Intervista e plotë/Braçe në Report Tv: Asnjë zyrtar shqiptar s’del në përgjimet për Ndrangheta-n! Dalja e Prendit për 21 janarin, ka frikë nga drejtësia e re

27 Janar 2021, 22:12| Përditesimi: 27 Janar 2021, 22:30

  • Share

LEXONI INTERVISTËN E PLOTË

Kemi kënaqësinë të zhvillojmë një bisedëme zëvendëskryeministrin e Shqipërisë zotin Erion Braçe.

Mirëmbrëma! Mirë se keni ardhur!

Mirëmbrëma!

Do ta mbani maskën në këtë intervistë?

Patjetër.

Pse?

Po sepse unë mendoj që situata me kovidin vazhdon që të jetë shumë e vështirë, pavarësisht të gjithave, masave të marra deri tani. Pikërisht java e tretë e këtij muaji përkon me gjithë sjelljen tonë në datat 29-31 dhjetor të vitit që shkoi dhe pastaj në datat 1-4 janar të këtij viti. Në mos gaboj unë, pikërisht në ato data duke parë se çfarë po ndodhte, çfarë ndodhi dhe çfarë po ndodhte me shqiptarët që morën pushime të gjata në hotelet e Tiranës, të Durrësit, të Vlorës, të Golemit, të Shëngjinit dhe pastaj në hotelet e Korçës, të Pogradecit, të Dardhës, të Voskopojës e të tjerë me radhë, pasoja ja ku është. Sjellja, grumbullimi masiv në ato data, pa asnjë masë mbrojtëse, në shkelje të rregullave të vendosura nga qeveria për kovidin për t’u mbrojtur të gjithë bashkë, për të mos u infektuar vetë personat por edhe për të mos infektuar edhe familjarët e tyre, nuk u dëgjuan. Njerëzit e shkelën masivisht rregullin në ato ditë dhe pasoja është tani. Sot kishim mbi 870 të infektur të rinj me kovid, që do të thotë se jemi në një situatë të vështirë akoma, s’ka kaluar asgjë, asgjë nuk ka mbaruar. Deri në ditën që do të vaksinohet qytetari i fundit në këtë vend asgjë nuk do të ketë kaluar. Pikërisht për këtë arsye, më shkon që ta shfrytëzoj edhe këtë mundësi që ju më jepni, që të gjithë të vazhdojnë me masat e thjeshta, distancim fizik, mbajtja e maskës dhe natyrisht higjienë personale, mosgrumbullime dhe kufizime sa më shumë të daljeve në bare, lokale, restorante, mosgrumbullime në hotele, pra në ambiente të mbyllura ku mundësia për t’u infektuar është gjithnjë më e madhe.

Zoti Braçe, do të doja t’i referohesha fillimisht situatës politike në vend për sa i takon edhe një procesi, i cili thuajse për 3 muaj do të shkojmë të zgjedhim pushtetin e ri, kush do të na udhëheqë për 4 vitet e ardhshme pas 25 prillit. Ditën e djeshme kryeministri apo kreu i partisë suaj ka thirrur drejtuesit e qarqeve në një takim, ku ka kërkuar 75 mandate, të paktën siç është bërë e ditur nga sekretari juaj i përgjithshëm zoti Taulant Balla. Do t’i siguroni 75 mandate për këtë proces zgjedhor dhe ku synohet i 75-ti, sepse e kemi parë që më 2017 i kishit 74.

Në fakt mbledhja e djeshme nuk është as e para dhe besoj që nuk do të jetë as e fundit. Ne kemi intensifikuar të gjitha kontaktet tona në nivel qendror me drejtuesit politikë të qarqeve, kryeministri, unë, të gjithë drejtuesit e qarqeve por edhe më gjerë sesa kaq, edhe kolegët ministra, edhe kolegët deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kemi zgjeruar të gjitha kontaktet në të gjithë territorin e vendit, jo vetëm në qarqe por në çdo bashki. Deputetët, kryetarët e bashkive që janë edhe drejtuesit tanë të pushtetit vendor, kryetarët e parive, kryetarët e njësive, kryetarët e njësive administrative të PS-së, patronazhuesit, pra çdo qelizë e PS-së në organizim është efektive në territor në punë me kohë të plotë. Natyrisht që gjithsecili ka marrë detyrat e veta, kemi një objektiv të ndarë deri në qendrën më të vogël të votimit dhe natyrisht po ndjekim me përpikëri të gjithë agjendën tonë për të bërë rezultat në çdo qendër votimi, jo thjesht në një bashki, jo thjesht në një njësi administrative, jo thjesht në një qark, por në çdo qendër votimi. Dhe beteja jonë është pikërisht në qendrën e votimit. Ju vërtet patë dje 12 drejtues qarqesh dhe disa të tjerë, kryetarin  e partisë e të tjerë që janë angazhuar në një shtab drejtues qendror të punëve në parti, por unë po ju them që është një ushtri njerëzish të angazhuar drejtpërdrejt në territor dhe që kanë një fokus bazë, çdo qendër votimi dhe çdo votë në qendër votimi në përmbushje të atij objektivi numerik që ne kemi për çdo qendër votimi dhe që pastaj në tërësinë e vet përbën rezultatin në atë qark dhe në të gjitha qarqet bashkë bën rezultatin edhe mbi 75 mandate, po të doni.

Lidhur me programin elektoral të PS-së është diskutuar, është folur?

Po, patjetër.

Kur do të bëhet publik për qytetarët?

Një pjesë e angazhimeve tona elektorale natyrisht që janë materializuar që tani. Unë po dëgjoj me shumë vëmendje ofertën e konkurentëve të tjerë.

Të LSI-së.

Janë shumë, s’është vetëm kjo partia që po përmendni ju.

Të paktën është bërë zyrtarisht dje e ditur kjo.

Gjithkush. Unëë kam dëgjuar edhe zonjën Topalli, zotin Patozi, zotin Murrizi, zotërinj të tjerë plot d.m.th. që kanë idetë e tyre për atë që mund të ofrojnë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Dallimi është që ne po e bëjmë. Ata e ofrojnë, por ne jemi duke e bërë. Kështu që një pjesë e programit elektoral të PS-së natyrisht që është duke u zbatuar. Janë edhe angazhime të marra më herët që po zbatohen, por janë natyrisht angazhime që përfshijnë 10-vjeçarin nga ky vit që ka nisur, edhe si vit edhe 10-vjeçar e në vijim. Por natyrisht që do të duhet akoma edhe më tepër, as e diskutoj këtë gjë. Po t’i referohemi shumë gjërave që po ndodhin në Shqipëri si fenomene natyrore por jo vetëm, edhe ndryshimet që pandemia ka imponuar me forcë në të gjithë shoqërinë shqiptare por edhe në sektorë të posaçëm si shëndetësia, arsimi, në sektorin e punës kudo, por edhe ndryshimet e tjera siç janë ndryshimet e klimës, të reflektuara në reshje masive të papara gjatë këtij muaji, edhe në 10-vjeçarin që u mbyll, por edhe si fenomene shumë më tepër sesa 10-vjeçare që janë tejkaluar me disafish, natyrisht që detyrojnë një program akoma më të gjerë të PS-së për t’u përballur me fenomene shumë të rëndësishme siç ishin ato të sigurisë fizike njëherë, në radhë të parë, që lidhen me fenomene natyrore si tërmetet; të sigurisë fizike që lidhen drejtpërdrejt me përmbytjet; pra rreziqe që vijnë nga fenomene natyrore, për të ecur me radhë tek adresimi i ndryshimeve klimatike dhe efekteve që ato kanë mbi sektorë të gjerë të ekonomisë kombëtare siç është turizmi, energjia, por mbi të gjitha siç është edhe bujqësia, shfazëzimi? i sezonit të së cilës po vihet shumë lehtësisht në dukje dhe në diskutim nga kushtet atmosferike kohë pas kohe gjatë këtyre viteve të fundit, por mbi të gjitha puna. Puna është shumë e rëndësishme për t’u transformuar në një moment si ky, për t’u përshtatur të gjitha fenomeneve, përfshirë edhe pandeminë e cila na shtyu përpara drejt punës së zgjuar nga shtëpia apo asaj tenologjike, e bërë drejtpërdrejt online, duke ndikuar fort edhe mbi orët e punës por edhe mbi pagesën minimale mbi ato orë pune dhe duke i krijuar mundësi çdo punëtori që të jetë më i afërt edhe me familjen e tij, por edhe të ketë kohën e domosdoshme për të përmbushur objektivat që ai ka në një punë që zhvillohet në administratë publike apo në një sektor privat dhe që ndikon shumë fort pastaj mbi ekonominë kombëtare. Kështu që janë shumë gjëra me të cilat duhet të përballemi ne dhe unë shoh me shumë kënaqësi që fenomenet me të cilat duhet të përballemi janë një sfidë e jashtëzakonshme, e re, e madhe dhe që nuk kanë lidhje fare me çfarë disa parti referojnë këto ditë dhe do të referojnë deri në zgjedhje.

Për t’iu referuar pak edhe organizimit që po bën PS-ja për sa i takon edhe hartimit të listave me emrat e kandidatëve për deputetë, në ç’fazë jeni dhe kur do t’i shohim edhe ato publike? Përbërja e listave cila do të jetë sepse na intereson që ta dimë.

Në radhë të parë, përbërja e listave është thelbësisht e kushtëzuar nga angazhimi që ne kemi marrë për të pasur barazi të plotë gjinore brenda listave tona dhe jo vetëm brenda listave të kandidatëve, por edhe brenda listave të kandidatëve fitues, deputetëve fitues që do të përbëjnë pushtetin e ardhshëm që është pushteti legjislativ. Në qoftë se në qeveri e kemi këtë barazi gjinore thuajse të plotë, natyrisht që duam ta shtrijmë dhe pjesëmarrja e grave në parlamentin e ardhshëm do të jetë në ekspansion si kudo në Evropë, si kudo edhe në botë. Mos harroni se nga zgjedhjet e fundit në Amerikë kemi numrin më të madh jo vetëm të grave që ka pasur ndonjëherë në qeverinë e SHBA-së, por edhe të grave në kongres apo edhe në senat, që do të thotë se trendi që ne kemi ndjekur me forcë gjatë dy mandateve që nga 2013-a dhe pastaj edhe në 2017-n për të krijuar një hapësirë më të madhe për gratë dhe vajzat në të gjithë strukturën drejtuese të shtetit shqiptar, nartyrisht që është trendi i duhur dhe lista jonë do të jetë e kushtëzuar në mënyrë të fortë pikërisht nga kjo zgjedhje që kemi bërë. Duam që, ashtu siç shoqëria është ndërtuar, të jetë i ndërtuar edhe pushteti i ardhshëm në Shqipëri. Ndërkohë që ne e kemi zhvilluar një proces. Është zhvilluar një proces online për javë të tëra, ku kemi kërkuar vlerësimin e anëtarëve të partisë, të cilët kanë pasur profilin e tyre, aksesin e tyre në një platformë të PS-së dhe ku janë bërë vlerësimet me nota nga 1 deri në 5 për secilin nga deputetët në bazë qarku dhe natyrisht edhe për anëtarët e qeverisë. Ky vlerësim është ndarë mes kryetarit të partisë dhe drejtuesve politikë të qarqeve dhe natyrisht secili prej tyre tashmë ka në vëmendje vlerësimin e anëtarësisë së partisë për deputetët aktualë. Ndërkohë që paralelisht me këtë është zhvilluar edhe një proces tjetër për të përzgjedhur deputetë të rinj të PS-së, kandidatë për deputetë se për deputetë voton populli në fund fare, pra për kandidatë për deputetë të PS-së. ai proces po ndiqet nga sekretari i përgjithshëm, nga drejtuesit politikë qarqeve dhe nga kryetari i partisë dhe natyrisht do të definohet duke pasur në secilën prej listave të qarqeve përfaqësues pikëriht nga këta kandidatë të rinj që janë përzgjedhur përmes kësaj platforme. Unë mendoj që shumë shpejt PS-ja do të ketë listën e saj të deputetëve, e verifikuar, e certifikuar, e mbështetur nga anëtarësia e PS-së por edhe më gjerë sesa kaq dhe natyrisht pastaj e prezantuar qytetarëve që do të votojnë.

Zoti Braçe, 5 ditë më parë është shënuar 10-vjetori i 21 janarit të vitit 2011, kur në protestën e thirrur nga PS-ja në bulevard, atë ditë humbën jetën 4 qytetarë. Ende nuk janë ndëshkuar fajtorët e vërtetë. Mendoni se drejtësia, të paktën siç është quajtur, e re, do të bëjë diçka në këtë drejtim, do t’i nxjerrë përpara vetes ata, të cilët duhen ndëshkuar në fakt dhe të mbajnë përgjegjësi për fajin që kanë kryer?

Shiko, fjalët për këtë ngjarje shumë të rëndë kriminale, më e rënda kriminale që pas viteve 90, madje unë gjykoj që është më e rënda kriminale ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që nga koha e fashizmit. Në atë bulevard ka pushkatuar vetëm fashizmi. Kush tjetër që nga çlirimi i vendit e deri në ditët e sotme nuk ka guxuar të pushkatojë qytetarë të paarmatosur, paqësorë e të pafajshëm totalisht, sesa regjimi i Sali Berishës, qeveria e Sali Berishës, garda republikane e Sali Berishës dhe të tjerë njerëz të përfshirë, se brenda këtij amalgami ka pasur edhe kriminelë ordinerë nga ata me të cilët Sali Berisha ka kryer punët e pista e të zeza në këtë vend kohë pas kohe, në raport me hesapet e tij personale apo në raport me hesapet e bandave kriminale në territorin e vendit, këtu u përfshinë më 21 janar. Natyrisht që është shumë vonë, 10 vite kanë qenë të mjaftueshme për të bërë drejtësi lidhur me urdhërdhënësit, me organizatorët e atij reagimi joproporcional dhe kriminal të organeve të shtetit përkundrejt protestuesve dhe në fund fare edhe pushkatuesve. Janë 2-3 nga këta që kanë pushkatuar njerëz dhe të cilët, për fat të mirë apo të keq, të themi, nuk kanë dalë para drejtësisë për fat të keq dhe për fat të mirë dosja nuk është mbyllur dhe për secilin prej tyre duhet të kërkohet përgjegjësi deri më një. Së pari për urdhërdhënësit sepse askush aty nuk ka qëlluar pa urdhër.

Kush mendoni se kanë qenë ata?

Ju keni dyshim për këtë pjesë? Në çdo ekran televizioni, duke përfshirë kam përshtypjen, Televizionin Klan, Top Channel, Neës 24, Syri TV, edhe ca të tjerë me radhë, Sali Berisha ka pohuar botërisht me gojën e tij, me zë dhe me figurë, që është ai përgjegjësi i vrasjeve të 21 janarit. E ka pranuar botërisht dhe unë nuk e di se çfarë duhet të thotë tjetër një njeri që është përgjegjës, me gojën e tij. Çfarë rrëfimi tjetër duhet të bëjë një njeri që është përgjegjës, ndryshe nga ai që ka bërë, që drejtësia të vihet në lëvizje dhe natyrisht të bëjë minimumin. Ta thërrasë dhe të marrë rrëfimin e tij. Pra për mua, urdhërdhënësi i atyre pushkatimeve në mes të bulevardit është Sali Berisha. Pas tij ministri i Brendshëm, pas tij komandanti i Gardës së Republikës dhe me radhë deri te komandanti i fundit që është përfshirë në zinxhirin e urdhrave për të pushkatuar njerëz. Por ka edhe dy elementë shumë të rëndësishëm pastaj, të cilët nuk janë hetuar dhe që duhet të hetohen dhe natyrisht duhen çuar para drejtësisë edhe këta njerëz. E para është zhdukja e provave, është shumë e rëndësishme. Zhdukja e të gjitha filmimeve të kryera nga kamerat rreth e qark Kryeministrisë dhe brenda Kryeministrisë që çojnë drejtpërdrejt tek urdhri. Pra zhdukja e atyre filmimeve, autorët e tyre ende nuk janë para drejtësisë dhe e dyta, mbi të gjitha, është refuzimi i zbatimit të urdhër-arresteve të Prokurorisë nga ana a policisë së kohës, e drejtuesve të policisë së kohës, ku natyrisht që përgjegjësia është maksimale. Aty atë ditë, në refuzim të urdhrave të prokurorit, ka rënë republika. Në qoftë se republika mori goditje shumë të madhe në momentin që një tufë banditësh në pushtet vranë, pushkatuan pa gjyq 4 njerëz të pafajshëm, të paarmatosur dhe paqësorë në mes të bulevardit, pra në mes të bulevardit jo brenda territorit të Kryeministrisë, por në mes të bulevardit, republika ra në momentin kur prokurori i republikës nxori mandat-arrestet dhe Policia e Shtetit me në krye Sali Berishën po prapë, refuzoi zbatimin e mandat-arresteve të prokurorit. Një ngjarje e paprecedentë, e pandodhur në 30 vite demokraci dhe që natyrisht nuk ka marrë ende as hetimin e duhur, as gjykimin e duhur, as ndëshkimin e duhur. Ajo që mua më bën përshtypje është se natyrisht veprimi i Policisë së Shtetit për t’i kërkuar prokurorisë hetime shtesë të paktën për një vrasje, për vrasjen e Aleks Nikës e cila është pa autor, dhe për plagosjet pa autor të 6 personave që i di policia se janë edhe mbi një duzinë të tjerë, të cilët shkuan vetë, u kuruan vetë privatisht nëpër spitale dhe nuk kanë lënë asnjë gjurmë nëpër regjistra, këtu dhe jashtë Shqipërisë, të plagosur në atë demonstratë me plumba, jo me shkopinj, as me shpulla, por me plumba. Natyrisht që duhen hetuar dhe rihapja, kërkesa e policisë për të hetuar pikërisht atë vrasje, për të hetuar këto plagosje dhe më tutje akoma, për të hetuar një herë të vetme urdhërdhënësit e për të hetuar më tutje pastaj, ata që fshehën provat dhe ata që nuk zbatuan urdhër-arrestet e prokurorisë, natyrisht që i ka vënë në lëvizje, i ka trembur. Shfaqja e djeshme në televizionin Klan, atje ku 10 vite më përpara u tentua që shqiptarët të gënjeheshin banalisht me ato pamje të montuara e që synonin t’u thoshin shqiptarëve se vrasjet e pushkatimet e Sali Berishës i kishin bërë protestuesit me njëri-tjetrin, pra shfaqja dje e ish-komandantit të Gardës së Republikës, i dënuar me një vendim gjykate, kriminel me një vendim gjykate të formës së prerë. është dënuar për vrasje nga pakujdesia, ai. Pavarësisht se dua apo s’dua unë, ishte vrasje nga pakujdesia apo jo, zotëria është i dënuar. Hapja e ekranit për një të dënuar ndodh vetëm kur ai do të rrëfejë krimin që ka kryer. Kurrë në botë nuk ndodh që t’i jepet mundësia të thotë që prokuroria nuk ka hetuar dhe unë s’kam bërë asnjë vrasje. Është provuar shkencërisht nga FBI-ja që Faik Myrtaj nuk është vrarë padashje, e ka marrë plumbi në gjoks nga arma e Ndrea Prendit, e komandantit të Gardës së Republikës dhe nuk mundet që aksidentalisht tjetrin ta marrë plumbi në gjoks. Nuk mundet që ky të ketë qëlluar në ajër dhe tjetri ta marrë plumbin në gjoks. Nuk mundet. Në qoftë se ky pretendon këtë dhe pretendon akoma më tepër që prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim, patjetër që duhet të hapet hetimi pikërisht me dëshminë e Ndrea Prendit, të merret nën përgjegjësi Ndrea Prendi dhe natyrisht t’i thotë prokurorisë se cila është e vërteta që nuk qenka hetuar. nuk është hetuar sipas tij dhe natyrisht t’i shkohet deri në fund sepse unë nuk besoj që Ndrea Prendi ka vrarë padashje. Ndrea Prendi ka vrarë me urdhër, ishte komandant i Gardës së Republikës që përcillte urdhrin në linjë vertikale dhe natyrisht mban përgjegjësi deri më një, jo vetëm për shkrehjen e armës së tij, por edhe për shkrehjen e armëve të tjera që u morën jetën 4 protestuesve dhe kanë plagosur mbi 20 të tjerë me plumb. Por natyrisht është një reagim në kushte paniku për atë që mund të ndodhë nga prokurorë që tashmë janë të lirë, nuk udhëhiqen, as nuk drejtohen, as nuk shantazhohen, as nuk kërcënohen dhe as nuk refuzohen urdhrat e tyre kushtetues as nga kryeministri, as nga Presidenti i Republikës, as nga Drejtori i Policisë së Shtetit, nga askush. Frika nga rihapja e hetimeve dhe çuarja përpara e hetimeve me fokus të posaçëm autorin e vrasjes së Aleks Nikës dhe pastaj ridimensionimin e të gjithë ngjarjes ashtu siç ka ndodhur realisht, në pushkatime pa gjyq në mes të bulevardit, të qëllimshme, me urdhër, e të tjera me radhë, i bën tani të reagojnë në këtë mënyrë siç reaguan dje në televizion dhe siç unë e pres të vazhdojnë të reagojnë publikisht. E hodhën hapin e parë dje, të hedhin edhe të dytin e të tretin, me qëllim që prokurorët të kenë mundësi që të merren me secilin prej tyre, nga ali Berisha, të cilin mezi e pres që të dalë e të thotë prapë që po, i bëra unë vrasjet. Të dalë ta thotë. Ai mendon që ka bërë drejtësi atë ditë. Shumë mirë, të dalë e ta thotë publikisht dhe të shkojë t’ua thotë prokurorëve këtë gjë. Ka refuzuar deri më sot që të përballet me Prokurorinë pikërisht për këto ngjarje. Ka refuzuar deri më sot që të bëjë dëshmi në prokurori, minimumi. Është minimumi që të bëjë dëshmi, siç refuzoi që të mbante përgjegjësi. I bëri vrasjet? Po. Në cilin vend të botës kryeministri vret, pohon që i vrau dhe vazhdon të rrijë në pushtet. Në cilin? Më tregoni një vend demokratik sot në Evropë, në botë, ku të doni ju, ku kryeministri rri në detyrë, rikthehet në parlament dhe kërkon edhe mandat tjetër për të qenë po prapë në parlament. Dhe kryetari i partisë së tij, që është ish-ministri i Brendshëm i tij në një ngjarje kriminale si kjo, thotë që ai të kandidojë ku të dojë. Kuptoni se me çfarë morali do të ndeshemi vetëm pak javë më pas, 90 ditë më pas, më 25 prill. Imagjinoni, shikoni fytyrën e Ndrea Prendit dje në televizion, dëgjoni të folurën e tij të djeshme në televizion, dëgjoni edhe Sali Berishën, dëgjoni edhe Lulzim Bashën dhe pastaj shkoni votoni në datën 25 prill.

Zoti Braçe, një nga zhvillimet e ditëve të fundit, në të cilat është ndalur sot gjatë në fakt edhe kryeministri Edi Rama është edhe çështja e përgjimeve të disa pjesëtarëve të organizatës mafioze kriminale Ndrageta, ku përmenden edhe disa eksponentë të politikës në Shqipëri.

Më falni, cili eksponent i politikës në Shqipëri përmendet?

Flitet për presidentin Ilir Meta dhe për këshilltarin e tij Ilir Kulla. Por gjithashtu mazhoranca akuzohet nga opozita që ka edhe figura të PS-së, që janë përfshirë në afera korruptive me pjesëtarë të kësaj organizate.

Që janë, sipas tyre?

Sipas tyre janë publikuar në media.

Atëherë, kam tri ditë që i ndjek me shumë vëmendje. Ndjek këtu në televizionin tuaj dhe më lejoni t’ju them që nga këtu kam kuptuar që ata që shkruajnë, ata që flasin, përfshirë drejtuesin e këtij televizioni Karlo Bolino e të tjerë me radhë, e njohin dosjen. Kanë marrë 2 000 fleta të asaj dosje, aq sa janë, i kanë lexuar të gjitha dhe u referohen pikërisht fakteve që përmenden në dosje. Ashtu siç kam dëgjuar në të gjitha mediet, përfshirë mediet e mbrëmshme po se po njëherë, llahtarin e mbrëmshëm, analistë në zë nga këta që çdo natë u janë qepur me gurë në trastë shqiptarëve dhe që s’munden shqiptarët të kalojnë një natë normale për shkak të prezencës së tyre me ulërima në televizione, me urrejtje dhe me të pavërteta ekstreme për t’i bërë dëm jo çdo qytetari po se po, por edhe Shqipërisë, edhe këtij vendi, të cilët as e kanë lexuar dhe as e disponojnë dosjen, as i referohen ndonjë faqeje të asaj dosjeje, por thjesht dhe vetëm artikulojnë atë që ata mendojnë për atë dosje. Në atë dosje ka dy elemente dhe e para, mbi të gjitha, ka një konkluzion. Dhe nga ai konkluzion rezulton që të gjithë këta persona që flasin me njëri-tjetrin atje, të vënë nën akuzë nga Prokuroria Antimafie në Itali kryesisht në zonën e Kalabrisë, pra nga prokurët antimafie atje, nuk rezulton që të kenë kryer ndonjë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë në ato përmasa për të cilat pretendohet, në atë lloj për të cilin pretendohet kryesisht në ndërtime, në pastrim të parave në ndërtime, në turizëm apo në ndërtime që kanë brenda tyre edhe strehimin por edhe shërbime, përfshirë qendrat tregtare e të tjera me radhë, me ato çmime për të cilat pretendohet, e të tjera me radhë. Pra nuk ka në atë raport në konkluzion të Prokurorisë Antimafie në Itali aktivitet të frytshëm kriminal në territorin e Republikës së Shqipërisë, të këtyre personave. Tani, është një gjë që nuk dihet? Jo, kjo është një gjë që dihet, por e dinë vetëm ata që e kanë dosjen dhe që e lexojnë dosjen. Ata që as e kanë dosjen, as e lexojnë dosjen, s’kanë nga ta dinë. Dhe natyrisht mungon edhe dëshira që ata t’i referohen dosjes, konkluzioneve në të apo fakteve në të. Pse? Sepse qëllimi është politik, qëllimi është që të goditet qeveria, të goditet kjo mazhorancë, sa më afër zgjedhjeve aq edhe më mirë. Nuk interesohet kush ndër ata për të vërtetën, madje nuk kanë asnjë lloj sensi publik të luftës së tyre apo të opozitës bashkë me ta kundër mafies dhe aktivitetit të saj kriminal në këtë vend. Disa prej këtyre analistëve unë i kam parë në situata ose i njoh në situata me kriminelë banalë ordinerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në ambientet e tyre ordinere, në lokale e restorante, me llumin përreth e të tjera me radhë. Nuk besoj kurrë në botë, ashtu siç unë i kam parë këta njerëz, se këta po luftojnë tani për të vërtetën dhe kundër një aktiviteti kriminal të Ndragetës në Shqipëri, për më tepër, duke iu referuar dosjes, ky aktivitet kriminal nuk ekziston aq sa dosja dhe ato episode parashikon. E dyta, që është po kaq e rëndësishme, nga dosja nuk del asnjë bisedë e përgjuar mes këtyre banditëve të vënë nën akuzë në Itali apo kryeministrit të Shqipërisë, ndonjë këshilltari të kryeministrit, kabinetit të kryeministrit, ndonjë ministri, ndonjë zëvendësministri, ndonjë këshilltari të ndonjë ministri apo zëvendësministri apo kabineteve të tyre respektive, ndonjë drejtori. Nuk ka asnjë. Ta nxjerrin bisedën e atij gjelit italian me filan ministër, me filan zëvendëskryeministër, me filan kryeministër, me filan deputet. Ta nxjerrin, ku e kanë. Ku e kanë? Pra janë 2, 3, 5 njerëz apo 10 njerëz atje matanë në Itali që merren me aktivitet kriminal, që flasin me njëri-tjetrin, por që nuk ka asnjë bisedë të vetme mes tyre dhe ndonjë qeveritari në Republikën e Shqipërisë. Nuk ka asnjë vendim të kësaj qeverie, asnjë, zero, një vendim të kësaj qeverie apo të çdo institucioni tjetër publik në këtë vend që u jep mundësi apo të drejta për të kryer një aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë, i favorizuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, nga agjencitë e saj apo nga pushteti vendor. Zero. Në qoftë se kanë, le ta nxjerrin. Një, një të vetme, një vendim të vetëm. Atëherë, në të tilla kushte për çfarë flasin? Duan të bëjnë propagandë? Le ta bëjnë këtë propagandë. Duan të merren me secilin nga ne? Le të merren me secilin nga ne. Mos t’i bëjnë dëm Shqipërisë. Është e ndyrë, është e poshtër që për interesa politike të nxish imazhin e këtij vendi. Sot që flasim, Ndrageta ka një aktivitet të gjerë në Gjermani, në Holandë, në Belgjikë, në Spanjë, ka një aktivitet të shtrirë edhe në Amerikë, edhe në vendet e Amerikës Latine. Dhe natyrisht nami, imazhi që kjo organizatë kriminale ka vendosur në secilin prej këtyre vendeve, padiskutim që është i tillë që gjithkush që e dëgjon alarmohet. Tani kur këtu nuk ka një aktivitet kriminal të kësaj organizate, pse duan ta bëjnë me zor? Pse duan që këtë vend ta njollosin me çdo kusht? Dhe kush e bën këtë? Pashë dje në televizor një ish-gjyqtar të korruptuar, kokë e këmbë, që ka lënë gjyqësorin dhe ka hyrë në politikë dhe që merret me këtë temë. Pashë po prapë një ish-ministër Drejtësie, i korruptuar, që merret po prapë me këtë temë. Pashë ca politikanë të tjerë që në kohë të ndryshme janë shformuar, janë bërë si plastelinë para kriminelëve ordinerë në këtë vend dhe që merren me këtë temë për të njollosur jo thjesht një qeveri, por për të njollosur këtë vend. Po e përsëris edhe njëherë. Jo vetëm një bisedë midis këtyre banditëve dhe ndonjë zyrtari të lartë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, deri te niveli i drejtorëve po se po, por edhe më poshtë po të duhen, le t’i nxjerrin. Por nuk ka asnjë akt legal të kësaj qeverie në favor të kësaj bande kriminale. Zero.

Nuk e di nëse jeni njohur me udhëzimin më të fundit që Lulzim Basha u ka dhënë anëtarëve të partisë së tij, që gjatë fushatës elektorale të jenë miqësorë me njerëzit, të buzëqeshin dhe të thonë që do të jetë ai kryeministri i ardhshëm. A keni një koment?

Të them të drejtën nuk kam pasur kohë fare të merrem me udhëzimet e Lulzim Bashës, për më tepër që e kam shumë të qartë. Duke njohur Lulzim Bashën e kam shumë të qartë se çfarë udhëzimesh mund të japë apo mund të prodhojë ai. Pa më të voglin diskutim, që nuk më intereson fare, po fare, zero. Pashë njërin sot atje, që kishte shkuar në një fshat të Bashkisë Divjakë, në Grabian, bëri një xhiro rrugës. Një pjesë e kundërshtonin, një pjesë e shanin, një pjesë i kujtonin vjedhjet e atyre që ishin rreth e qark tij dhe që kanë qenë administratorë të atyre territoreve atje në kohë të ndryshme, pra pushtetarë atje, i kujtonin vjedhjet. Dhe natyrisht kalonte nëpër atë territorin e Grabianit ku ne jemi duke mbyllur një prej ujësjellësve më të mëdhenj të gjithë zonës, që të them të drejtën i ka munguar asaj zone për 30 vite me radhë sepse edhe ai që u tentua të bëhej atje nga këta më herët, ishte: vidh tubat e gazit që kanë qenë atje, të rrjetit të gazit dhe si tuba ujësjellësi shërbenin tubat e gazit. Por lëre se nuk më intereson mua kjo pjesë. Kam qenë shumë i zënë me situatën emergjente që kemi, veçanërisht në disa bashki këtu në qendër, si Shijaku, Durrësi, Kruja, me zonën e Nënshkodrës sipër dhe më lejoni që, e mora me vete se e dija që është një çështje shumë sensitive dhe natyrisht që njerëzit janë edhe në sikletet e tyre, por mbi të gjitha më intereson që të kuptojmë problemin që kemi. Dhe problemi që kemi, lidhet edhe me ndryshimet klimatike në këtë vend. Kjo është një tabelë ku tregohet sasia e reshjeve të rëna gjatë muajit janar të këtij viti. Këtu në mes kemi janarin e vitit 2021. Kjo e para është janari i vitit 2010, kur ndodhi kiameti. 247,5 mm shi ka rënë në janar 2010 kur u mbyt gjithë veriu i vendit dhe uji erdhi deri poshtë në Krujë. Dhe natyrisht pati zona nën përmbytje edhe poshtë në jug të vendit e me radhë. 408,6 mm shi ka rënë deri dje, deri në datën 25, në të gjithë territorin e vendit. Pra 2 herë më tepër. Ndërkohë që mesatarja 10-vjeçare është 170,1 mm shi. Shikoni se çfarë reshjesh kanë rënë. Dhe po t’i referohesh situatës në zonat e përmbytura, natyrisht që as nuk krahasohet me atë që ka ndodhur në vitin 2010. Ajo që mua më shqetëson është që situata do të vazhdojë të jetë e vështirë edhe fill pas dy ditëve me ngrica që kemi, me temperatura të larta dhe me reshje të vazhdueshme, që mund të vënë nën regjimin e shkrirjes edhe borën sipër në male. Do të thotë që vazhdojmë të jemi në një situatë emergjence, me të cilën nuk mund të përballemi më aty për aty, tani për tani, pavarësisht investimeve që janë kryer edhe në argjinatura jo vetëm në mbrojtje lumore, jo vetëm në kanalet e ujërave të larta e me radhë, por duhet të fillojmë të mendojmë në mënyrën më të qartë të mundshme, duke reaguar me plane të qarta për shkak të këtyre ndryshimeve klimatike dhe këtyre reshjeve që po vijnë në mënyrë të vijueshme e tashmë në mënyrë të rregullt mbi territorin e Shqipërisë. Pra duhet të fillojmë të përballemi me një situatë akoma edhe më të vështirë reshjesh, për të cilën jo vetëm duhet të jemi të përgatitur, por për mua duhet të jetë thelbi i çdo angazhimi elektoral dhe qeveritar të nesërm. Natyrisht që këto ndryshime klimatike ndikojnë bujqësinë, energjinë, shëndetësinë mbi të gjitha, sepse shtohen ditët me temperatura nën zero, shtohen ditët me reshje dhe natyrisht që në kushtet e një pandemie të tillë siç është kjo, na duhet që të mendojmë shumë seriozisht për të gjithë impaktin në të gjithë sektorët të ndryshimeve klimatike që natyrisht po prekin edhe vendin.

Zoti Braçe, faleminderit që ishit në studion e Report TV.

Shumë faleminderit edhe juve.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?