Për vite të tëra kam qenë kontribues i njerëzve në nevojë, i njerëzve me aftësi të kufizuara dhe kjo më ka bërë që të ndihem deputet para se të hyj në parlament. Më kanë bërë njeri me imunitet pasi kisha fituar imunitetin e njerëzve të asaj krahine dhe sot absolutisht ndihem deputet. Nuk më bën karrigia deputet, më bën ndjenja ime. A më mungon imuniteti i parlamentit? Kam një imunitet të një mase të madhe njerëzish, kam kontribuar prej vitesh e vitesh të tëra në atë krahinë.

Ju mendoni që anëtarësia ka pasur instruksione nga baza në Tiranë se cilët emra duhet të përzgjedhë për t’i lënë jashtë kësaj liste?

Sigurisht që komisioni i vlerësimit na vlerësoi të gjithë ne kandidatëve për t’u votëbesuar në bazë. Mendoj që një organizatë partie ndjek shpirtin e qendrës, nuk mund të jetë e vetme në këtë nominim, në këtë eliminimin tim. Mendoj që ka një frymë. Çdo ushtar sheh fytyrën e komandantit. Dhe kjo nuk është vetëm çështje baze. Mendimi se uji vjen nga malet i kulluar dhe turbullohet poshtë, është një mendim i gabuar. Mendoj që njerëzit shohin fytyrën e të parit.

Si i keni pasur ju raportet me bazën e PD-së Beratit gjatë kësaj periudhe?

Sigurisht, relativisht herë të mira e herë të këqija. Kam pasur një raport të shëndetshëm me njerëzit që kanë pasur një raport me të vërtetën. Kam qenë gjithmonë kritik ndaj njerëzve që kanë marrë peng partinë në disa degë. Një nga këto degë është edhe Berati. Njerëz me të shkuar kriminale, të financuar nga grupe kriminale, kandidojnë sot për deputetë në Qarkun e Beratit për PD-në dhe lihet deputeti i dy mandateve, një nga investitorët më të mëdhenj, një nga njerëzit që ka investuar në atë krahinë me rrugë, me asfaltime, me arsimim. Vetëm në Qarkun e Beratit, nga Universiteti i Beratit janë arsimuar me tarifa sociale 3 200 studentë. Sot bashkia, institucionet private e shtetërore në Qarkun e Beratit, rreth 70%, janë nga Universiteti i Beratit dhe i Tiranës. Për këtë jam krenar sepse u kam dhënë mundësi dhe shanse atyre njerëzve për t’u realizuar.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me kryetarin e PD-së zotin Lulzim Basha? Keni pasur kontakt para ose pas këtij vendimi?

Jo, nuk kam pasur kontakt, as para as pas. Marrëdhëniet e mia kanë qenë herë larg e herë afër. Sa herë që ai shkelte parimet rrija larg, sa herë që vepronte me parime dhe drejt, i afrohesha.

I ka shkelur shpesh parimet?

Po. Kam qenë gjithmonë kritik ndaj tij, ndaj veprimit në bazë, ndaj mosndëshkueshmërisë së njerëzve të pandershëm atje. Kam çuar vazhdimisht raporte, prej 3 vitesh, që nga humbja e vitit 2017 e deri tani. Ndërsa ai vazhdimisht më është përgjigjur: “Mos u përziej, s’është puna jote, nëse s’është puna jote mos u ngatërro”. Kam qenë pjesë e debateve të vazhdueshme në grupin parlamentar për kapjen e partisë në bazë nga njerëz meskinë, nga njerëz që shohin vetëm interesin e tyre dhe të një grupi të caktuar, për të ndarë nesër pushtetin e ardhshëm imagjinar. Kjo ka ndodhur. Ky ka qenë konflikti i vazhdueshëm atje me grupin që ka mbërthyer PD-në.

Ka pasur pasoja te ju denoncimi që i keni bërë këtyre individëve te zoti Basha?

Kjo pra është ajo. Pandëshkueshmëria e liderit ndaj këtyre njerëzve të pandershëm ka sjellë këtë situatë. Dhe unë dyshoj sepse kjo pandëshkueshmëri nesër do të transferohet në pushtet. Dhe kjo është e rrezikshme për PD-në. Por nuk mendoj se Basha është një njeri i painformuar për të gjitha qarqet, se çfarë ka ndodhur, por pamundësia e tij për të vepruar e ka çuar në këtë gjendje PD-në në disa qarqe ose në disa degë.

Duke marrë parasysh se çfarë ndodh në Berat, është pamundësi për të vepruar apo padëshirë?

Kam përshtypjen që është në një ngërç me veten, nuk e ka forcën për të luftuar pandershmërinë dhe ky është një rrezik për ardhjen në pushtet. Basha është njeri perëndimor, i kultivuar jashtë, ka qenë në pushtet, është në opozitë, Është temperuar shumë gjatë këtyre viteve, por i mungon kuraja për të luftuar pandershmërinë. Është çështje e brendshme e tij. Është një ngërç i madh për një njeri që do të drejtojë nesër pushtetin. Kështu që mendoj se ai duhet të ndërgjegjësohet vetë për të pasur një model tjetër në qeverisje. Të paktën, të marrë modelin e Kosovës apo të Malit të Zi, që kryetari delegon kryeministrin. Në pamundësi për të pasur shpatulla për ta mbajtur pozicionin e kryeministrit, LDK-ja, Isa Mustafa delegoi Vjollca Osmanin.

Pra ju do të donit, do të ishte një mundësi që zoti Basha të mos jetë nesër kryeministër?

Ai duhet ta ndërgjegjësojë veten e tij se mund të rrezikojë një forcë politike të madhe me mosvendimmarrjen e tij.

Kush mund të jetë një emër nga PD-ja?

Nuk po flas për emra. Mendoj që emrat duhet t’i gjykojë ai, duhet t’i zgjedhë ai. PD-ja ka resurse, ka elementë, ka ekspertë të fushave të ndryshme, të ekonomisë, të jurisprudencës, të sipërmarrjes, të bankierëve të mëdhenj që kanë marrë rreziqe të mëdha në jetë, që janë të sprovuar ashtu siç është i sprovuar edhe Basha në politikë, një lider elokuent, i formuar në Perëndim me mendësi perëndimore dhe më mirë se ky s’ka kush e bën tjetër. Kjo është një mundësi e artë për atë, që të bëjë ndryshimin, për të lënë një model në Shqipëri.

Ju mendoni se Basha ka bërë 8 vite në opozitë me kaq shumë vështirësi, për t’ia lënë karrigen e kryeministrit dikujt tjetër?

Një lider nuk mendon për karrigen, një lider e bën akti të madh nuk e bën karrigia e kryeministrit. Të fusë një model të ri dhe ta mbyllë këtë histori 30-vjeçare “unë dhe unë dhe asnjë tjetër”. Ta hapë Shqipërinë ndaj njerëzve të suksesshëm, të mençur, ndaj njerëzve të fushës akademike, të biznesit. Kështu që do të lartësojë veten, do të jetë mbi kryeministrin, do të ketë në kontroll kryeministrin. Është gjë e madhe. Në qoftë se ky do të jetë kryeministër dhe kryetar partie, sigurisht që nuk do ta kontrollojë më njeri. Ai sot nuk po arrin të kontrollojë dot bazën. Baza është shthurur. Ka ikur koha e një lideri autoritar, të cilët nuk guxonin nga frika, nga autoriteti. Por mënyra demokratike e tij prej perëndimori, i ardhur pa sherre, pa eksese, e ka shthurur bazën. Nuk janë të vetëdijshëm. Ata thonë: “Ky këtë model ka, do të na lërë të lirë neve, të bëjmë çfarë të duam”. Natën atje ndahen parcelat e pushtetit. Sot vazhdojnë akoma të ndahen parcelat. Ndahen vendet e drejtorit etj., të gjitha pozicionet janë të shitura, janë të ndara nga këta njerëz sepse nuk ka ndëshkueshmëri ndaj pandershmërisë. Nuk e bën dot, është e kotë. Janë 7 vite që nuk ka marrë asnjë masë karshi askujt.

Farsat zgjedhore cenojnë besimin, harmoninë dhe bashkëjetesën brenda familjes. Kështu thoni ju. E cilësoni si një farsë të gjithë këtë proces të vlerësimit të kandidatëve dhe më tej votimin e tyre që po bëhet në të gjitha qarqet?

Është e gabuar. Partia mobilizohet për të promovuar, nuk mobilizohet për të eliminuar. Eliminimi është një klan okult i disa organizatave, si ta themi, i një prejardhjeje komuniste ku fshati mblidhej për të vrarë beun e fshatit. Kjo nuk na çon përpara.

Po thoni që duhej të ishin thithur figura që kanë vlera dhe të mos përjashtoheshin?

Duhet promovimi dhe jo eliminimi. Ky ka bërë të kundërtën, ka vrarë shpresën, shpirtin e iniciativës së lirë, ka vrarë biznesin human. Kjo do të thotë që nuk ka shpresë në këtë vend, nuk mund të kesh shpresë, nuk mund të jesh njeri human se je në dorën e atyre njerëzve klanistë atje që kanë në dorë të bëjnë çfarë të duan, të zgjedhin kë të duan, të votojnë kë të duan. Është ngritur një frymë bizantinizmi se vetëm me mashtrime dhe me gënjeshtra mund t’ia dalim.

Nga rrjeti juaj social i facebook-ut duket sikur keni një ndjenjë nostalgjie për kohën kur zoti Berisha drejtonte Shqipërinë. Keni komunikim me të? Mendoni se, pavarësisht se ai nuk ka folur, mund të jetë dakord me atë çfarë po ndodh sot në PD?

Unë besoj se ai do të mbetet në histori për aktin e tij të dorëheqjes. Ka ndodhur rrallë që një lider kaq i fuqishëm, një njeri autoritar, me kaq elokuencë dhe me kaq elektorat në Shqipëri, dha dorëheqjen, u largua nga egoja e tij personale.

Kishte të bënte kjo ndoshta me moshën dhe me karrierën e tij politike, me faktin se ishte konsumuar?

Jo, fare. Sot ai është njeriu që ka elektoratin më të madh dhe pa mbështetjen e tij PD-ja nuk vjen në pushtet. Ai ka një pushtet që buron nga fjala e tij e lirë, nga pjekuria dhe nga mençuria e tij. Kështu që sot ai është njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, një pushtet që i buron nga fjala e lirë.

Edhe më i pushtetshëm se Edi Rama?

Sigurisht. Ai do të mbetet në histori për aktin që ka bërë. Uroj që të njëjtën gjë ta bëjë edhe Basha me vetëdije, që të largohet nga qenia në karrige dhe t’i japë mundësi Shqipërisë që të hapet, të largohemi nga këta njerëz që, me të drejtë apo me të padrejtë, janë të përbaltur. Mund edhe të mos ketë, por të largohemi që të mos merremi nesër me një kryeministër që t’i fillojë përbaltja pa fund. Të gjejmë një figurë që është e baraslarguar nga këto thashetheme.

Duke u nisur edhe nga baza e Beratit, ju si pjesë e jetës publike duhet t’i keni dëgjuar mosbesimet që kanë demokratët, të cilët janë të pakënaqur se në fakt ka një armiqësi midis Ramës dhe Bashës sepse një pjesë e tyre e shohin edhe si një marrëveshje, duke u nisur edhe nga ajo që ndodhi më 2017. Këta individë në Berat, që sot e kanë kapur PD-në siç thoni ju, kanë mbështetje politike edhe majtas?

Sigurisht që kanë bërë manovra të vazhdueshme më 2017, e kanë trafikuar votën. Por ka ardhur momenti që shqiptarët po kuptojnë se PD-ja po vjen në pushtet dhe të gjithë janë bashkuar drejt një fitoreje të madhe. PD-ja është një logo e madhe, është një emër, një brend i madh dhe kushdo nga demokratët që këto 30 vite ka pozuar me këtë logo, i bëj thirrje që të vijë e të votojë PD-në për një ndryshim të madh.

Edhe pse ju nuk do të jeni pjesë e listës?

Absolutisht, nuk ka të bëjë me mua. Unë jam një nga kontribuesit e PD-së, kam një investim të jashtëzakonshëm dhe nuk e ndërroj me asgjë. Unë jam krenar që jam pjesë e PD-së dhe kjo krenari nuk ka çmim.

Pavarësisht se deri tani nuk jeni pjesë e listave për deputetë, e shihni veten në qeverisje ose në një post të rëndësishëm në PD?

Absolutisht jo.

Nuk do ta pranoni edhe nëse do t’ju ofrohet?

Nuk ndryshon asgjë. Unë dua që të ndryshojë mentaliteti, qasja e kreut të PD-së dhe e kryesisë së PD-së dhe kjo të reflektohet në bazë tek ata njerëz. Kjo është për mua. Dua që të ketë liri ekonomike. Unë jam një biznesmen i suksesshëm. Kurrë s’e kam parë politikën si instrument për realizimin tim vetjak, por kam zgjedhur rrugën e vështirë, atë të shqiptarit të thjeshtë, të punës me sakrifica. Këto 30 vite kam ndërtuar institucione private me dobi publike, ndërtesa simbol në Berat, në Fier, në Durrës. Janë krenaria e qyteteve, janë kthyer në ndërtesa simbol, janë kthyer në qendra turistike. Njerëzit vijnë për të parë Kalanë e Beratit dhe përfundojnë tek Universiteti i Beratit.

Ju jeni i suksesshëm dhe kjo nuk diskutohet, por ka pasur edhe ulje-ngritjet e veta e gjithë karriera juaj në disa raste të caktuara. E kam fjalën këtu p.sh., për disa nga akuza nga Prokuroria, të cilat nuk u vërtetuan më pas. Mendoni se këto momente kanë pasur një sponsorizim politik nga personat që keni denoncuar, pra që ata janë munduar të hakmerren në forma të tjera?

Jo, nuk mendoj që është kështu. Nuk e di. Ka qenë një akuzë për një ndërtim pa leje, por nga 1 milion ndërtime pa leje që janë bërë në Shqipëri, se njerëzve iu dha mundësia që të ndërtonin dikush një kasolle, dikush një shtëpi, dikush një pallat, siç ishte koha, i vetmi që ndërtoi 3 universitete isha unë. Dhe i vetmi njeri që shkoi në gjykatë isha unë.

Prandaj pyeta që kjo pjesë ka një udhëzim politik?

Nuk e di. Këta dënojnë shpirtin, iniciativën, dijen. Ky është problem i madh. jam njeriu që kam ngrënë goditjen më të madhe nga kjo mazhorancë, më janë mbyllur dy aktivitete. Kam rrezikuar më shumë në Fier dhe në Berat. Kam asociuar biznesin tim me PD-në dhe ky është investimi më i madh. E kam asociuar sepse është partia që na dha mundësinë që ne të bëheshim, të zhvilloheshim, që të bënim një histori suksesi. Dhe unë ia dedikoj kësaj dhe nuk e kam pishman që jam pjesë e kësaj partie.

Ju keni qenë pjesë e grupit të ligjvënësve demokratë në kohën kur latë mandatet në Parlamentin e Shqipërisë. Sa dakord keni qenë ju me atë vendim? Po tani që jeni jashtë atij parlamenti mendoni se keni bërë veprimin e duhur apo ishte një vendim i prerë i kryetarit?

Jo, ishte një mendim kolegjial, që u mendua se nuk kishte rrugë tjetër përveç daljes nga parlamenti, nga një parlament i cili nuk pyeste për asgjë kur merrte vendimet. Ne pothuajse ishim jashtë. Ne dolëm me qëllimin për ta rrëzuar atë parlament, por nuk arritëm ta rrëzonim sepse aty shkoi pjesa tjetër dhe e mbajti gjallë. Ne nuk do të ishim sot në këtë situatë, në qoftë se ata nuk do të hynin. Kështu që nuk e prisnim këtë pjesë të tradhtisë së grupit tonë.

Keni marrë premtim nga zoti Basha ju që keni djegur mandatet, se sapo të vinte PD-ja në pushtet, do t’i kishit të garantuara mandatet tuaja?

Fare, absolutisht jo.

Është njëfarë tradhtie kjo, që ju e bëni në emër të partisë dhe partia dy vite më pas jua kthen në këtë mënyrë sakrificën që keni bërë, sepse të djegësh një mandat deputeti të fituar me forcat e tua është njëfarë sakrifice.

Nuk ka pasur ndonjë gjë të qëllimshme ndaj meje, por sistemi që është ngritur është i gabuar. Nuk ka qenë qëllimi që të goditet Astriti apo dikush tjetër me pandëshkueshmërinë e këtyre njerëzve të pandershëm.

Pra mbushen listat me emra njerëzish të pandershëm.

Po, ky është problemi. Menaxhimi i kësaj situate nuk ka qenë në gjendje që ta bëjë këtë. Nuk ka pasur autoritetin që të ndalë, të frenojë pandëshkueshmërinë dhe njerëzit e pandershëm. Nuk ka pasur fuqinë.

Një ditë, a do t’i denonconi me emra këta persona që e kanë marrë peng PD-në e Beratit?

I kam denoncuar disa herë. Kam çuar raporte te kryetari. Më ka thënë: “Mos u merr me atë punë ti”. Përfundimi është ky.

Edhe publikisht?

Edhe publikisht, edhe në grupin parlamentar e kam ngritur: “Mos çoni njerëz që shesin vendet e punës me 1 500 euro”. Kanë dërguar të deleguar nga Tirana, nga kryesia në Berat për të menaxhuar situatën për zgjedhjet lokale dhe në këshillin bashkiak kanë shkuar njerëz që kanë blerë votat 1 500 euro. Është bërë publike, ka dalë edhe në gazetë.

Kanë blerë vota për PD-në?

Jo, kanë shitur mandatin e këshilltarit për 1 500 euro. Pra, ata që kanë shkuar, e kanë blerë mandatin, ua ka dhënë i dërguari i partisë. D.m.th. partia me këto veprime ka cenuar sistemin e vlerave.

Ku kanë përfunduar këto para?

Partia ka cenuar sistemin e vlerave të demokratëve me kontribute. Është një fenomen shumë i rrezikshëm se nesër askush nuk do të ketë besim që t’i afrohet kësaj partie, në qoftë se do të vazhdojë ky fenomen. Ky fenomen duhet ndalur urgjentisht.

Nga ana e komunitetit që ju përfaqësoni apo e elektoratit, a ka pasur reagime në momentin kur mësuan se ju nuk do të jeni pjesë e listës së kandidatëve për deputetë?

Është tjetër gjë grupi që ka marrë peng partinë atje dhe tjetër gjë populli.

Për popullin po pyes.

Absolutisht, më 2009 kam bërë një peticion për mbështetjen e universitetit dhe kam marrë 32 000 vota. Kam një mbështetje masive atje sepse u kam bërë mirë atyre njerëzve. Kam shtruar me zhavorr 32 km rrugë, më 2013; 6 km me asfalt me financimet e kompanisë sime.

Mund t’u kërkoni që të bojkotojnë zgjedhjet?

Jo, unë po u kërkoj të gjithë demokratëve, atyre që janë por edhe atyre që janë larguar, që këto 30 vite mund të kenë pozuar me logon e PD-së, të vijnë dhe të votojnë PD-në. Partia Demokratike do të shkojë në pushtet, me kryetarin, do ta marrë me vete dhe do ta çojë në pushtet.

Pavarësisht nëse e meriton apo jo.

Ai e meriton deri diku, pavarësisht se sondazhet e çojnë më poshtë se sa PD-ja, por partia do ta nxjerrë nga fundi i sondazheve ku është dhe do ta çojë atje. Por nuk dua të aludoj për kryetarin sepse, siç e thashë, për të gjitha ato çfarë meriton si njeri me elokuencë, intelektual, që ka menaxhuar opozitën në mënyrë të shkëlqyer këto 7 vite, mbajti, ruajti unitetin e partisë, por ky veprim është mangësi e tij e brendshme, që s’është me të thënë por është me të dhënë. Nuk e ka guximin që të bëjë vendimmarrje të tillë. Ky është handikapi dhe ngërçi i tij. Nuk kam gjë tjetër, përveçse e shoh njeri të përkryer.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?