Intervista e plotë/ Balla në Report TV: Meta bën fushatë skutave për LSI-në me eksponentë kriminal! Besoj se nisja e negociatave me BE do bëhet brenda vitit!

16 Tetor 2020, 07:54| Përditesimi: 16 Tetor 2020, 08:35

  • Share

Zoti Balla, nga Presidenca ka ardhur reagimi më i fundit: “Buburrec trendi respekto urgjent 5 qershorin se le nam dhe dëno në emër të OSBE-së zgjedhjet e Kirgistanit që ishin si të Shijakut dhe Dibrës. Ishe ti që i fute në parlament dhe i vendose në krye të bashkive kriminelët dhe trafikantët. Këtë e di gjithë bota. Po të pres kudo në përballjen televizive. As në skutat e Twiter-it nuk fshihesh dot po nuk respektove 5 qershorin”, - thotë Tedi Blushi, zëdhënësi i presidentit. Ju lutem, një koment të shkurtër.

          Mirë është që çdo qytetar të mbajë maskë dhe besoj që edhe këto minuta të vyera në emisionin tuaj të jenë një mesazh i rëndësishëm për të gjithë qytetarët që të mbajnë maskë. Ndërkohë që kur flet Ilir Meta apo institucioni i Presidencës, qytetarët të ndryshojnë kanal, nuk ka rëndësi që ta dëgjojnë fare dhe nuk besoj që meriton kjo gjuhë rruge dhe ky rrugaç t’i kthesh përgjigje. Ajo që më vjen keq, unë nuk di në cilin vend të botës Presidenti i Republikës kërkon debat me Kryeministrin. Presidenti i Republikës në rast se do debat me Kryetarin e PS-së apo me çdo përfaqësues tjetër të PS-së, duhet pikë së pari të japë dorëheqjen nga institucioni i Presidencës, të kthehet, le të themi zyrtarisht se jozyrtarisht të gjithë e dimë, të kthehet de facto në krye të LSI-së, sepse Presidenti i Republikës tashmë prej muajsh dhe intensivisht prej javësh është në takimet elektorale, ku prezanton kandidatët e LSI-së nëpër skuta dhe në prezencë të individëve me probleme të theksuara kriminale.

          Pse nuk flisni me emra, sepse e sfidoi publikisht zotin Rama tek asambleja kur i tha: “Në qoftë se më jep vetëm një emër, unë jap dorëheqjen nga Presidenca”.

          Duroni dhe do shikoni. Por ajo që po ju them është që në këtë moment zoti Ilir Meta është Presidenti i Republikës dhe në këtë kontekst, ne ende vazhdojmë të shpresojmë që Presidenti i Republikës, në varësi edhe të hënës, do të ketë momente kur hëna të rrotullohet që të reflektojë pozitivisht për institucionin që mban.

          Kjo nuk është hera e parë në fakt që ka përplasje të ashpra, që kanë kaluar në gjuhë edhe më të rëndë, para vitit 2013 ose edhe në vitin 2008, kur zoti Meta ishte kundër ndryshimeve kushtetuese. Mund të ketë një pajtim sërish dhe shqiptarët të jenë përsëri dëshmitarë të një 1 prilli tjetër?

          Për mua e rëndësishme është çfarë pozicioni mban zotëria. Se çfarë ka qenë Ilir Meta, të gjithë shqiptarët e dinë. Ka 30 vite që i ka mbajtur të gjitha pozicionet që mund të ketë në këtë vend. Nuk ka krahasim me askënd. Ilir Meta ka qenë sekretar shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme, zëvendëskryeministër, kryeministër, zëvendëskryeministër, minitër i Jashtëm; pastaj ministër i Jashtëm, zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës; ministër i Ekonomisë, zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës; kryetar parlamenti; president republike.

          Thuajeni në qeverinë e Edi Ramës.

          Kryetar parlamenti.

          Dakord pra, por në qeverinë e Edi Ramës, sepse edhe ju keni kontributin tuaj në figurën e Ilir Metës.

          Kryetari i parlamentit nuk është pjesë e qeverisë, që të jemi korrektë me termat. Kryetari i parlamentit zgjidhet nga parlamenti. Partia Socialiste e Shqipërisë në vitin 2013 nuk i kishte numrat për të zgjedhur kryetarin e parlamentit nga radhët e saj. Kemi pasur një marrëveshje, i kemi qëndruar striktë asaj marrëveshjeje politike dhe, po për shkak të një marrëveshjeje politike, për shkak se PS-ja nuk i kishte numrat për të zgjedhur Presidentin e Republikës nga radhët e saj edhe pse në aspektin moral dhe të një historiku të kaq shumë viteve, PS-ja e ka pasur Presidentin e Republikës vetëm një herë, nga viti 1997 deri në vitin 2002, zotin Meidani dhe gjatë gjithë momenteve të tjera që kanë rrjedhur, Presidenti i Republikës nuk ka qenë një përfaqësues i PS-së. Normalisht duhej të kishte qenë që Presidentin e Republikës në 2017-n ta zgjidhte PS-ja. Nuk i kishim mundësitë.

          PS-ja e zgjodhi, zoti Balla, ju lutem, se e duartrokitët aq shumë sa duartrokitej dikur në kongrese.

          Ajo që po them është që të zgjidhte një përfaqësues të saj. Ilir Meta është pjesë e një konteksti politik të votave në Kuvendin e Shqipërisë dhe PS-ja nuk kishte 71 vota për të zgjedhur një president republike, në raundin e katërt.

          A jeni penduar që nuk e shkarkuat para disa muajsh me komisionin hetimor? Thuajse ishte i shkarkuar me deklaratat e forta që bëtë të gjithë ju përfaqësuesit e mazhorancës.

          Presidenti i Republikës në një republikë me këtë Kushtetutë që ne kemi, propozohet për t’u shkarkuar nga parlamenti, por procesi i shkarkimit ndodh nga Gjykata Kushtetuese. Pra nuk e shkarkon vullneti politik por e shkarkon argumentimi kushtetues. Dhe unë vlerësoj lart punën hetimore të komisionit lidhur me shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe komisioni argumentoi që shkeljet ishin të rënda, por nuk justifikonin shkarkimin.

          Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë edhe për zgjedhjet e 30 qershorit, që janë dërguar atje nga zonja Ademi, si përfaqësuese e bashkive të djathta. Po e them meqë jemi te rëndësia e këtij institucioni, që më parë ka shkaktuar një ping-pong në Shqipëri, përgjithësisht.

          Zonja Ademi është një njeri që vazhdon të jetë në detyrë për shkaqet që dihen. Ajo që dua t’ju them unë është që, në fund të fundit, në jurisprudencën e vendit tonë, edhe Kushtetutën e kemi bërë me ekspertizën e vyer të Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias është një organ që në çdo rast do të konsultohej nga Gjykata Kushtetuese dhe e ka kryer opinionin e vet për këtë çështje, për zgjedhjet e 30 qershorit. Unë do t’ju ftoja që ta rilexonit dhe në lajmet tuaja ka qenë pjesë kur është botuar ose kur është publikuar. Çështja e 30 qershorit 2019 është një çështje e sqaruar tashmë, me një argument tepër të thjeshtë dhe implicit.

          Nga Komisioni i Venecias dhe jo nga Gjykata Kushtetuese. Nuk i merr vendimet Komisioni i Venecias sepse është këshillues dhe jo vendimmarrës.

          Ju lutem, historikisht Gjykata jonë Kushtetuese për çështje të këtij karakteri është konsultuar me Komisionin e Venecias.

          Sidoqoftë nuk mund të hedhim fall se çfarë mund të bënte Gjykata Kushtetuese.

          Më lejoni që të bëj argumentimin tim dhe ju, me qetësinë që duhet t’ju karakterizojë, duhet të pranoni atë që unë mendoj. Ajo që dua të them, është që unë po i referohem një dokumenti që është zyrtar, publik, sikurse është Komisioni i Venecias, i cili ka qartësuar që në asnjë rast, asnjë parti politike nuk ka të drejtë të bllokojë mbajtjen e zgjedhjeve. Pretendimi i PD-së dhe i LSI-së për të mos zhvilluar zgjedhjet e 30 qershorit ka rënë dhe kryetarët e bashkive, në të gjitha bashkitë ku janë zgjedhur nga zgjedhjet e 30 qershorit, kanë një mandat 4-vjeçar dhe ky dikutim, në vlerësimin tim, është i ezauruar.

          Të ndalemi pak te platforma “Deputeti që duam” që prezantuat pak më parë bashkë me Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Rama. Në mos gaboj, janë 20 emra që do të zgjidhen nga kjo platformë?

          Atë nuk e dimë.

          Sa nga këta emra që do të dalin nga kjo platformë do të jenë në listat e sigurta të PS-së, se mund ta marrësh p.sh., si kandidat dhe mund ta vësh të 22-tin në Tiranë.

          Mos ua qani ju hallin atyre. Nëse ata janë të shkëlqyer, mund të jenë në krye të listës dhe unë besoj që do të ketë plot.

          Jo, unë ua qaj hallin juve, se mund t’ju zënë vendin juve që keni bërë gjithë këto përpjekje për mandatin.

          Padyshim, politika ka nevojë gjithmonë për energji të reja. Energjitë nuk vijnë nga mosha. Mund të jesh më në moshë se ju dhe më në moshë se unë dhe mund të kesh më shumë energji se ne të dy bashkë. Ajo që po them është se ne kemi ndërtuar, mendoj që është një eksperiencë që është e re në kulturën politike shqiptare dhe në kulturën e partive politike në Shqipëri, ku ne kemi krijuar një mundësi që ata, që nuk do hezitoja t’i quaja personalitete në fusha të caktuara, pra mund të jesh një fermer që ke dhënë një model të mënyrës së admnistrimit të

          Por që nuk merr vota.

          Të lutem, ta mbaroj. Këtë prirjen tuaj për të ndërhyrë edhe për gjëra që të paktën ju nuk i dini, sepse ju thoni që nuk merr vota. Por ti, në emër të popullit flet që

          Por unë e di se si funksionon politika në Shqipëri.

          Unë po them që Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për përfaqësues të fermerëve, ka nevojë për përfaqësues të mësuesve, ka nevojë për përfaqësues të mjekëve apo të infermierëve, të emigracionit dhe këtu do të doja të ndalesha.

          Pas 8 vitesh qeverisjeje i kuptuat këto nevoja, zoti Balla?

          Më fal, por ne i kemi pasur në mënyrë të vazhdueshme dhe kur ne i kemi sjellë personalitete të fushave të caktuara, të cilët kanë marrë edhe drejtpërsëdrejti pozicione të ministrit apo të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, edhe në zgjedhjet e vitit 2017, në listat e PS-së ka pasur njerëz që nuk kanë ardhur nga radhët e strukturave të PS-së, por janë personalitete që ne vlerësojmë. Por në kushtet e reja, në kushtet e teknologjisë digjitale, kemi krijuar një kanal të ri sikurse është portali deputetiqëduam.PS.al, ku unë do të ftoja këdo, edhe ata që na ndjekin nga emigracioni dhe atyre do t’u lutesha më shumë, sepse ka qenë një angazhim i PS-së dhe mbetet solid angazhimi ynë për të përfaqësuar sa më mirë shqiptarët që jetojnë jashtë territorit, që të aplikojnë. Është një aplikim shumë i thjeshtë, në kuptimin edhe për të lehtësuar gjërat, një video prej 2-3 minutash, ku ti prezanton arsyet pse mendon që mund të përfaqësosh komunitetin tënd, zonën tënde, profesionistët e sektorit ku ti je dhe pasi ajo ngarkohet dhe plotësohet një formular i shkurtër në atë aplikim, i gjithë dokumentacioni dhe ajo që ti depoziton do të vlerësohet dhe pastaj do të kemi një fazë tjetër që është një fazë e dytë, ku jo vetëm ata që do të kenë kaluar këtë skrutinimin e parë do të marrin pjesë në një proces trajnues intensiv dhe në fund pastaj do të jetë edhe një proces i fundit, ku një juri profesionistësh qoftë vendas, qoftë të huaj, do të mund të na sugjerojë se cilët janë ata që realisht mund të jenë të gatshëm për t’u konsideruar dhe do të përfshihen padyshim në listat e PS-së në 140 “lojtarët e Kombëtares” fituese të 25 prillit.

          Vetëm pak çaste më parë kemi parë një reagim nga homologu juaj në pozicion nga ana e selisë blu, sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, me anën e një statusi, ku thotë: “Edi Rama, i frikësuari i madh nga zgjedhjet brenda partisë së tij, qenka marrë sot me procesin demokratik të përzgjedhjes së kandidatëve në PD. Ekzaktësisht i njëjti kryetar partie që, për të mbajtur Dakon me shokë në kryesinë e PS-së, anuloi zgjedhjet për organet drejtuese në partinë e tij. I njëjti që tallet me procesin e përzgjedhjes së deputetëve në partinë e tij duke i trajtuar ata si porte dhe aeroporte në 3D. Nuk ka shqiptar që nuk e di që Edi Rama, përzgjedhjen e kandidatëve në partinë e tij e bën në bashkëpunim me krimin e organizuar. Kush e ka harruar gjen një provë të qartë që e ka dëgjuar e gjithë bota” dhe poston edhe një video. Keni një koment për këtë?

          Në fakt nuk është homologu im, sepse për shkak të pozicionit që unë mbaj në PS i bie që të kem homolog edhe Edmond Spahon si kryetar grupi parlamentar, edhe këtë zotërinë si sekretar i përgjithshëm, edhe Bujar Nishanin si kryetar i asamblesë.

          S’është faji ynë që zoti Rama ju ka dhënë kaq shumë besim.

          Ju lutem, e para besoj që ju mediat mund të luani rolin e një gjyqtari të paanshëm në këtë dhe me të drejtë, kryeministri sot citoi disa elementë që po media i ka cituar. Dhe kur emisioni “Fiks Fare” në Top Channel ka identifikuar raste me problematika të ngjashme edhe te ne apo te subjekte të tjera ose në proces zgjedhor se te ne nuk ka ndodhur në fakt një gjë e tillë, pra në mos gaboj, ditën e hënë, të gjithë shqiptarët kanë qeshur në familjet e tyre teksa kanë parë se si dy gazetarë të këtij emisioni investigativ me reputacion të padiskutueshëm sikurse është “Fiks Fare”, kishin mundësinë të regjistroheshin si anëtarë të PD-së dhe menjëherë të votonin pas Lulzim Bashës për kandidatët, tregon që kemi të bëjmë me një farsë, ku unë nuk di dhe nuk kam dëgjuar, janë kaq vite që merrem me organizim partiak dhe politik, nuk kam dëgjuar në asnjë vend të botës, që një parti politike të organizojë një palë zgjedhje, ku gjoja është thirrur anëtarësia e partisë, ku është thirrur e gjithë anëtarësia e partisë këtu në Tiranë dhe nga 140 kandidatë kualifikon 140 kandidatë dhe partia pyetet se cilin prej tyre nuk doni. Procesi zgjedhor ka një parim, cilin prej tyre vlerësoni, për kë je dakord që ky të jetë. Pra, për këtë bëhen votimet dhe ajo që kryeministri Rama, kryetari i PS-së Rama, tha në komunikimin që kishim me mediat, ishte pikërisht kjo. Unë nuk besoj që as ju të dy që jeni këtu, as kameramanët që kemi këtu në studion tuaj, kanë ndonjë mendim tjetër që për një idiotësi, edhe pse e bën kundërshtari ynë dhe që realisht më vjen shumë keq, që një parti politike në Shqipëri degradon në një histori kaq idioteske që ti thërret dhe pyet, aq sa e pyet anëtarësinë e partisë dhe pastaj në fund të votimit nxjerr të dhënat dhe thua që nga 400 votues kanë marrë pjesë 600.

          Zoti Balla, çfarë ju duhet juve se çfarë bën PD-ja me kandidatët e saj?

          Tani, ti e fton shpesh Nard Ndokën në studio dhe po bën pyetje si Nard Ndoka.

         Kjo nuk ka lidhje fare me Nard Ndokën, por ç’punë keni juve se çfarë bën PD-ja?

          Por unë nuk ju kam kundërshtarë juve, kam PD-në, ende, atë që ka mbetur nga PD-ja, se pas këtyre zgjedhjeve nuk e di se çfarë do të mbetet më nga PD-ja.

          Ose nga PS-ja.

          Ju lutem, për PS-në këtu do të jemi dhe do të flasim përsëri. Por ajo që po them që pyetja juaj ishte: “Përse interesoheni ju për këtë?”.

          Që në nisje, jo vetëm nga reagimi i sotëm, sepse pamë që zoti Rama u mor shumë gjatë edhe tek asambleja.

          Nëse procese të tilla qesharake do të ndodhnin ose do të na kishte marrë perëndia mendtë neve që t’i bënim, ky do të ishte një diskutim i madh publik, por mua më vjen mirë që në fund të fundit sytë janë nga e ardhmja dhe në fund të fundit e gjithë vëmendja është te PS-ja, nuk është te këta që bien vetë brenda diçkaje që e kanë gatuar në mënyrën më të keqe të mundshme.

          Presidenti ka postuar foto me dy nga figurat të rëndësishme të PS-së në vitin 2000, me Ndre Legisin dhe Mark Nikollin. Keni frikë që Presidenti i Republikës ka tentativa për të përçarë PS-në?

          Ilir Meta ka gjithë jetën që dëshiron t’i bëjë dëm PS-së.

          Por tani ndoshta ka hyrë në veprim.

          Ilir Meta e ka ndarë rrugën e vet me PS-në 16 vite më parë. Se ç’kusure i ka PS-ja dhe Shqipëria, e kemi thënë shpeshherë. Tani, unë nuk kam ardhur që të bëj pyetje këtu, se pyetjet i bëni ju. Por unë nuk di, ky Ilir Meta, këta njerëz i ka ftuar në Presidencë apo në LSI? Sepse me sa di ende, Ilir Meta vazhdon që të jetë President i Republikës së Shqipërisë. Në Kushtetutën e Republikës, edhe pse e pashkruar, duke qenë se thuhet qartë që Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin kombëtar, Presidenti i Republikës nuk lejohet që të jetë anëtar i një subjekti politik. Pra, jo vetëm që nuk mund të marrë pjesë në tubime, edhe pse ky e ka bërë që ditën e parë, d.m.th. ky njeri, ende i pabetuar si president, por president i zgjedhur, ka bërë aktin më të turpshëm që mund të bëjë një president republike i zgjedhur, duke marrë pjesë në fushatë zgjedhore. madje nëse e mbani mend, një nga momentet më qesharake por kuptimplotë për atë çfarë përfaqëson LSI-ja në këtë vend, është ai momenti teksa zbriste shkallët te një familje diku në Lezhë, kur kandidati i tij

          Kam përshtypjen se ajo ka ka qenë koha kur bashkëpunonte pikërisht me ju.

          Jo. Je i ri, thellohu.

          Kam përshtypjen se ka qenë ose më 2013, ose më 2015, për kryetar bashkie. Gjithsesi, kërkoj ndjesë nëse jam gabim.

          Jo, thellohu. Por nëse nuk gaboj, duhet të jetë diku rreth datave, se unë jam shumë i saktë, 15-20 qershor 2017, ku jo vetëm qetësia i kishte humbur, por edhe dashuria i kishte përfunduar me kohë.

          Kthehemi te PS-ja. Në opinionin mediatik është folur se mund të ishit ju zëvendësuesi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Nuk e doni një post të tillë apo nuk është në dorën tuaj?

          Kazani vetëprodhon lajme të tilla.

          Nuk mund t’ju lejoj të na quash kazan.

          Të lutem, unë jam Sekretar i Përgjithshëm i PS-së dhe ne kemi një rregull shumë të mirë statutor, që sekretari i përgjithshëm nuk mund të jetë pjesë e kabinetit dhe nëse dikush do të ishte thelluar në këtë, do ta kishte marrë përgjigjen.

          Por ju mund ta jepni dorëheqjen, se nuk jeni i përjetshëm në këtë post. Nëse do t’ju ofrohej një post ministri, dorëheqja është diçka normale.

          Ajo që po ju them është që gjithë këto vite, sa herë që flitet për të pasur një zëvendësim në Ministrinë e Brendshme, me pa të drejtë, shumë prej portaleve apo edhe mediave vizive si kjo e juaja, por jo ju, nuk jeni ju rasti i këtyre abuzimeve

          Nga e mora indicien? Para disa ditësh pamë një aktivitet në Elbasan dhe ju po komunikonit me forcat e policisë. Ishte diçka për një organizim, por jam i bindur që e kam parë dhe dukeshit sikur flisnit me një entuziazëm para policisë. Prandaj e bëra këtë pyetje.

          Atëherë, ajo që dua të sqaroj sepse e kam dëgjuar shpesh këtë. Në të 12 qarqet ku ministri i Brendshëm zoti Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm kanë prezantuar forcën e re “Shqiponja”, kanë qenë prezentë deputetët, qofshin të PS-së, qofshin të grupeve të tjera parlamentare në Elbasan, ishin edhe deputetë të pavarur, të ftuar dhe natyrshëm, mendoj që edhe si deputeti më i vjetër mes tyre, jo si kryetar grupi, jam ftuar të përshëndes në Elbasan një forcim ose një intensifikim të forcës goditëse të Policisë së Shtetit dhe gjej rastin që edhe këtu në studion tuaj të përshëndes disa goditje të fundit të Policisë së Elbasanit përkundrejt strukturave të krimit të organizuar në Elbasan, edhe pse e kam thënë dhe vazhdoj ta them që Elbasnai nuk është një qytet i marrë peng nga bandat ose nga krimi i organizuar, sikurse mundohen ta përdorin

          E tha zoti Çela, Prokurori i Përgjithshëm.

          Jo, nuk e ka thënë zoti Çela. Ju lutem, zoti Çela nuk ka thënë këtë që thoni ju, sepse ju thatë që drejtohet nga krimi. Nëse zoti Çela ka thënë këtë

          Jo që drejtohet nga krimi, por në kuptimin që kontrollohet nga krimi. Ky ndryshon?

          Ju lutem, krimi po goditet, do goditet fuqimisht. Qyteti i Elbasanit është qyteti i Normales, i arsimit, i dijes, i kulturës. Ka dy, tre apo katër familje që kanë probleme me njëra-tjetrën.

          Si kudo në botë.

          Jo kudo në botë, padyshim që duhen intensifikuar forcat hetuese dhe goditëse.

          Po pse nuk bëhen këto forcat goditëse?

          Sapo ju thosha që janë bërë disa aksione, ditët e fundit edhe ju i keni transmetuar në lajmet flesh. realisht sugjerimi im për të gjitha mediat e këtij lloji që kemi ne, isha në Maqedoninë e Veriut dhe kam ardhur mbrëmë vonë, atje nuk e kanë këtë lloj media kështu dhe besoj që qytetarët ishin më rehat. Megjithatë, sepse në këtë vend

          Mund të jenë më rehat se kanë edhe qeveri tjetër.

          Ishin më rehat sepse nganjëherë këto lajme që ju jepni kështu janë edhe të pavërteta dhe pastaj ndikojnë, por jo televizioni juaj. Nuk po hyj më thellë.

          Keni lobuar ju te Kryeministri Edi Rama që zonja Evis Kushi të bëhej ministre e Arsimit?

          Zonja Evis Kushi nuk ka nevojë që të lobojë dikush për të qenë ministre e Arsimit sepse zonja Evis Kushi është një profesoreshë, ndër më të nderuarat e Universitetit të Elbasanit dhe, edhe pse deputete prej 7 vitesh nuk e ka ndërprerë marrëdhënien me universitetin, marrëdhënien me studentët. Unë e kam thënë dhe e ritheksoj që e falënderoj Kryeministrin Rama për një zgjidhje të mençur dhe duhet të them që jam ndier i surprizuar nga vlerësimi. Është një zgjidhje që ne e kemi thënë që prej ditës së parë që kryeministri Rama gjithmonë ka pasur dhe ka mbështetjen e grupit parlamentar, kur bie fjala për përmirësim të vazhdueshëm të punës në çdo sektor.

          Zoti Balla, ndërkohë një nga pikat ku ju sulmon më së shumti LSI-ja dhe drejtuesja e saj Monika Kryemadhi, gjithashtu edhe ish-deputete e qarkut nga ku edhe ju keni dalë

          Po pse ish-deputete e qarkut?

          Po pse ka dhënë dorëheqjen pra.

          Ok.

          Dhe është integrimi evropian. ajo thotë që PS-ja nuk e do integrimin evropian, ndërsa në programin tuaj qeverisës kjo ka qenë një nga pikat më të forta, me të cilën keni ardhur në qeverisje në vitin 2017. Do të përmbushet anëtarësimi i Shqipërisë në BE brenda këtij mandati qeverisës?

          Brenda mandatit të ri 2021-2025?

          Jo, brenda këtij që po mbyllet sepse atë nuk e parashikoni dot nëse do ta fitoni.

          E para, të ndajmë diskutimin. Më pëlqen kjo temë dhe kam nderin që po kryesoj delegacionin shqiptar në Parlamentin Evropian. sot madje kemi pasur një diskutim me kolegë të Parlamentit Evropian mbi progres-raportin dhe mbi vlerësimin e Komisionit Evropian për të kaluar në fazën tjetër të procesit, pra nga rekomandimi për fillimin e bisedimeve në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me të dy vendet, me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, brenda presidencës gjermane. Dhe unë mendoj që ky është një moment historik për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse nëse ju e kujtoni, brenda këtyre pak 7 viteve, kur flet për procesin e integrimit, Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat dhe menjëherë, brenda një kohe të shkurtër është bërë gati për të filluar bisedimet për anëtarësim. Dhe të gjithë duhet ta dimë që këto bisedime për anëtarësim, fillimi i tyre nuk është vonuar për shkaqe që lidhen me Shqipërinë, por është vonuar edhe për shkaqe që lidhen me situata politike të brendshme të vendeve të ndryshme të BE-së. Dhe në këtë kontekst unë vlerësoj që ne jemi me fat që kemi presidencën gjermane në këtë 6-mujor të dytë të vitit 2020. Në mos gaboj, dy presidencat që vijnë janë Portugalia dhe Sllovenia, vitin e ardhshëm. Por ajo që dua të them është se besoj dhe jam besimplotë se brenda kësaj presidence ne do ta mbajmë konferencën e parë, e cila është, do ta quaja, ai momenti protokollar i parë i fillimit të bisedimeve. Prej dy viteve është tashmë në punë e madhe përgatitore dhe gjithmone kam thënë, edhe këtu te ju, dhe krahasuar me vende të cilat janë duke negociuar, p.sh. Serbia apo Mali i Zi, ju e dini që dy kapitujt e parë që hapen janë kapitulli 23 dhe 24 dhe nëse krahasojmë situatën e Shqipërisë me Serbinë në këto dy kapituj, Shqipëria është shumë herë më pranë anëtarësimit në BE.

          Serbia ka një problem shumë të madh, që është mosmarrëveshja me Kosovën që e penalizon. Ndoshta ne mund të jemi vonë sepse nuk kemi pasur probleme me fqinjët, siç ka pasur maqedonia e Veriut për çështjen e emrit, Kosova me Serbinë dhe anasjelltas dhe vendet e tjera të ish-republikës jugosllave.

          Për ta ditur sepse ju qëllon që edhe të komunikoni lajme për këtë çështje, unë fola për dy kapitujt që lidhen m drejtësinë, me shtetin ligjor.

          Unë e mora procesin në tërësi për të dy këto vende.

          Që ta dini, me ndryshimin e metodologjisë të kërkuar nga Franca, qoftë për vlerësimin, janë futur disa elementë të cilët në një moment të caktuar procei mund të riversojë, pra mund të bëjë mbrapa. Por ajo që po ju thosha është që në historinë e negociatave për anëtarësim, që nga Rumania e nga Bullgaria që unë kam pasur mundësinë t’i ndjek, edhe vendet e tjera, dy kapitujt më të vështirë për t’u negociuar janë këta dy kapituj, sepse kanë të bëjnë me reforma të thella. Dhe ne jemi me fat që ne reformën në drejtësi e kemi kryer në një fazë sikurse kjo që ka pararendur fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Dhe ajo që po ju thosha është që, edhe pse Serbia është duke negociuar, Shqipëria është në përmbyllje të pjesës më të rëndësishme të këtyre dy kapitujve. Pa dyshim që kemi shumë për të realizuar dhe Operacioni Forca e Ligjit është një prej modeleve më të mira në Ballkanin Perëndimor për qasjen përkundrejt krimit të organizuar.

          Operacioni Forca e Ligjit, numri 2 i të cilit është lënë sot në vendimin e pezullimit sepse dekonspironte operacionet, ndërsa zoti Qefalia që kisha para pak ditësh në studio tha që ka edhe të tjerë efektivë, të cilët kundrejt ryshfetit kanë dekonspiruar operacionet. Ky është modeli, zoti Balla? E keni fjalë në letër apo për atë çfarë është bërë në terren?

          OFL-ja vlerësohet nga indikatorët dhe nga numri i çështjeve që sot janë në Prokurorinë Speciale Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar, ku për konfiskim të pasurive

          Sa pasuri janë konfiskuar përfundimisht, përveç sekuestrove që mund të jenë momentale?

          Dëshira juaj për të konkluduar për çështje që ndoshta nuk i dini siç duhet

          Po flasim me fakte tani. Zoti Qefalia është deputeti juaj, edhe zoti Shkëmbi që ka mbetur socialist.

          Zoti Qefalia ç’ka bërë i shkreti, se nuk e di?

          Deklaroi që ka edhe të tjerë efektivë, të cilët ndoshta kundrejt ryshfetit dekonspirojnë operacionin.

          Fakti që sistemi i receptorëve dhe sistemi i alarmit brenda strukturës policore arrin të dedektojë probleme të këtij karakteri, tregon që sistemi është i mirë dhe fakti që bashkëpunimi me strukturat kundër krimit të organizuar edhe me vendet anëtare, sepse me sa jam informuar, në rastin që ju përmendët, ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë me strukturat e policisë gjermane për të identifikuar rastin. Ajo që unë dua t’ju them është dhe po ju thosha që, OFL-ja është një operacion i fortë, që ka dashur mbështetje dhe vullnet politik të palëkundur dhe pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe atë që këtë operacion për herë të parë në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor po e bën qeveria jonë.

          Por çfarë ka ndryshuar nga ligji antimafia që ka qenë disa vite në fuqi?

          Sepse ky operacion ka edhe fuqi prapavepruese dhe në sitën e verifikimit janë futur të gjithë elementët, të cilët sipas aktit normativ që ne kemi kaluar i cili ka marrë forcën e ligjit, ka hyrë dhe i ka hyrë në palcë personave të cilët janë dënuar për numrin e veprave penale të specifikuara. Unë besoj që rezultatet janë të kënaqshme dhe e nxis Prokurorinë Speciale Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar që t’i shkojë deri në fund dhe të konfiskojë sa më shumë pasuri.

          Keni aspirata për të marrë drejtimin e PS-së pasi të largohet zoti Rama?

          E para, Partia Socialiste e Shqipërsë do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit.

          Nuk ishte kjo pyetja, por sidoqoftë.

          Do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit dhe ne kemi në modelin e shumë partive të mëdha evropiane, kemi barazuar mandatin që të jep populli me mandatin e kryetarit të PS-së. Dhe Edi Rama do të vazhdojë të jetë kryeministër dhe kryetar i PS-së.

          Çdo medalje ka dy anë. Në qoftë PS-ja ka vetëm fitore, por edhe humbja për njerëzit është, kështu që po humbët është ideja.

          Ne u referohemi shpesh, unë jam një fans i Gjermanisë dhe i referohem gjithmonë modelit gjerman. Angela Merkel bëri katër mandate, pse edhe PS-ja mos t’i ketë?

          Sigurisht, Gjermania mbetet një prej vendeve më të fuqishme të Evropës, ndërsa Shqipëria ku është?

          Por ju mos harroni, kemi pasur një kryeministër që thoshte se jemi të dytët, pas Gjermanisë.

          Po kështu keni thënë ju përfaqësuesit e politikës.

          Jo, s’e kam thënë unë.

          Edhe deputetë nga PS-ja kanë deklaruar që ia ka kaluar Shqipëria Italisë, edhe vendeve të tjera, për situatën e koronavirusit. Kështu që deklarata politike ka sa të duash.

          Ajo që po ju thosha është se Partia Socialiste e Shqipërisë do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit dhe ne kemi filluar një proces organizimi shumë të mirë. Do të doja t’ju nënvizoja diçka që thatë ju në fillim të këtij emisioni, që ka filluar fushata elektorale. Nuk është e vërtetë që ka filluar fushata elektorale. Partitë politike bëjnë procese parapërgatitore si kudo në botë.

          Si nuk ka filluar zoti Balla? Zoti Veliaj p.sh., tani ka mbledhur anëtarë dhe simpatizantë të PS-së, zoti Basha ka dalë në takime, ju mbajtët asamblenë me dy orë të zotit Rama, pa folur asnjë nga ju. Nuk është fushatë kjo? Çfarë është?

          E para, po nxitoheni, por kjo është çështja juaj dhe nuk ju them më. Ne kemi pasur mbledhjen e asamblesë kombëtare të PS-së. Mbledhja ka qenë me dy pjesë, sepse ka qenë edhe aspekti konstituiv i mbledhjes për herë të parë pas zgjedhjes nga kongresi. Ka qenë një fjalë e kryeministrit, e cila në pjesën më të madhe ka qenë me çështje konkrete që lidhen me ekonominë, me luftën kundër krimit të organizuar, me çështjet e administrimit të kësaj situate, me çështjen e rindërtimit. Dhe në pjesën e dytë të asaj mbledhje, në cilësinë e kryetarit të Asamblesë Kombëtare, pra të Sekretarit të Përgjithshëm, unë kam drejtuar mbledhjen dhe kemi miratuar, në mos gaboj, 14 dokumente të cilat janë hedhur në votë dhe janë votuar nga anëtarët e asamblesë kombëtare.

          Por që procesi nuk ishte publik.

          Unë marr pjesë në shumë kongrese dhe në shumë aktivitete të shumë partive politike në botë. Dhe padyshim që kudo në botë ka procese të cilat janë çështje të brendshme, të organizimit të brendshëm.

          Po pra, ky është problemi se e gjithë pjesa tjetër ishte çështje e brendshme dhe vetëm fjalimi i zotit Rama ishte çështje që duhej ta dëgjonin të gjithë, duke u marrë me kundërshtarët e tij politikë, gjë që e bën në fushatë. Nuk është çudi që të fillojë fushata 7 muaj para zgjedhjeve, se ne në Shqipëri jetojmë.

          Do të kemi kohë një herë tjetër që t’ju shpjegoj se si bëhet organizimi i një partie politike.

          Kryetari juaj ju ka vënë një objektiv: 74 mandate. Do ta realizoni këtë objektiv më 25 prill?

          Teksa ne jemi duke parë, sepse ka edhe lëvizje demografike brenda vendit, pra siç e dini Tirana nuk do të ketë 34 mandate sa kishte herën e kaluar, por do të ketë 36 dhe teksa po e shikojmë objektivin me numrin e mandateve që ka çdo qark, mendoj që do të jetë mbi 74. Ajo që unë dua të them është që shqiptarët kanë vetëm një forcë politike ku realisht mund të besojnë mandatin. Teksa ju pak më parë më bëtë një pyetje për ish-deputeten. Unë mendoj që qytetarët shqiptarë vetëm për budallenj nuk i merr dot askush, sepse unë nuk e di dhe nuk do të pranoja kurrë, kemi qenë para shumë vitesh në një, e kemi çuar edhe ne një herë një dilemë për të dorëzuar mandatet ose jo, por unë mendoj që mandati është i popullit. Dhe kush tradhton mandatin e popullit duhet t’i vijë turp të shkojë e t’i kërkojë një banori, në rastin në fjalë një banori të Elbasanit, t’i kërkojë përsëri mandatin sepse në fund të fundit, atë mandat, ti ke 10 mijë qytetarë që kanë besuar te ti se mund të bësh dhe deputeti nuk bën vetëm punën e partisë politike. Deputeti, pikësëpari, është një pikë referimi për komunitetin që ai përfaqëson, ku njerëzit në Shqipërinë tonë të varfër, me plot halle, referohen te deputeti edhe për çështje të ndryshme. Nëse do të më jepnit mundësinë ndonjëherë të rrëfeja se ç’problematika ka në çdo komunitet, ku deputeti mund të shërbejë edhe si një zgjidhës i mosmarrëveshjeve mes dy familjeve, edhe si një pikë referimi. Të jesh në opozitë është një forcë edhe më e madhe sepse mund të marrësh problematika t’i ngresh në parlament, të kërkosh që një ministër të vijë aty dhe të përgjigjet, të verifikosh. Ligji për statusin e deputetit i jep deputetit shumë kompetemca. Këta tradhtarë që lanë mandatin e dhënë nga populli më 2017, duhet t’u vijë turp që të shkojnë prapë më 2021 dhe të kërkojnë një mandat tjetër nga njerëzit. Ajo që duhej të bënte Luli dhe Monika, sepse Ilir Meta nuk kandidoi më 2017, është që duhet t’u kërkojnë ndjesë qytetarëve shqiptarë dhe të nxjerrin para qytetarëve njerëz që nuk e kanë tradhtuar mandatin e njerëzve.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lojtari: 16/10/2020 16:50

    Nga lypes per 2mij€ qe ishte tek priveja tawanit ku luante bixhoz ne 2 e ripjelljes ,, horror ..!

    Përgjigju
  • Sapo: 16/10/2020 09:19

    Z. Balla, ke te drejte per LSI se nuk kane aspak karakter dhe jane te gjithe te korruptuar. Por mos harro se edhe ju nuk jeni larg tyre, me to keni bashkepunuar per disa vite, korrupsion dhe bashkepunim me krimin kemi degjuar edhe per juve. Prandaj mos na u hiqni si te shenjte...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?