Intervista e plotë e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhënë për Report Tv nga qelia. NIV kompania e parë AI në Shqipëri qe ka zhvilluar modele të reja në AI për automatizimin e industrive, ka mundësuar krijimin e avatar edhe gjenerimin e zërit për këtë intervistë
1- Tre javë nga izolimi në qeli. Si i përgjigjeni atyre që ju kanë vënë në të njëjtën anë me Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët sulmojnë SPAK? A nuk është reforma në drejtësi karta më e fortë që “bërtet” PS?
Erion Veliaj: Jam larg Saliut dhe Metës sa temjani nga djalli. As kam pasur blloqe për të vrarë 4 vetë me plumba në mish në 21 Janar, as kam pasur djalë të pjekë të gjallë 26 vetë në Gërdec. Pikë! Diferencë e madhe kjo.
Partia Socialiste nuk bërtet, se kjo e jona nuk është parti tallagjare. Patjetër, ndihemi mirë që vendi ka një drejtësi të pavarur. Tani duhet parë si penetruan në majën e drejtësisë juristë me 5-a, me licencë noteri nga babi, e emërim si prokuror nga e shoqa.
Ky është një abuzim me besimin që Partia Socialiste i dha sistemit. Dhe kjo meriton reflektim, janë prishur ligjet e fizikës. Tipikisht, ajka rri lart e llumi poshtë! Këtu llumi me 5-a është lart, e ajka me 10-a ose ka dalë nga sistemi, ose është në burg.
2- A është në konflikt interesi me ju prokurori Ols Dado? Përgjatë një viti hetimi, pse nuk reaguat? A ka pasur më herët komunikime ndërpersonale me ju prokurori?
Erion Veliaj: Olsi Dado është në konflikt interesi 24h në 24! Ka kërkuar si Gobsek i pangopur metra shtesë, që nuk i takojnë, dhe nuk i ka marrë. Unë më mirë bëj burg të padrejtë, se të shkel ligjin, që Olsi të marrë kate shtesë, që nuk i takojnë, te Rruga e Kavajës.
S’kam reaguar për 1 vit hetim? Po unë jam shpallur në hetim ditën që jam ndaluar. Ols hileqari as nuk e regjistroi emrin, as veprën! Si të reagoja në parathënie? Më akuzon Nesti Angoni që s’ekziston, më shpallin “i dënuar” që në faqen e parë të dosjes dhe më thonë “nuk pendohet” në faqen e fundit. Kujt politikani tjetër i është bërë 20 vjet veting? Mbi ç’bazë? Nga 24 deri në 44 vjeç! Po! Ka pasur komunikime. E pranoi edhe vetë në seancë! Siç pranoi edhe “se ta tregoj unë ty, e di ku vete”.
Ku është parë kjo që një noter nga babi me 5-a, gdhihet prokuror nga krevati dhe i thotë kryetarit të Bashkisë “ta tregoj unë ty”, që s’me dhe metrat e babëzisë së madhe?
3- Kush është Nesti Angoni sipas Erion Veliajt?
Erion Veliaj: Nesti Angoni? Kjo s’ka fare rëndësi! Mund të jetë një sajesë e vetë këtyre që hesapet personale i lajnë me vulën e logon e Shtetit. S’i kam bërë kurrë kujt keq. Jam zgjuar çdo mëngjes këto vite që të bëj mirë: të bëj çdo ditë një shkollë, një kopësht, një çerdhe, një park, një rrugë, një shesh, një qendër sociale! S’mbaj mend të kem pushuar një fundjavë, i kam rënë në qafë familjes sime, si e si të ndihmoja mijëra njerëz, sa kam pasur mundësi.
Por, Nesti Angoni e Ols Dado janë të pangopur; s’ja kam dalë t’i nginj me sa duket. Por, kjo nuk është më e rëndësishmja! Sot në SPAK ka edhe 2 kallëzime të tjera nga Nesti Angoni, dhe bravo i qoftë! Për sa kohë kaloi e para, tani u normua ekzekutimi publik i kundërshtarit me letra anonime e veting pa ligj për 20 vite; 7,300 ditë të jetës së një njeriu.
4- Pse nuk keni përmendur në asnjë reagim tuajin Altin Dumanin?
Erion Veliaj: Sepse ende lus Perëndinë që një ditë do kuptojë se si po përdoret nga vartësit mediokër e hakmarrës për hesapet e tyre personale. Po e përdorin si Pilatin për Barabën. Zoti e ndriçoftë!
5- Si qëndron e vërteta e arratisjes apo prishjes së provave për të cilat flitet se ju do të prishnit procesin?
Erion Veliaj: Çfarë arratisje? Isha në Gjermani më 6 Dhjetor dhe erdha; në SHBA në 31 Dhjetor dhe 21 Janar dhe erdha! Tre herë kam provuar se as iki, as tutem nga ky persekutim.
Cilat prova do prish? Këtu prova quhen lodrat e djalit; i ka Olsi, të luajë gjithë ditën si kalama me lego. Provë quhet Instagrami, aty i ka! Kjo është çmenduri, një ndërtues i babëzitur po bën lolo gjithë sistemin e drejtësisë.
6- Çfarë prisni nga ankimi më 11 mars?
Erion Veliaj: Pres drejtësi, t’i kthehem punës në Tiranë: të bëjmë shkollat në Astir, të sjellim drekën për fëmijët në të gjitha shkollat e Tiranës, të bëjmë gati qytetin për Giro d’Italia dhe Komunitetin Politik Europian, e më e rëndësishmja, të bashkohem me familjen time.
7- A është arrestimi juaj me prapavijë politike? Kush ju donte jashtë fushatës së 11 majit?
Erion Veliaj: Dyshoj që SPAK vuan nga një kompleks për të bërë kandarin, ku çdo palë të goditet, dhe asnjë të mos fitojë pastër e drejtë një shumicë të qartë. Kjo është një përpjekje e kotë.
Me ose pa mua në Tiranë, Partia Socialiste dhe Edi Rama do fitojnë bindshëm mandatin për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Do qe në nderin e SPAK të mos futej në politikë, ose si Di Pietro në Itali të bëhej parti politike e të kandidonte. Por, me letra anonime dhe tafmanë e Olsit për m2 po humbet imazhin e mirë që e mbështetën të gjithë.
8- A keni pasur komunikim, qoftë edhe shkresor me Edi Ramën? A ishit ju vija e kuqe e Edi Ramës për drejtësinë?
Erion Veliaj: Edi Rama është Kryeministri im, Kryetari im i partisë dhe një mik i rrallë e mentor i çmuar prej 20 vitesh. Nuk kam nevojë t’i çoj pusulla, se shokët e idealit nuk kanë nevojë të koordinohen për vlerat ku besojnë.
Unë besoj tek Edi si Kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave, si i vetmi që mund të ngrejë flamurin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe si i vetmi që mund të sigurojë që drejtësia e re dhe e pavarur të ketë jo vetëm shpatë, por edhe peshore!
9- Keni pasur mundësi të takoheni me djalin e vogël dhe me bashkëshorten apo nuk ju është lejuar asnjë takim?
Erion Veliaj: Jo, nuk e kam takuar djalin. Nuk ia shpjegoj dot pa lot në sy e ngashërim se ky vend ende i mallkon ata që punojnë, rrëzon ata që ndërtojnë, pengon ata që përpiqen, lufton atë që ndihmon çdo njeri në nevojë!
Dua që ai të rritet në një Tiranë, të ecë në një shesh Skënderbej, të vrapojë te Parku i Liqenit, të luajë te Parku Rinia, të mësojë te Piramida e të ndihet krenar që i ati dha një dorë për qytetin më dinamik në Europë. Nuk i mbaj dot lotët kur më kujtoni djalin, po e le me kaq.
Ajola është lejuar dy herë. Të tjerët asnjë! As drejtuesit fetarë, as kolegët, as miqtë! Shpresoj që Olsi të ndihet burrë i madh dhe trim me këto izolime banale.
10- Si janë 24 orë në qeli?
Erion Veliaj: Një dhomë 2 me 3m, iniciale të shkruara mureve, shule e dryna që trokëllijnë ditë-natë, dhe komunikim me pusulla.
Por, prapë se prapë, jam shumë më i lirë se ata që më sollën këtu. Jam më i lirë se Nesti Angoni, që duhet të ndërrojë emër e të shkojë si skuth në zyra postare me letra anonime.
Më i lirë se Ols Dado që, se ka 5, se ka 7 apartamente nga lejet e mia, burgun e ka në kokë e kurrë s’do ngopet. Më i lirë se portalet e SPAK-ut, që fyejnë reformën në drejtësi, ku nxjerrin çdo material nga dosjet e bëhen palë në padrejtësi.
Qofshi mirë, kam mall dhe ju dua shumë!
Komente
